Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përzgjedhur shtatë kryetarë gjykatash të rrethit pas një seance maratonë që zgjati dhjetëra orë, duke plotësuar të gjitha vendet e lëna bosh pas mbarimit të mandateve. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë takimit të djeshëm kërkoi përzgjedhjen e më të mirëve pasi sipas tij, mënyra sesi po procedohet ka pikërisht këtë qëllim. "Risi në gjyqësor përbën rinovimi i mandateve të kryegjyqtarëve në rrethe", u tha Spahiu pjesëmarrësve në fillim të mbledhjes. Ndërsa lidhur me 9 kandidaturat e votuara dy ditë më parë, Spahiu u shpreh se zgjedhja e tyre u bë me konsensus, por që nuk munguan as diskutimet për përzgjedhjen. "Zgjedhja e 9 kryegjyqtarëve ka qenë brenda alternativave të KLD-së. Gjyqësori do të jetë pjesë e një debati të gjerë. Rritja e përgjegjësisë dhe transparencës për ne janë kryesore. Këto risi janë në kuadër të nxjerrjes nga udhëkryqi ku është futur sistemi i drejtësisë", tha Spahiu, duke shtuar se zgjedhjet tona synojnë të përafrojnë përqasjen me publikun, për të sjellë një frymë të re në drejtimin e gjykatave. "Në mënyrë absolute mund të ketë emra dhe juristë me të mirë, por si pasojë e kufizimeve, limitimit dhe mundësive të kushtëzuara dhe parashikuara në ligj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë i detyruar të zgjedhë brenda kandidaturave që kanë plotësuar parametrat ligjorë dhe që kanë aspiruar me vullnetin e tyre për të drejtuar gjykatat përkatëse. Është e kuptueshme me gjithë dëshirën, ku mund të kishte emra edhe më të mirë, por është krejt normale që zgjedhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të jetë brenda kandidaturave të prezantuara gjatë këtyre dy ditëve dhe që plotësojnë kriteret ligjore", shtoi nënkryetari i KLD-së, duke pohuar se kjo është gjendja e pushtetit gjyqësor, ky është niveli dhe i profesionistëve për të zgjedhur më të mirën brenda këtyre alternativave ligjore që ofrohen.
Fituesit e Gjykatës së Rrethit:
Flamur Kapllani, në Kukës
Alfred Gjoni, në Kurbin
Fjoralba Prifti, në Lezhë
Artan Çupi, në Mat
Niko Rapi, në Pogradec
Shtjefën Lleshi, në Pukë
Dritan Seci, në Tropojë