Materialet e vyera fotografike të arkivit tonë i lënë vendin njëra pas tjetrës shumë imazheve, ku janë fiksuar ngjarje historike, figura personalitetesh, godina, rrugë. Kureshtari, duke parë me vëmendje këtë mori dokumentesh fotografike, rastësisht ndalet dhe sheh me kujdes një fotografi, e cila nga pas ka të shënuar me kaligrafi të bukur datën 25 mars 1914 dhe mban një vulë që me pak vështirësi dallohet se mban të shkruara fjalët "Chr. P. Soulides"...





Përqendrohemi në Korçën e viteve ‘60 të shekullit XIX, kohë kur kishin hedhur bazë të shëndoshë veprimtaritë në shërbim të gjuhës kombëtare, hapjes së shkollave shqipe dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Rezultat i këtyre përpjekjeve, duke nisur nga veprimtaritë e kolonisë së shqiptarëve të Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë e deri të Egjiptit, ishte hapja e së parës shkollë kombëtare shqipe më 1887, fryt i ndërmjetësimit diplomatik të rilindësve tanë pranë Portës së Lartë. Në Korçë, kjo veprimtari kishte marrë erë zhvillimi dhe organizimi të mirëfilltë që në vitin 1885, kur Jovan Kosturi mblodhi nën kryesimin e tij veteranët Thimi Marko, Orhan Pojani, Alo bej Dishnica, etj., dhe formuan në këtë qytet shoqërinë, e cila ditë më ditë mëkoi hapjen e "lules" së parë të arsimit tonë kombëtar. Pjesë e këtij mendimi e veprimi patriotik, pa mënuar u bënë dhe anëtarë të familjes Ballamaçi, të cilët qysh pas zbritjes prej fshatit Plasë në Korçë, iu përveshën punëve me karakter të theksuar kombëtar. Të veshur me jakën priftërore, kishën vllahe të qytetit, Llambro, vëllai i tij Sotiri, si dhe Anastas Ballamaçi, nga të parët piktorë ikonografë në vendin tonë, e kthyen në një folezë kombëtare, ku filloi të mësohej e të ligjërohej shqipja, përmes botimeve të shoqërisë së shqiptarëve të Stambollit dhe të Bukureshtit. Papa Llambro Ballamaçi, si një prej figurave kryesore nga ku merrte vrull dhe zhvillohej veprimi patriotik në qytetin e Korçës, mbante lidhje me letërkëmbim me vëllezërit Frashëri: Naimin, Samiun, Tahsinin dhe Mehmetin. Këto letra, te të cilat parashtroheshin probleme, ide dhe zgjidhje të shumë ngërçeve që i shfaqeshin lëvizjes sonë kombëtare, jo vetëm në Korçë, por në gjithë kolonitë e shqiptarëve nëpër botë, deri para disa kohësh ndodheshin në shtëpinë e martirit papa Llambro, për të përfunduar sot kushedi se ku, në ndonjë sënduk, të cilit i bën shoqëri vetëm era e mykut. Veprat e tij të para, Naimi nuk përtoi që t‘i dërgonte në Korçën e papa Llambros me nga një shënim përsipër - dedikim për këtë të fundit.



Veprimtarinë e tij patriotike papa Llambro e shtriu në të gjithë hapësirat ku e shihte se mund të kishte rezultat pozitiv lëvizja për çlirim kombëtar. Në shkollën vllahe që ai kishte hapur më 1883, u mësonte nxënësve edhe gjuhën shqipe, me abetaret e Veqilharxhit, Kristoforidhit dhe librat e leximit të Gurakuqit. Si në vitin e parë, ashtu edhe në të dytin, kur Mësonjëtorja shqipe e Korçës kishte nevojë për nxënës të shqipes, mes furtunave gjakatare të krijuara nga fanari i Stambollit dhe grekomanët, papa Llambro mori përsipër të gjitha kostot dhe prej shkollës së tij regjistroi emrat e nxënësve te Mësonjëtorja e drejtuar prej Pandeli Sotirit, me qëllim që të mos humbte funksioni i këtij monumenti të kulturës dhe gjuhës shqipe jo vetëm në atë qytet, por dhe më gjerë.



