Në mbledhjen e zhvilluar paraditen e kësaj të hëne, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar përkohësisht në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Lushnjës, prokurorin Arben Dyla, ndërsa në atë të Fierit, prokuroren Violeta Shkurta, që të dy me nga 7 vota pro.


Ndërkohë, po në këtë mbledhje, me 10 vota pro është deklaruar mbarimi i statusit të magjistratit për prokurorin Ardian Nezha, i cili kishte dorëzuar pak ditë më parë një kërkesë për dorëheqjen.


KLP-ja ka për detyrë, bazuar në ligjin për statusin e magjistratit të caktojë emërime të përkohshme për një periudhë 3-mujore, për të mos krijuar pengesa në funksionimin normal të Prokurorive nga mungesa e drejtuesve.


KLP-ja vendosi që propozimet konkrete të vijnë nga Komisioni i Karrierës.


Sa i përket shortit për Komisionin e Posaçëm për Vlerësimin e kandidatëve për SPAK-un, për kandidatët joprokurorë, Tartar Bazaj triumfoi përkundrejt kandidaturave të Nurihan Seitit dhe Gent Ibrahimit. Bazaj do të jetë kështu anëtari i pestë i këtij komisioni, ku nga ana e anëtarëve prokurorë, në KLP është Besnik Cani.