Është e pasaktë thënia që, "Serbia e ka humbur Kosovën".

Këtë gabim e shqiptojnë mjaftë analistë, por dhe politikanë e diplomatë, madje edhe në Shqipëri.

E humbur quhet diçka që ka qenë e jotja dhe, për shkaqe të ndryshme, nuk e zotëron më. Kosova ishte nën Serbi, por nuk ka qenë e Serbisë. Sepse, ajo, domethënë Kosova, qe e pushtuar. Populli i saj, domethënë shqiptarët, kurrë nuk janë vetndjerë pjesë e Serbisë, por nën pushtimin mizor të saj. Ligjërimi i pushtimit, coptimi i tokave shqiptare, e bëri të saktë thënien e kundërt: Shqipëria e humbi Kosovën.

Kur diçka, e vjedhur apo e grabitur dhunshëm, i rikthehet të zotit, me forcë ose ligj, nuk thuhet që, vjedhësi apo rrëmbyesi e humbi sendin, dhe i zoti i saj e fitoi. Ka një tollovi termash në përdorim, që duhet të saktësohen.

Së pari, Serbia nuk e humbi Kosovën. Asaj, Kosova iu nxor nga kthetrat e pushtimit dhe shtypjes. Kosova iu rikthye Kosovës. Kurse, Serbisë, edhe pse pa vullnet, iu dha mundësia të pastrojë historinë e saj për të ardhmen, dhe t'u bashkohet vendeve demokratike.

Së dyti, si term i ndërsjellë i emrit Kosovë, ende përdoret fjala "Krahinë". Serbia i përzjen qëllimshëm, herë e thërret Kosovo e Metohija (emërtim mesjetar serb), siç bëri kryeministri Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës në Kosovë, herë e quan thjeshtë "Krahinë", për t'u ndërmenduar të huajve se ajo flet për toka e territor serb. Mjerisht, fjala "Krahinë" haset, duhet thënë , edhe në mediat e Shqipërisë, mbase për dy arsye: të një politike botuese të pakujdeshme; të përkthyesve "kozmopolitë" të paditur, që, siç e gjejnë në tekstin e huaj - "Krahinë", edhe lexuesit shqiptar ia shërbejnë "Krahinë", diçka e ngjashme, si në thënien ruse "Vizhu pojasnicu, pishu pojasnicu" ( shoh vithe, shkruaj vithe), madje, pa harruar të vënë në dukje që, kryeqyteti i Krahinës, Prishtina, gjindet 400 km larg, në jug të Beogradit; ndonjë gazetar, me pikëpamje gjysmë serbe për pavarësinë, në shkrimet e veta, për të treguar se, autoritetet e pushtetit atje, domethënë në Kosovë, nuk janë kushedi se çfarë, i cilëson "zyrtarë të krahinës", pa cituar kurrfarë mediash të huaja, veç pikë për pikë mendimin e vet. Ky përshesh katëremror, Kosovë - Kosovo - Kosovo e Metohija - Krahinë, siç po e shohim, gjindet në fund të pështjellimit, sepse pavarësia e ka bërë Kosovën shtet dhe, pas asaj dite e me kohë, termat e pushtimit do të citohen, ose në kuptimin e një historie të shkuar, ose prej atyre që nuk do të pajtohen me pavarësinë.

Së treti, nga të huajtë përdoret vetëm thirrja në serbisht e Kosovës: Kosovo. Por bukur e pati përcaktuar një analist britanik, kur u krye goditja ushtarake ndaj Ish- Jugosllavisë, duke thënë që, atje lufta bëhet për dy gërma: do të ketë "A" apo "O", në fund të emrit të Provincës? Pra, si do të thirret ky vend, Kosova apo Kosovo? Nuk ka shqiptar që Kosovës t'i thotë Kosovo. Nuk ka serb që Kosovën ta thërrasë Kosova. Në këtë shtjellim nuk shtrohet asfare që serbëve, të Kosovës e të Serbisë, t'u kërkohet që, pas pavarësisë, ata ta emërtojnë në shqip - Kosova. Ndërsa pas pavarësimit, kur Prishtina i ka miratuar simbolet administrative shtetërore, madje janë zhvilluar bisedime e nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova të mos thirret ndërkombëtarisht në serbisht, domethënë në gjuhën e pakicës - Kosovo, por në shqip, domethënë në gjuhën e shumicës - Kosova, sepse edhe institucionet e shtetit, po t'i vëresh me vëmendje, emërtimin e parë e kanë në shqip. (Kjo pati ndodhur edhe në Moldovë, e cila, më parë, kur ishte pjesë e Bashkimi të Republikave Socialiste Sovjetike, thirrej në rusisht - Moldavia, dhe kryeqyteti - Kishinjev. Kështu i thonë rusët që jetojnë aty. Por, zyrtarisht, ajo emërtohet në rumanisht - Moldova, dhe kryeqyteti Kishinau). Pakica serbe në shtetin e Kosovës, duhet thënë, me të drejta mbieuropianë, në bazë të planit Ahtisaari dhe të marrëveshjes së 19 prillit 2013, e kanë të ligjshme, dhe më përtej, ta thërrasin Kosovën, në të folur, me shkrim dhe nëpër simbolet e tyre, vetëm në gjuhën e vet.

Së katërti, Serbia nuk e ka humbur Kosovën, por e humbur ka qenë Kosova. Pavarësia i çoi në vendin e tyre dy gjëra të mëdha: Kosova iu kthye Kosovës. Serbia u kthye te Serbia. Kosova pushoi së qëni e pushtuar. Serbisë iu fshi emri si kolonizatore.

Bashkë me fundin, de facto e de jure, të pushtimit serb, Kosova duhet të çlirohet, de facto e de jure, edhe nga përdorimi zyrtar i emrit në gjuhën e pushtuesit: Kosova, jo Kosovo!