Në vitin 1890, prifti vllah papa Llambro udhëtoi në kryeqendrën e të "sëmurit të Bosforit", në Stambollin e famshëm. Aty u takua me vëllezërit Frashëri, me Murad Toptanin, ku shtroi problemin e pajisjes me abetare dhe tekste mësimore të shkollës shqipe të Korçës, si dhe kërkoi kontakte më të shpeshta me anëtarët që punonin "mëmëdhetarisht" nëpër kolonitë e shqiptarëve të Egjiptit, Rumanisë. Për këtë qëllim, ai udhëtoi më 1895 në kryeqytetin rumun, aty ku më 1884 u themelua shoqëria e parë e shqiptarëve të atjeshëm - baza e një kolonie të tërë që zhvilloi vite më vonë një veprimtari të dendur e të bollshme në favor të çështjes kombëtare shqiptare.



I kthyer në atdhe në fillim të shekullit që lamë pas, veteranin papa Llambro Ballamaçi do ta prisnin të tjera përplasje me qeverinë turke dhe me korofilakët grekë. Në vitin 1900, prifti bashkë me të vëllain merr komunikimin nga qeveria se, për arsye të propagandës së tij pro shqiptare dhe mësimit të shqipes në ambientet e kishës vllahe, do të internohet dhe burgoset. I gjendur para një rreziku të tillë dhe i këshilluar prej atdhetarëve korçarë, por edhe nga ata të kolonive, papa Llambro Ballamaçi largohet nga atdheu dhe shkon për të dytën herë në Stamboll.



Pas rreth më pak se një dekadë, Ballamaçët e arratisur kthehen në Korçë, ku vijuan punën e shkollës shqipe dhe përhapjes së idealit kombëtar. Në shtatorin e vitit 1908 Ballamaçi është një nga të parët anëtarë të shoqërisë patriotike "Përparimi", të themeluar në Korçë atë kohë. Shërbëtorët e "Megali Idhesë" iu vunë pas përsëri fatosit të lirisë dhe më 1912, me anë të një atentati, tentuan ta eliminonin priftin vllah papa Llambro, i cili fatmirësisht shpëtoi nga kurthi. Dukej qartë se ditët e jetës së veteranit kombëtar po fillonin të numëroheshin mbrapsht. Aktiviteti i fundit patriotik që mori pjesë ishte mitingu i shkronjave më 14 shkurt 1914 në kodrën e Shëndëllisë, ku shkoi bashkë me nxënësit e shkollës së tij. Miq të tij i ranë pas rrezikut që i kanosej dhe i propozuan Ballamaçit që ta ruanin, por ai nuk pranoi, duke bërë gabimin fatal të jetës së tij, gabim i cili nuk mënoi të sillte natën në të gdhirë të datës 25 mars. Bëhet fjalë për vitin 1914...



Në të gdhirë të asaj dite të zezë, andartë grekë dhe obskurantistë turq - të cilët nuk ndaheshin dot pa thithur gjak shqiptari, si shushunja që në vend të zemrës kanë mukoza helmi - trokitën në portën e familjes së madhe Ballamaçi dhe me t‘u hapur ajo, ata tërhoqën zvarrë veteranin 64-vjeçar e bashkë me të dhe vëllain e tij, Sotirin. Pastaj, nën shoqërinë e dhembjeve që bajonetat e pushkëve të atyre të pamëshirshmëve i jepnin trupit të dy vëllezërve, shkuan në bregun e kishës së Shën Ilisë (Shëndëlli). Këtu Ballamaçët i priste një torturë tjetër e aplikuar prej barbarëve. Duke mos njohur ndjenja njerëzore dhe dhembje fizike, korofilakët u shkulën me dorë vëllezërve në mënyrë çnjerëzore mjekrën priftërore, veprim ky që nuk lë në harrim "bredhjen" nëpër trupin e dy fatosave shqiptarë të bajonetave. Kompleksit të këtyre dhembjeve çnjerëzore iu dha fund me plumb, plumba tradhtie këta që shpuan tej për tej trupat e Llambro e Sotir Ballamaçit.



...dhe pastaj, ashtu të prerë, të sakatuar e të shpërfytyruar u lanë aty, në bregun e Shëndëllisë. E dielli që doli atë mëngjes ndriti atë copë fushe, që një natë më parë u vadit nga gjaku i dy shqiptarëve.



