Delegacioni i lartë do të bëjë të ditur paraditen e sotme rezultatin e diskutimeve të djeshme për zgjidhjen e krizës politike.







Kreshnik KUçAJ



Delegacioni i zyrtarëve të lartë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të bëjë të ditur për opinionin publik bilancin e takimeve me drejtuesit politikë të vendit në përpjekje për zgjidhjen e krizës politike. Ditën e sotme, kreu i delegacionit Mevlud çaushollu sëbashku me anëtarët e tjerë të delegacionit pritet të dalë në një konferencë për mediat ku do të komentojë takimin me presidentin Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha dhe me kreun e opozitës Edi Rama. Ndërkohë, dita e parë e vizitës zyrtare në Tiranë ka rezultuar shumë e ngjeshur dhe jashtë limiteve kohore të parashikuara në axhendën e delegacionit të Këshillit të Evropës. Dita e parë e “punës” për delegacionin ka nisur mëngjesin e djeshme në orën 09:15 duke përfunduar në orën 19:30 të pasdites me takimin përmbledhës në presidencë. Kështu, rezulton se gjatë këtyre 12 orëve, 6 prej tyre kanë kaluar në takime dhe bisedime intensive me përfaqësuesit e politikës shqiptare. Takimi i parë i delegacionit ka qenë pikërisht ai në presidencë me kreun e shtetit shqiptar Bamir Topi në orën 09:15 të mëngjesit të djeshëm. Në këtë takim, delegacioni i lartë i Këshillit të Evropës është njohur me ecurinë e deritanishme të implementimit të rezolutës për zgjidhjen e krizës. Pas takimit me Topin, makinat e zyrtarëve të KE-së janë postuar drejt zyrës së kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli e cila gjithashtu i ka njohur ata me ecurinë e negociatave dhe me situatën e funksionimit të parlamentit në kushtet e një bojkoti pothuajse 6 mujorë të deputetëve socialistë. Pas takimit në Kuvend, ku Topalli shoqërohej edhe nga anëtarët e djathtë të delegacionit shqiptar në APKE-së, delegacioni i është drejtuar kryeministrisë për të biseduar me kryeministrin Sali Berisha. Ky takim ishte parashikuar të zgjaste një orë por ky orar është tejkaluar duke zgjatur pothuajse dy orë. Zyrtarët e lartë të APKE-së kanë mbajtur shënim qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha dhe kanë marrë konfirmimin e prezencës së tij në përballjen me kundërshtarin e tij politik që po përgatitej në presidencë. Pavarësisht mospublikimit të detajeve të takimit që zgjati gjysëm ore më shumë sesa ishte parashikuar, kreu i qeverisë bëri me dije vetëm se takimi kishte qenë i frytshëm. Pas këtij takimi, ka ardhur radha e takimit në selinë e Partisë Socialiste me kryetarin Edi Rama dhe me disa deputetë të kësaj forcë politike. Në takimin me kreun socialist, delegacioni i lartë i APKE-së është njohur me qëndrimet e opozitës për transparencën e plotë zgjedhore. Pas takimit në Partinë Socialiste ku delegacioni ka marrë edhe konfirmimin e prezencës së kreut socialist në ballafaqimin që po përgatitej në presidencë, makinat e delegacionit të APKE-së sëbashku me makinat e kreut të qeverisë dhe të kreut të opozitës i janë drejtuar selisë së presidentit Topi. Pak minuta pasi kishte kaluar ora 17:00, në presidencë kanë nisur diskutimet, për mundësitë e zgjidhjes së krizës, të cilat zgjatën pothuajse 2 orë e gjysëm në prani të kreut të shtetit Bamir Topi.