"Fabrika e çmontimit të municioneve në Gërdec nuk ishte një bazë ushtarake". Kryeministri Berisha është kujdesur ta theksojë disa herë një gjë të tillë, qysh në fillim të intervistës së tij në emisionin "Hard Talk" të BBC. Si shpjegohet që ju nuk kishit asnjë ide për Gërdecin? - e pyeti, disi me habi, më pas drejtuesja e emisionit. "Sepse si Kryeministër, ligji nuk më lejon të njihem me dislokimin e ushtrisë" - u përgjigj Berisha duke rënë hapur në kontradiktë me atë që sapo kish pohuar tri herë, pra se punishtja e Gërdecit nuk ishte një bazë ushtarake. Është një kundërthënie shumë diskredituese për një Kryeministër që po përpiqet të bindë opinionin publik, se nuk ka pasur asnjë dijeni për infrastrukturën e tërë asaj veprimtarie trafikimi që shkaktoi tragjedinë e paparë në fshatin Gërdec, disa pak kilometra larg kryeqytetit ku ndodhet edhe zyra e tij. Praktikisht, ai ka mashtruar publikisht (para gjithë botës) duke rënë në grackën e gënjeshtrës si një "pinokio" fëminor që nuk e ka mësuar ende se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Dhe po t‘i shtosh këtij infarkti logjik të "doktorit" edhe dokumentet e servirura së fundi nga opozita (që denoncojnë informimin prej kohësh të Kryeministrit mbi Gërdecin) si dhe zërat për përfshirjen edhe të të birit në këtë skandal, pozita e Berishës bëhet tepër e pashpresë. Fillimisht moralisht dhe më pas, edhe politikisht. Sepse nga qëndrimi ose jo nga Berisha në detyrën e Kryeministrit, varet nëse ideja e shtetit ligjor në Shqipëri do të ketë kuptim apo jo, nëse zyrtarët do jenë të barabartë para ligjit për veprimet dhe mosveprimet e tyre apo disa që qëndrojnë shumë lart si Berisha, do të jenë (sikundër thotë Oruelli) "më të barabartë" se të tjerët dhe nuk do t‘i nënshtrohen asnjë përgjegjësie, asnjë ligji, asnjë drejtësie? Qëndrimi i mëtejshëm i Berishës në postin e Kryeministrit është një sfidë për moralin e shtetit dhe paanshmërinë e prokurorisë, ligjit dhe drejtësisë. Shkurt, të mbash edhe më Berishën Kryeministër, do të thotë të nisësh të sakrifikosh shtetin për pushtetin.







***





"Jam i lumtur që ndodhem në programin tuaj" - ka thënë në fillim të intervistës së tij në studion e "Hard Talk" Kryeministri Sali Berisha. Por duket se nuk është larguar fort i lumtur prej andej. I befasuar nga intensiteti i pyetjeve përvëluese të gazetares, Kryeministri nuk ka mundur dot të ruajë koherencën e avokatisë për vetveten. Pyetjet therëse (aspak si ato të butat dhe të porositurat me të cilat është mësuar në studiot e Tiranës), e kanë detyruar të kalojë nga gënjeshtra në gënjeshtër për të rënë më në fund në gropën e një kontradikte të hapur logjike që do turpëronte edhe rrenacakun më të rëndomtë. Ka pasur shqetësim të madh që afera e Gërdecit të mos dalë si një trafik mafioz i realizuar brenda strukturave të ushtrisë. Sepse kjo do të ishte tepër diskredituese për të në momentin kur marrja e ftesës për në NATO duhej të qe rrjedhojë edhe e përsosjes së këtyre strukturave. Prandaj ka deklaruar që fabrika misterioze e Gërdecit nuk ka qenë një bazë ushtarake. Por ky shqetësim për "ushtrinë" duket ka rënë në konflikt me një shqetësim tjetër (pa dyshim edhe më të madh) të Berishës, atë për të shpëtuar pushtetin e vet. Në këtë konflikt shqetësimesh i ka shkarë goja dhe ka thënë për gënjeshtër një... të vërtetë. Ka thënë se si Kryeministër nuk i lejohej me ligj, të njihej me dislokimin e ushtrisë, pra dhe të bazave të saj ushtarake. Por meqenëse vetë Berisha ka pohuar gjithashtu se Gërdeci nuk ishte një bazë ushtarake, atëherë në një silogjizëm të thjeshtë, i bie që Berisha të ketë qenë i informuar për Gërdecin. I bie që Berisha ka gënjyer popullin shqiptar se nuk dinte gjë për Gërdecin. Ka gënjyer deputetët (përfaqësuesit e popullit në Parlament) se nuk dinte gjë për Gërdecin. Ka gënjyer edhe publikun ndërkombëtar (nëpërmjet deklarimeve në BBC) se nuk dinte gjë për Gërdecin. Tashmë e vërteta ka dalë lakuriq, sepse edhe gënjeshtra e Berishës ka dalë lakuriq. Dhe përveç turpit që Kryeministri i tyre gënjen botërisht, mbi shtetin dhe institucionet e tij, mbi prokurorinë, mbi tërë shqiptarët do të binte turpi i mosshikimit të së vërtetës edhe kur ajo hedh valle lakuriq para tyre në formën e një Kryeministri që gënjen.





