Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të përsëritet njoftimi për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, nisur nga fakti se vetë Llalla nuk ka dijeni për procesin, dhe plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, për vazhdimin e procesit.


Vendos: Ti kërkojë përfaqësuesit, avokatit Sokol Hazizaj plotësimin e prokurës të datës 10.4 2018 duke u shprehur në mënyrë të posaçme vullnetit të përfaqësuarit për ti dhënë përfaqësuesit të tij tagrat. Vendos të përsëritet njoftimi i ankimit të subjektit të rivlerësimit si dhe të njoftohet për seancën subjekti i rivlerësimit, zoti Adriatik Llalla, tha kreu i trupit gjykues.


Avokati kërkoi që dita e ardhshme e gjykimit të jetë jo më pak se 15 ditë, kohë që i duhet për të marrë prokuroën për vijimin e procesit. Seanca u vendos për në 31 maj në orën 10.00.


Gjatë seancës Hazizaj tha se vetë Llalla nuk është në dijeni të procesit dhe se vetë ai ka më shumë se 2-3 javë pa komunikuar me klientin e tij.


Në dijenin time nuk ka dijeni, por unë kam tagrin që ta paraqesë. Komunikimi i fundit më shumë se 2-3 javë, tha ai, duke shtuar se dokumentet e tërhequra ia ka dorëzuar familjarëve të tij.


Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ti nënshtrohet vettingut.


Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për tu emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.


Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.


Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.


Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.



16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)