KLSH

Besimi i shqiptarëve dhe shoqërisë në tërësi ndaj institucioneve shtetërore është i dobët. Janë të shumtë ata që reagojnë me psherëtima zhgënjyese sa herë që në njërën anë dëgjojnë për një skandal, ndërsa në anën tjetër - pra të shtetit - dëgjojnë zhurmimin e heshtjes. Çështja e mega-aferës korruptive të CEZ-it ka shënuar debatit politik dhe publik duke nxjerr në pah dhe një përgjumje të shtetit shqiptar, një përgjumje e shkaktuar nga një sedativ i injektuar si pasojë e polarizimit të tejskajshëm politik por jo vetëm. Shoqërisë shqiptare duket se iu venit shpresa që përmblidhet në shprehinë e rëndomtë se "ky shtet do të bëhet". Në momentit kur shpresa po vdiste e çështja po shkonte drejt mbylljes nga qeveria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion kushtetues e në kryerje të detyrës së tij kushtetuese, kallëzoi penalisht, ministrin e Energjisë, Damian Gjiknurin dhe Avokatin e Shtetit, Alma Hicka se i kanë sjellë shtetit një dëm prej 479 milionë euro e ndarë në: 95 milionë euro: pagesa e dakordësuar në Marrëveshje, vlera 352 milionë euro: detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012, vlera 32 milionë euro: zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit. Ky reagim shtetëror, madje i llojit Kushtetues-bërthamës së shteti- dëshmon se shteti shqiptar është në detyrë. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një nga organet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, i cili ka për funksionin të kryejë kontrolle financiare që paratë e shqiptarëve të mos shpërdorohen. Pavarësisht presioneve, KLSH ruajti pavarësinë vet si institucion kushtetues dhe "gardian" i parave të shqiptarëve dhe shtetit shqiptar, duke bërë që miliona eurot e vjedhura nga marrëveshja me CEZ të adresohen në një shinë shtetërore me kallëzim penal në prokurori. Ky adresim s'është një përzgjedhje diskrecionale e Kontrollit të Lartë të Shtetit porse një përmbushje e detyrave të saj Kushtetuese.

Denoncimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është një shprehje e shtetit në detyrë dhe përbën një zgjim për të gjithë ata që kanë kritika se shteti shqiptar është i dremitur. Mega afera korruptive me qindra milionë euro, që për takatin e Shqipërisë është rrënuese për financat shtetërore, nuk do t'i shpëtonte hallkave të shtetit që jetësohen dhe mbrohen nga Kushtetuta. I gjithë aktiviteti i shtetit buron nga ky akt dhe kryerja e detyrës nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk duhet të na habisë.

Funksionimi i shtetit nuk është habi, porse është një normalitet që pavarësisht zhgënjimeve të justifikuara të shqiptarëve provon se shteti nuk është në gjumë! Parë në këtë këndvështrim, shqetësuese për vendin dhe rendin kushtetues do të ishte mosveprimi i KLSH ndaj kësaj aferë e jo fakti se ky institucion po kryen detyrën e tij kushtetuese.