Juventusi ka pësuar humbjen e dytë sezonale në Serinë A, teksa u mposht me rezultatin 3-2 nga një Sampdoria mjaft simpatike.


Pjesa e parë ishte mjaft intensive dhe me raste, por asnjë nga skuadrat nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë. Takimi u zhbllokua vetëm në minutën e 56, nga ana e sulmuesit të Sampit, Zapata.


Allegri fillon të marrë masat dhe hedh në fushë Dybalën e Diego Costën, por në momentin më të mirë të bardhezinjve, është sërish skuadra e Giampaolos që shënon gol. Këtë herë është Torreira që dërgon topin në rrjetë, ndërsa 10 minuta nga fundi, Ferrari shënon golin e 3-të.


Kur u duk se kishte përfunduar çdo gjë, Juventusi zgjohet me një penallti të shndërruar në gol nga Higuain në minutën e 90, ndërsa 3 minuta më pas Dybala rihap sfidën. Gjithsesi, 90 sekondat e mbetura nuk i mjaftojnë skuadrës së Allegrit për të shmangur humbjen në Marasi.


Fiorentina nuk shkoi më shumë se nja barazim 1-1 me debutuesit e SPAL-it, të cilët kryesuan deri në minutën e 80, kur Chiesa barazoi për skuadrën e Piolit.


Benevento vijon të mbetet në kuotën e zero pikëve, teksa sot u mposht sërish në minutat shtesë, nga Sassuolo, me rezultatin 1-2. Fitore mjaft të rëndësishme mori edhe Cagliari, që mposhti Udinesen në Friuli, me rezultatin minimal 0-1, ndërsa Torino nuk shkoi dot më tepër se një barazim 1-1 me Chievon.


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)