Bavarezët janë favoritë për kalimin në gjysmëfinale, por anglezët premtojnë luftë


bayernmanHistoria në Ligën e Kampioneve të Mançester Junajtid dhe Bajern Mynih ka dhuruar shumë përballje të mëdha mes këtyre dy skuadrave, të cilat janë gati të dhurojnë sot një tjetër spektakël në Old Traford. Por asnjëherë më parë, diferenca në cilësinë e shfaqur në këtë sezon mes dy skuadrave nuk e kishte bërë këtë një sfidë mes Davidit dhe Goliatit, me bavarezët që shihen shumë më të favorizuar jo vetëm për kalimin në gjysmëfinale, por edhe për fitoren përfundimtare të trofeut.


Bavarezët e Pep Guardiolës, kampionë në fuqi, cilësohen nga të gjithë si ekipi më i mirë, me një forcë ofensive të admirueshme, duke gjetur rrugën e rrjetës në 59 ndeshjet e fundit radhazi që kanë luajtur në të gjithë turnetë, pa harruar që kanë siguruar titullin në Gjermani që në mars, si askush më parë. Përballë gjendet Mançester Junajtid, që nën drejtimin e David Mojes ka vështirësi edhe për të siguruar vendin e katërt në kampionat dhe pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Por trajneri i djajve të kuq, pavarësisht statistikave që flasin në favor të ekipit kundërshtar dhe opinionit të përgjithshëm se ekipi i tij është më i dobëti mes atyre që kanë mbetur në turne, insiston se dy skuadrat nuk kanë aq shumë diferencë mes tyre.


Ky ka qenë një turne shumë i mirë për ne deri tani. Isha pa eksperiencë në këtë aktivitet, ndërsa tani kam përpara testin më të rëndësishëm përballë Bajern Mynih. Mendoj se trysnia për të dyja palët është e ekuilibruar, pasi duam ta fitojmë këtë sfidë po aq sa ata. Do të hyjmë në fushë me ndjesinë se në një ditë të mirë, jemi po aq të fortë sa çdo skuadër tjetër. Sigurisht, duhet ta tregojmë më shpesh një gjë të tillë, por unë kam besim të madh te lojtarët e mi, tha trajneri skocez, që në rast të një triumfi të paparashikuar ndaj bavarezëve, do të shpëtonte pankinën e tij që duket në rrezik çdo ditë e më shumë.


Duket se edhe bavarezët janë të ndërgjegjshëm se ekipi anglez ka në përbërjen e vet futbollistë që bëjnë diferencën, ndaj duhet të jenë të kujdesshëm. Arjen Roben, një lojtar që njeh mirë futbollin anglez falë të kaluarës së tij te Çelsi, ka paralajmëruar se si Mançester Junajtid transformohet në një skuadër shumë të rrezikshme kur bëhet fjalë për Ligën e Kampioneve.


Në një sfidë si kjo, forma e ndeshjeve të fundit hidhet nga dritarja. Në raundin e mëparshëm, Junajtid u mund 2-0 nga Olimpiakos dhe pastaj fitoi 3-0 në shtëpi. Duhet të jemi të kujdesshëm. Te publiku dhe mediat ekziston opinioni i përgjithshëm se Mançester Junajtid nuk është në formë. Unë personalisht nuk e mendoj kështu, kjo është një ndeshje e vështirë! Duhet të shkëlqejmë që nga minuta e parë dhe të jemi të kujdesshëm, përndryshe do të humbim përballë Junajtid, ishte paralajmërimi i holandezit. Atyre u mungon Van Persi? Sigurisht që ai është një sulmues i veçantë, por para kanë lojtarë si Runi, Uellbek, Mata e Valencia, ndaj do të jetë një sfidë shumë e vështirë.


 


Bavarezët duan ti vjedhin Januzajn


Mediat angleze kanë publikuar dje lajmin se Bajern Mynih kërkon që të marrë gjatë verës Adnan Januzajn, të cilin Pep Guardiola e sheh si zëvendësuesin perfekt të Arjen Roben dhe Frank Riberi, të cilët kanë arritur moshën 30-vjeçare. Futbollisti shqiptar nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me djajtë e kuq në tetor, pasi në Mançester ai shihet si ylli i së ardhmes. Por problemet e këtij sezoni dhe oferta nga skuadra që cilësohet si më e forta në botë, mund ta shtyjë atë të kërkojë transferimin, edhe pse Mançester Junajtid do të provojë me të gjitha mënyrat të mbajë mesfushorin 19-vjeçar. Deri tani, klubi anglez ka refuzuar një ofertë të ardhur nga PSG për futbollistin shqiptar.


 


Ish-trajneri


Ferguson: Ja pse i mundëm në vitin 1999!


Sa herë që Mançester Junajtid dhe Bajern Mynih vihen përballë njëri-tjetrit, mendja të shkon direkt te finalja e famshme e vitit 1999, ku anglezët fituan 2-1. Asokohe, Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjaer shënuan në minutat shtesë të ndeshjes, duke përmbysur avantazhin e Mario Basler. Aleks Ferguson, trajneri i djajve të kuq në atë sfidë, ka kujtuar se si skuadra e tij arriti të fitonte një ndeshje që dukej e humbur. Nuk mund ta bëje në një mënyrë më të mirë, pasi nuk kishte më mundësi përmbysjeje. Kthimi i rezultatit nuk ishte një aksident, pasi ajo skuadër e kishte bërë një gjë të tillë disa herë gjatë atij sezoni. Ata kishin një dëshirë fantastike të fitonin gjithçka. Ata kishin një frymë skuadre dhe karakter të jashtëzakonshëm, ndaj e meritonin të fitonin thjesht për faktin se e dëshironin një gjë të tillë. Disa nga momentet e mia më të lavdishme te Mançester Junajtid kanë qenë në 15 minutat e fundit të ndeshjeve. Kur po mundesh 1-0 apo 2-1, nuk ka kuptim të bësh lojën e zakonshme që nuk ka funksionuar për 75 minuta. Ndaj ne rrezikonim dhe aktivizonim një lojtar tjetër në sulm. E njëjta gjë ndodhi edhe në atë finale, ku luajtën Solskjaer, Kol dhe Sheringam, kujtoi trajneri skocez.


 


Liga e Kampioneve


Çerekfinalet


Sot


Barcelona-A. Madrid


M. Junajtid-B. Mynih


Të mërkurën


PSG-Çelsi


R. Madrid-B. Dortmund


 


 


 


Mançester Junajtid (4-4-2)


 


De Gea


 


Rafael     Ferdinand  Vidiç Butner


Xhons Kerrik


Valencia                        Gigs


Runi Uellbek


 


 


Bajern Mynih (4-3-3)

Nojer


 


Rafinja    Martinez   Boateng    Alaba


 


Lahm


 


Kros       Shvajshtajger


Roben                                 Riberi


Manxhukiç


 


 


Ky shkrim Junajtid-Bajern, gati për historinë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.