Matteo Salvini, ministri i brendshëm i Italisë, është duke u inkurajuar nga politikanët e tjerë nacionalistë për të kandiduar për zyrën e Presidentit të Komisionit Evropian, i cili momentalisht mbahet nga Jean-Claude Juncker.


Ky post është shumë i lakmueshëm dhe në zgjedhjet për Parlamentin Europian që do të mbahen në 2019 do të jetë një trofe që do ta synojnë edhe populistët ndaj kandidimi i Salvinit sipas RT është duke u diskutuar në qarqet më të larta të politikanëve euroskeptikë.


“Është e vërtetë, miq të vendeve të ndryshme evropiane më kanë pyetur për të dhe sugjeruar kandidimin, tha Salvini kur u pyet gjatë një interviste për La Repubblica. “Është gjë e mirë që ata të më shohin si pikë referimi për mbrojtjen e popullit, madje edhe jashtë Italisë”.


Salvini, kreu 45-vjeçar i Ligës së Veriut në krahun e djathtë, është rritur në një rëndësi pan-evropiane pasi ka formuar një qeveri si pjesë e një koalicioni kundërinstitucional me lëvizjen e majtë 5 Yje.


Lajmi për kandidimin e mundshëm të Salvinit përballë Juncker tregon se lidershipi i tij midis forcave të krahut të djathtë në Evropë ka fituar shumë pikë, pavarësisht se ai theksoi se do ti duhet të mendojë për këtë çështje.


Por sipas mediave ndërkombëtare Salvini sot si populist ka shanse më të mira për të fituar presidencën sesa vetëm pak vite më parë për shkak të ndryshimeve në rregullat për mbushjen e zyrës.


Presidenti i Komisionit Evropian zgjidhet nga Këshilli Europian, bazuar në rezultatet e zgjedhjes së deputetëve. Kjo zakonisht bazohej në konsensus, por tani ekziston një sistem joformal i quajtur “Spitzenkandidat”, në të cilin kandidatët për presidencën emërohen nga grupet e deputetëve përpara një zgjedhjeje në pushtet.


Presidenti në detyrë, Juncker, ishte personi i parë i zgjedhur për punën sipas procedurave Spitzenkandidat pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2014, në të cilën grupi i tij i EPP-së në qendrën e djathtë fitoi shumicën e vendeve. Sistemi i ri lejon mjete të tilla fushatash si kandidatët që ofrojnë programe politike dhe mbajtjen e debateve publike për të ndikuar votuesit në favor të blloqeve të tyre.


Salvini është një kritik i rregullt i Komisionit Evropian dhe Junker. Lufta e tyre më e fundit ishte mbi kritikën e Junker për deficitin e propozuar të buxhetit të Italisë, i cili arrin në 2.4 për qind të PBB-së së vendit. Komisioni pritet të zbatojë rregulla strikte të mospërputhjes nëse Italia nuk e ndryshon atë, por Salvini u zotua se nuk do të “ndryshohet”.


Në intervistë, Salvini tha se zgjedhjet e Parlamentit Evropian për vitin e ardhshëm do të sjellin një ndryshim kaq të thellë në BE pasi kërcënimet e Junker kanë pak peshë.


“Këta njerëz flasin nga bunkerë të rrethuar, sepse e dinë që brenda gjashtë muajve do të dërgohen në shtëpi kur një erë ndryshimi do të fryjë edhe mbi Evropën”, tha ai.


18 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)