TIRANE - KLD emëron magjistratët në shtatë gjykata të rretheve të vogla. Pak ditë më parë KLD ka vendosur të emërojë tetë gjyqtarët e rinj, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, 2008-2009, në profilin gjyqtar. Sipas KLD-së, bazuar në rezultatet e arritura, preferencat e shprehura nga secili magjistrat dhe vendet përkatëse të vëna në dispozicion në gjykatat e faktit në vend, u vendos që: Zeta Terpollari të emërohet në Lushnjë, Engjëllushe Tahiri në Krujë, Gentiana Xhelili në Sarandë, Alma Kodraliu në Pogradec, Alma Zhupa në Kukës, Bib Ndreca në Tropojë si dhe Ornela Naqellari e Rezarta Paja në Gjykatën e sapokrijuar të Përmetit. Në lidhje me plotësimin e katër vendeve vakante për inspektorë pranë KLD-së, ky institucion pohon se në mbledhjen e fundit ka vazhduar shqyrtimin e kandidaturave dhe pasi shqyrtoi propozimet e zëvendëskryetarit për emërimin e tyre, Këshilli pohon se ka vendosur të emërojë dy juristët Arjan Qafa dhe Fatbardh çoniku si inspektorë. Po kështu, KLD pohon se plotësimin e dy vendeve të tjerë vakante do e bëjë gjatë mbledhjeve të ardhshme. Në fund të mbledhjes, KLD deklaron se, për caktimin e numrit të vendeve vakante për kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar, për vitin akademik 2010-'11, vendosi të ngrejë një grup pune të përbashkët me përfaqësues edhe të Ministrisë së Drejtësisë. fa.ma.