Gjithçka e lehtë për Juventusin e Massimiliano Allegrit në Dall Ara. Përballë Bolognas, Higuain me shokë triumfuan pastër 0-3. Edhe në një ndeshje kur El Pipita nuk arrin ta gjejë rrugën e rrjetës dhe Paulo Dybala e nis ndeshjen nga stoli, Juventusi i ka resurset për të mposhtur me lehtësi një skuadër të vështirë si ajo e drejtuar nga Donadoni.


Vetëm në 20 minutat e para Bologna bëri disi rezistencë sepse më pas ndeshja u dominua nga kampionët e Italisë që falë këtij suksesi parakaluan Interin në renditje duke u ngjitur në vendin e dytë vetëm një pikë pas Napolit kryesues.


Takimin e zhbllokoi Miralem Pjanic në minutën e 27-të me një gol nga ata të tijtë. Fantastik ekzekutimi i mesfushorit boshnjak nga goditja standarte. Në të 36-tën një tjetër futbollist ballkanas, kroati Mario Mandzukic ia bëri më të thjeshta gjërat Juves me golin e 0-2.


Fitoren e torinezëve e vulosi francezi Matuidi me një tjetër gol në minutën e 63-të. Në ndeshjet e tjera spikat barazimi pa gola i Fiorentinës brenda në Artemio Franchi përballë Genoas, ndërkohë që Sampdoria bëri harakiri pasi u mposht në shtëpi 0-1 nga Sassuolo që pas penalltisë së humbur nga Politano iu fal golit të Matrit në të 90-tën për të marrë fitoren e 2-të radhazi me Iachinin në stol.


Mori fitoren e parë ish portieri legjendar i Interit Walter Zenga në krye të Crotones me kalabrezët që mposhtën 1-0 në shtëpi Chievon.


17 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)