Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në orën 12:00 mbledhjen për të vendosur mbi fatin e mandatit të deputetëve Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi.


Në mbledhje mungon deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, i cili përfaqësohet nga avokatët Th. Sollaku dhe E.Dono. E kundërta ndodh me deputetin e LSI, Gledion Rehovica, i cili është i pranishëm në mbledhje.


Për të dy deputetët është kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që ti hiqet mandati, pasi rezultojnë të jenë subjekte që preken nga ligji i Dekriminalizmit.


Në formularin e vetëdeklarimit Rakipi dhe Rehovica nuk kanë shënuar ndjekjen penale në shtetin italian për akuzën e vjedhjes dhe përdorimin e gjeneraliteteve të ndryshme nga aktualet.


Ata janë kallëzuar edhe penalisht nga Drejtoria e Dekriminalizimit pasi kanë falsifikuar të dhënat e paraqitura në formularin e vetëdeklarimit.


Në mbledhjen që po zhvillohet aktualisht, KQZ ka vendosur që ti kthejë Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën për heqje mandatit të deputetit të LSI-së, Gledion Rehovica dhe atij të PDIU-së, Aqif Rakipi.


Vendimi për Rehovicën u mor pas votimit për një propozimi të anëtarit të LSI-së në KQZ, Gëzim Veleshnja, ndërsa ai për Rakipin pas kërkesës së avokatit të tij, Theodhori Sollaku.


Veleshnja dhe Sollaku argumentuan se ka paqartësi për bazën materiale dhe provat që ka paraqitur prokurorja Rovena Gashi.


Propozimet morën votat pro nga anëtarët Edlira Jorgaqi, Denar Biba, Gëzim Veleshnja dhe Bledar Skënderi, ndërsa kundër votoi kreu i KQZ-së, Klement Zguri dhe përfaqësuesja e PD-së, Vera Shtjefni.


Çfarë kuptojmë me termin raportim policor tek Gledion Rehovica? A ka në shtetin italian një ndjekje penale të nisur, një gjyq të nisur e përfunduar për vjedhje dyqani? Të na sqarojë prokurorja lidhur me paragrafin e fundit të faqes 8, kush janë autoritetet e drejtësisë italiane dhe çfarë informacionesh kanë sjellë ato që kanë detyruar organin e akuzës që të mbajë këtë qëndrim për deputetin Rehovica?, u shpreh Veleshnja.


Deputeti Rehovica u pyet në lidhje me prezencën e tij në një Komisariat në Romë rreth 20 vite më parë, për të cilën u përgjigj se nuk qëndron si konstatim.


Në atë periudhë kam qenë student, për shkenca politike në Romë. Me detaje nuk e kujtoj këtë moment, sepse po bën 20 vjet. Nuk kam pasur në asnjë moment arrestim, hetim apo çfarëdolloj mase tjetër në Itali, tha Rehovica.


Përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Ardian Visha akuzoi prokuroren Rovena Gashi që ka përpiluar kërkesën, se ka degraduar nga pikëpamja e cilësisë së karrierës. Ai gjithashtu shtoi se as në letrat e prokurorisë nuk thuhet se ka pasur një fillim të çështjes penale.


Nuk ka fshehur asgjë dhe nuk ka interes të fsheh asgjë. Ka dhënë me vullnet sapo i është kërkuar gjurmët e gishtërinjve, deklaroi Visha. Ai nënvizoi se është e drejtë e tyre që të sjellin provat respektove lidhur me çështjen.


Ndërkohë Theodhori Sollaku, avokati i deputetit Aqif Rakipi argumentoi në fjalën e tij se KQZ nuk duhet të ishte mbledhur për këtë çështje, pasi nuk duhet të bëhet noter i atyre që shkruan Prokuroria e Përgjithshme.


Ju duhet të kërkonit plotësim të argumenteve ligjorë. Argument më i fortë është se ky është vendim i një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, pa certifikimin e kreut të organit të akuzës. Kemi kërkesa të tjera lidhur me plotshmërinë e dosjes. KQZ ti kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme se cila nga pikat e nenit 2 prek deputetin Aqif Rakipi. Nëse prokuroria ka fakte, duhet ti paraqes për të treguar se ku e mbështesin kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit, tha Sollaku.


KQZ vendosi ditën e premte, datën 5 dhjetor si afatin e fundit ligjor që KQZ-së i duhet për ta pasur vendimin përkatës për deputetin Rehovica nga Prokuroria.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)