Njerëzit e shtëpisë, më pas, panë se nga sirtari i tavolinës së punës së papa Llambros ishin marrë paratë dhe në vend të tyre ishte lënë një fotografi e peshkopit grek Fotit, fakt ky që dëshmonte qartë se nga cilët elementë ishte organizuar kjo dramë makabre.



Copë-copë, siç ishin, familjarët dhe patriotët i sollën në oborrin e shtëpisë së tyre, ku u bënë përshpirtjet e fundit dhe ku anëtarë të familjes nuk po e kuptonin se çfarë kishte ngjarë atë mëngjes marsi. Në këtë ceremoni ishin pjesëmarrës edhe Themistokli Gërmenji, Vasil Tromara dhe Pandeli Cale, nga veprimtarët kryesorë të lëvizjes kombëtare në Korçë dhe në kolonitë e shqiptarëve jashtë atdheut.



Mes shumë njerëzve, që merrnin pjesë të hidhëruar në këtë gjëmë dhe fatkeqësi kombëtare, ishte dhe fotografi patriot Kristo Sulidhi, i cili momentin e fundit, para se trupat e pajetë të papa Llambro Ballamaçit e vëllait të tij Sotirit të dinin nga oborri i shtëpisë e të përcilleshin nën dhè, shkrepi aparatin fotografik, veprim ky që sjell edhe sot te ne atë gjendje të rëndë të krijuar më 25 mars 1914 në Korçë.



Fotografia përshkuan momentin e fundit e të dhimbshëm, kur familjarët dhe të pranishmit po ndahen nga martirët e çështjes shqipe. Në mes, në gjunjë është ulur një djalë i ri, biri i vetëm i papa Llambros, patrioti i shquar Nikuca Ballamaçi, veprimtari i dalluar i çetave kombëtare dhe anëtar i Këshillit të dalë prej Krahinës Autonome të Korçës më 1916. Shumë mbresëlënës janë pozicionet e të pranishmëve në fotografi, pothuaj të gjithë kanë në dorë nga një pushkë, imazh ky që tregon se lufta nuk ka mbaruar ende dhe se gjaku që derdhi papa Llambro me vëllain e tij duhet marrë shpejt prej atyre pushkëve, që ndoshta, a thua dhe në atë moment kur është kryer fotoja lëshonin erë barut dhe ishin të nxehta. Dora e birit të papa Llambros, që shtrëngon fort shaminë e lagur me lotët e zemrës është një detaj interesant që shpreh urrejtjen. Gratë të lënë përshtypjen se janë të nemitura dhe mesa duket nga helmi atyre u kanë humbur fjalët e vajet dhe u janë tharë lotët.



Pranë kokës së kufomave është ndezur nga një shandan dhe në trupin e tyre është vendosur nga një ikonë me përmasa familjare, si dhe një grup i lidhur shkopinjsh për të treguar lidhjen shpirtërore me të vrarët po ashtu dhe guximin e forcën që i karakterizon të pranishmit.



Fotografimi i ceremonive mortore, në atë kohë, ka qenë një rregull dhe pjesë e ritualit mortor. Fotografia e botuar këtu është një nga të rrallat për nga vlerat artistike dhe historike që mbart, duke u vlerësuar thjesht me fjalët "fotografi monumentale". Ajo është një nga fotografitë më të bukura në gjithë historinë e fotografisë shqiptare, duke pasur parasysh temën që trajton, kohën kur është bërë dhe momentin sesi kanë rastisur aty disa nga personazhet e shquar të jetës politike të vendit tonë.



Sot eshtrat e papa Llambro Ballamaçit prehen në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Korçës, në një kënd prej të cilit fare kollaj mund të shihet bregu i Shëndëllisë, aty ku 95 vjet më parë ngjau ajo dramë e rëndë...



Pasi pa mirë e mirë këtë fotografi kombëtare dhe u njoh me rëndësinë dhe përmbajtjen e saj, kureshtari vazhdon të shohë më poshtë dëshmi të tjera të kulturës dhe historisë së qytetit të tij, por gjithnjë duke ruajtur të freskët në analet e kujtesës së tij kronikën makabre të therjes së Ballamaçëve, atë mëngjes marsi të vitit 1914.





Sot, në atë lëndinë të Shëndëllisë, lulëzon bari i njomë, fara e të cilit është vaditur me gjakun e pastër të shqiptarit papa Llambro Ballamaçi që më 1914.