Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall me katër vota pro dhe dy kundër Lulzim Bashën fitues për kryetar të Bashkisë së Tiranës, me 81 vota më shumë se kundërshtari i tij, Edi Rama.Gjatë një mbledhjeje, e cila filloi në orën 13:00 dhe u mbyll në orën 23:00, me një pushim në drekë, u miratua akti për përfshirjen në tabelën përfundimtare të të gjitha votave të numëruara, të cilat ishin hedhur në kutinë e gabuar. Në përfundim të leximit të këtyre votave, pas hapjes së 125 kutive, rezultoi se kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha, ka marrë 124 786 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama, ka marrë 124 705 vota. Kryetari i Partisë Komuniste, kandidati i tretë për garën e Tiranës, Hysni Milloshi, ka fituar 1394 vota. Ky numër votash është mbledhja e rezultateve të 485 kutive të votimit në të 11-të njësitë bashkiake të Tiranës. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në nenin 21, pika 1 dhe 7, nenin 122, pika 6, nenin 123, pika 1 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2009, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë për kryetar të kësaj Bashkie, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi dhe të shpallë fitues z. Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga koalicioni ‘Aleanca për qytetarin’”, thuhet në vendimin e miratuar mbrëmë.
Ankimimi
Siç u deklarua shpesh gjatë mbledhjes së djeshme, në miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka luajtur rolin e KZAZ-së së madhe, e cila, brenda saj, përfshin 11 KZAZ-të e kryeqytetit. Me këtë argument, anëtarët e djathtë në Komision hodhën poshtë pretendimet se shpallja e fituesit për Bashkinë e Tiranës duhet të miratohej me 5 vota. Pas vendimit të mbrëmshëm, do të jetë sërish Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që do të vazhdojë ta trajtojë këtë çështje. Kjo për shkak se sipas Kodit Zgjedhor, në KQZ mund të ankimohen të gjitha vendimet e KZAZ-ve. Në rreshtin e fundit të vendimit të miratuar dje thuhet se “kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në KQZ brenda tri ditëve nga shpallja e tij”. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste ka afat deri të enjten në orën 23:00 për të protokolluar pranë KQZ-së kërkesën ankimore për të kundërshtuar shpalljen e rezultatit të Bashkisë së Tiranës. Më pas, hallka e fundit për të dyja partitë, PD e PS, në varësi të vendimit që do të japë KQZ, do të jetë Kolegji Zgjedhor. Kjo Gjykatë do të vendosë përfundimisht se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve të 8 majit. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ dhe anëtarët e majtë në Komision kërkuan që akti të mos miratohej, por të pritej vendimi që do të japë Kolegji. Kjo kërkesë u rrëzua me 4 vota nga KQZ.
PS: Të pritet vendimi i Kolegjit
Partia Socialiste kërkoi dy herë radhazi në mbledhjen e KQZ-së që të mos merret vendim për miratimin e tabelës përfundimtare të Bashkisë së Tiranës deri në një vendim të Kolegjit Zgjedhor. Pak ditë më parë, PS depozitoi një kërkesë në Kolegj për ta detyruar KQZ-në të nxjerrë sa më shpejt rezultatin e zgjedhjeve. “Duke qenë se KQZ nuk mori vendim më parë për këtë çështje, ne i jemi drejtuar Kolegjit. Sipas ligjit, asnjë vendim nuk mund të merret kur ajo çështje është duke u shqyrtuar në gjykatë. Ne kërkojmë të pezullohet marrja e vendimit derisa të shprehet Kolegji”, u shpreh avokati i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj. Nga ana tjetër, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se “kërkesa e PS-së është joligjore dhe jo logjike. I kërkohet Gjykatës të na detyrojë ne të japim një vendim dhe në momentin që e marrim vendimin, kërkohet të presim Gjykatën derisa të na detyrojë”, u shpreh Ristani.
Rezultati te Njësia 5, PD fitoi 2 qendra nga 65
Përpara se të miratohej tabela përmbledhëse e rezultatit për Bashkinë e Tiranës, KQZ miratoi mbrëmë tabelën e rezultatit për Njësinë Bashkiake Nr. 5. Kjo KZAZ ishte e vetmja që nuk kishte një vendim për shkak se katër anëtarët e djathtë nuk kishin pranuar ta firmosnin atë. Në këtë zonë, e cila njihet si bastion i Partisë Socialiste, rezultoi se kandidati i kësaj partie, Edi Rama, ka marrë 19 154 vota, ndaj 14 491 vota të Lulzim Bashës, me një diferencë prej 4663 votash. Por, në këto zgjedhje demokratët kanë fituar në dy qendra votimi dhe në shumë të tjera kanë humbur me një diferencë shumë të vogël, ndryshe nga zgjedhjet e tjera, kur diferencat arrinin edhe 150 apo 200 vota. Kështu, në Qendrën 1841, Basha ka marrë 307 vota, ndërsa rivali i tij, Edi Rama, ka marrë 301 vota. Gjithashtu, në Qendrën 1850/1, Basha ka fituar 45 vota më shumë se Rama. Në këtë zonë kanë votuar 34 500 zgjedhës dhe në kutinë e votimit janë gjetur 34 532 vota.
Rezultatet për çdo njësi bashkiake
Njësia Bashkiake Nr. 1
Edi Rama 9704 vota
Lulzim Basha 9275 vota
Hysni Milloshi 109 vota
Edi Rama ka marrë 429 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 2
Edi Rama 15 826 vota
Lulzim Basha 16 097 vota
Hysni Milloshi 171 vota
Lulzim Basha ka marrë 271 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 3
Edi Rama 8939 vota
Lulzim Basha 8471 vota
Hysni Milloshi 86 vota
Edi Rama ka marrë 468 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 4
Edi Rama 10 864 vota
Lulzim Basha 11 018 vota
Hysni Milloshi 171 vota
Lulzim Basha ka marrë 154 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 5
Edi Rama 19 154 vota
Lulzim Basha 14 491 vota
Hysni Milloshi 149 vota
Edi Rama ka marrë 4663 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 6
Edi Rama 11 606 vota
Lulzim Basha 11 006 vota
Hysni Milloshi 145 vota
Edi Rama ka marrë 600 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 7
Edi Rama 13 795 vota
Lulzim Basha 13 346 vota
Hysni Milloshi 111 vota
Edi Rama ka marrë 449 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 8
Edi Rama 6996 vota
Lulzim Basha 9389 vota
Hysni Milloshi 70 vota
Lulzim Basha ka marrë 2393 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 9
Edi Rama 11 390 vota
Lulzim Basha 12 049 vota
Hysni Milloshi 137 vota
Lulzim Basha ka marrë 659 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 10
Edi Rama 5702 vota
Lulzim Basha 6226 vota
Hysni Milloshi 61 vota
Lulzim Basha ka marrë 524 vota më shumë
Njësia Bashkiake Nr. 11
Edi Rama 10729 vota
Lulzim Basha 13418 vota
Hysni Milloshi 184 vota
Lulzim Basha ka marrë 2689 vota më shumë
Rezultati përfundimtar sipas KQZ
Edi Rama 124 705 vota
Lulzim Basha 124 786 vota
Hysni Milloshi 1394 vota
Lulzim Basha ka marrë 81 vota më shumë
ADI SHKEMBI