***





Një verbim i tillë i opinionit dhe i institucioneve është i justifikueshëm vetëm nën diktaturë ku njerëzit dhe institucionet janë të lirë të shohin (si në përrallën e Andersenit Mbreti Lakuriq) vetëm atë që diktatori lejon të shikohet, të shohin rroba të mrekullueshme edhe aty ku ka vetëm një mbret lakuriq, të shohin "ndershmëri" aty ku ka vetëm korrupsion, "devocion publik" aty ku ka vetëm tradhti publike, patriotizëm aty ku ka vetëm tradhtim të interesave të vendit dhe shqiptarëve. Aq shumë tradhti sa foshnjat, fëmijët, pleqtë, burrat dhe gratë humbasin jetën dhe Kryeministri nuk mban përgjegjësi. Në çdo vend normal, edhe sikur e gjitha të ishte vetëm një aksident, vetëm fakti që ndodhi dhe 25 vetë humbën jetën, minimalisht do të shkohej në dorëheqjen e Kryeministrit. Askush nuk mund të jetë më shumë përgjegjës se Kryeministri për katastrofa të tilla. Si nuk ka turp ky politikan të përdorë dy standarde, të jetë i pari për të përvetësuar lavdinë dhe asnjëherë i gatshëm të pranojë përgjegjësinë për dështimin dhe katastrofat (piramidat, Gërdeci)? Si nuk i vjen zor të rendë për të përvetësuar edhe një lavdi që nuk i takon si në rastin e ftesës për në NATO, duke ia veshur vulgarisht meritat vetvetes? Isha unë i pari që kërkova anëtarësimin e Shqipërisë në NATO - tha në të njëjtën intervistë kur për sa i takon përgjegjësisë për katastrofën e Gërdecit, deklaroi - nuk dija gjë! Është merita ime!- kur është fjala për lavdinë dhe "nuk është faji im" kur është fjala për përgjegjësinë. Kjo ka qenë gjithnjë sjellja e Berishës në këto 18 vjet. Kujt i duhen këta liderë, këta "Enverë" që fryhen vetëm me lavdi dhe përgjegjësinë ua u ngarkojnë në shpinë të tjerëve, në rastin konkret, gjeneralëve, shefit të shtabit apo magazinierëve? Dhe nëse kjo maskaradë liderësh të paprekshëm do përsëritet edhe pas tragjedisë së Gërdecit, atëherë kjo do të thotë se autoritarizmi i pushtetit të Berishës është bërë aq i frikshëm për institucionet dhe njerëzit, i ka korruptuar dhe lodhur aq shumë sa ata nuk guxojnë të shikojnë atë që shihet qartë (e jo më ta thonë) se tashmë Berisha ka dalë lakuriq.