Milanov KALLUPI



Kjo rrugë s’është thjesht rrugë, ku qetësisht çapiten dielli e hëna, ku njerëzit e heshtur u bien qetë tastave të gurëve e mjegulla e pluhurit ndjek pas kërriçin e gëzimit të fëmijëve.

Dëgjoni? Nga larg vjen zëri i një poeti që e ka shtëpinë te sopi i manave, harku i erës lëviz ëmbël mbi degëviolinat e ullinjve, kallamat e prozhmit Pani i ktheu në tinguj e magjishëm u bie fyejve. Kjo rrugë s’është thjesht rrugë, si të gjitha rrugët...



OFELIA...



Asgjë s’më trishton në këtë lumë. Gjithçka më trishton... Ndërmend Ofelinë e Rembosë pas njëmijë vjetësh, shtrirë, të bardhë si zambak, ku gishtërinjtë e shelgjeve e çikin në buzë, ballë e gjinj e unë s’kam fuqi e frymë ta ngjall nga vdekja e nëmur.

Ç’them kështu? Këtu s’ka erë e kallama, shelgje, zambakë e Ofeli, nëpër ujë asgjë s’pluskon e bukur dhe e vdekur tani...



SHFAQMU...



Shfaqmu pemë që përçast përthith qumështin e ëmbël të tokës së vakët, shfaqmu lëkurë qoftë edhe me milimgona që ikin e vijnë mbi limfën e tejdukshme, shfaqmu gjethe, copëzime dielli dhe ere mbi klorofilën e heshtur, shfaqmu degë, krahë për të fluturuar në qiej e në fushnajën e ëndrrave, shfaqmu kurorë, aspak e mangët, aspak e tepërt, nuse me vello jeshile, shfaqmu frut, riprodhim i vetvetes me bërthamat vezë në vezoren e së nesërmes.

Shfaqmu pemë me një aoreolë drite ngulur fort në dheun e butë të përjetësisë.



KLITHJE...



Ti thua që ai kalimtar ecën në heshtje, por nuk e di se ai në zgjafellën e shpirtit klith, ti thua se vetmia hesht, por nuk e di se sa me tmerr ajo dëgjon zërin e vet që klith, ti thua se yjet e plumbtë heshtin, por nuk e di se ç’klithma të ndritshme lëshojnë kur rrëzohen, ti thua se qielli hesht, por nuk e di se shiu, retë e bubullimat janë klithmat e tij, ti thua se rruga hesht, por s’e kupton se pemët, trotuaret e asfalti klithin nga rëndesa e stinëve, ti thua se dhimbja e vdekja heshtin, por nuk e ndjen si klithin karafilat mbi qivurin e kuq.





SHKRUAJ...



Mos më merrni për të çmendur, tek më shihni kur shkruaj me shkop mbi rërën e lagur ca fjalë të pakuptimta si hieroglife, kur brenda tyre është ajo, aq e qartë dhe e kuptueshme e tok me të jam edhe unë po aq i qartë dhe i kuptueshëm, si një trup i vetëm, statujë e një dite të largët vjeshte, që diellon mes fjalëve të ngatërruara në bregun bosh si kullë e paharrueshme Babiloni.



PYLL...



Heshtja e heshtjeve pa fillim e pa fund që vërtitet rreth shtatoreve të pishave, mëngjes i mëngjeseve që fshin sklepat mbi pingërimat e zërat e këndesave, diell i diejve që ngre folenë e artë në shkurret e kurorave të blerta, rrëshirë e rrëshirave që më ngjit pas drurëve e më bën një trup të vetëm, gur i gurëve mbuluar me vite halash që ia dëgjoj jehonën e një kltithme të moçme, natë e netve që fsheh hijet e frikave e thur vellon e qetësisë dhe vetë shkon të flejë, lehtaz, pa u ndier.









15 Qershor 2009