BRUKSEL- Ekzekutivi i Bashkimit Evropian do të propozojë javën e ardhshme që qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë t'u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së prej fillimit të vitit të ardhshëm. Lajmi është dhënë sot nga Komisioneri për Drejtësi i BE-së, Zhak Barrot, i cili ka deklaruar se për vendin tonë pritet më parë plotësimi i kushteve dhe pastaj liberalizimi.



"Të enjten e ardhshme në Strasburg do të propozohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor", tha në një konferencë për media komisioneri, Zhak Barot.



Propozimi duhet të miratohet nga 27 ministrat evropianë të drejtësisë, ndonëse votimi unanim nuk është i nevojshëm.



"Në regjimin e ri të vizave do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur t'i kenë përmbushur kriteret e duhura"- tha ai.



Lajmi për përjashtimin e vendit tonë nga lëvizja e lirë e vizave është dhënë edhe pak kohë më parë, pas raportit të bërë posaçërisht për kriteret dhe kushtet që nevojiteshin, ku Shqipëria 'ngeli në klasë'. (rel)