Në fjalimin e tij të inaugurimit si President, Barak Obama, duke iu referuar vlerave të vërteta që nxisin përparimin, theksoi: “Sfidat tona mund të jenë të reja. Mjetet që ne përdorim për t’i përballuar ato, gjithashtu, mund të jenë të reja. Por vlerat, nga të cilat varet suksesi ynë, puna dhe ndershmëria, kuraja dhe drejtësia, toleranca dhe kureshtja, besnikëria dhe patriotizmi, të gjitha këto kanë qenë gjithmonë me ne. Dhe këto janë të vërteta. Ato kanë qenë forcat që kanë nxitur përparimin tonë, gjatë gjithë historisë. Ajo që duhet bërë tani është kthimi te këto të vërteta”.


Sot, vetëm një javë pas mbajtjes së këtij fjalimi historik, në mbarë botën përkujtohet dita e Holokaustit. Më 27.01.1945, pra 64 vjet më parë, u çlirua “fabrika e vdekjes”, kampi nazist i Aushvicit, në Osvencim të Polonisë. Pikërisht ditën e çlirimit të Aushvicit, u bëhet homazh, mbi gjashtë milionë viktimave të pafajshme të një kombi të madh, që aq shumë i ka dhënë njerëzimit, siç është ai hebre, i vënë në shënjestër të njërës prej diktaturave më të egra që ka njohur historia njerëzore – nazizmit gjerman.


Në atë kohë të zezë, të mbushur me urrejtje e tmerr për hebrenjtë, u gjend një vend dhe një popull i vogël evropian, i cili, duke iu referuar pikërisht atyre vlerave dhe të vërtetave, për të cilat foli Presidenti Obama, megjithëse edhe vetë i pushtuar, diti të bëjë atë që asnjë nga popujt e tjerë evropianë nuk arriti ta bëjë – t’i thotë jo Holokaustit. Vatrat e shqiptarëve, që sipas traditës së tyre të lashtë, i takojnë Zotit dhe mikut, u kthyen në strehë të sigurt për mijëra hebrenj, që i ndiqte këmba-këmbës bisha naziste. Në mbrojtje u morën, jo vetëm hebrenjtë që i zuri lufta në Shqipëri, por edhe të gjithë ata që, për t’i shpëtuar genocidit shfarosës, mbi baza etnike, lanë vendet e mëparshme të banimit dhe iu drejtuan Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u kërkuar besë. Dhe nuk erdhën pak, po të kihen parasysh kushtet dhe mundësitë e Shqipërisë së atëhershme. Erdhën nga anë e kënd Evropës. Erdhën se kishin dëgjuar për besën shqiptare. Kishin dëgjuar se si ishin marrë në mbrojtje bashkëkombësit e tyre në Shqipëri. Erdhën se ishin të bindur se në këtë vend, kurrë, nuk do të priteshin në besë. Ata ranë në besën e shqiptarëve dhe shqiptarët, në nderin dhe fisnikërinë e kombit të vet, nuk e prishën besën me ta, nuk u bënë besëprerë. Përkundrazi, e mbajtën besën me një popull, me të cilin, jo vetëm nuk kishin fe as origjinë etnike të njëjtë, por nuk i bashkonte as gjeografia. Në të vërtetë, ishin vlerat e tyre ato që i frymëzuan shqiptarët për t’u ngritur mbi ndarjet fetare, etnike, gjeografike apo çdo lloj ndarjeje tjetër.


Besa, si dhe tradita shekullore e tolerancës fetare dhe ndëretnike, ishin midis atyre vlerave që bënë të mundur mrekullinë - asnjë hebre që u ndodh në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk përfundoi në “fabrikat e vdekjes”. Dhe fakti më kuptimplotë i mrekullisë shqiptare - në përfundim të kësaj lufte, Shqipëria kishte dhjetëfishin e hebrenjve të paraluftës.





Më 1 nëntor 2007, Yad Vashem, Autoriteti Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në Jerusalem, nderoi heroizmin shqiptar për shpëtimin e të gjithë hebrenjve në Shqipëri, me hapjen e ekspozitës “Besa: Një kod i nderit – shqiptarët, të cilët i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”. Rreth tre muaj më vonë, më 27 janar 2008, kjo ekspozitë u hap edhe në mjediset e pallatit të xhamtë (OKB), në Nju Jork.





Një miqësi pa komplekse





Lufta e Dytë Botërore, pa dyshim, përbën një ndër majat e miqësisë midis shqiptarëve dhe hebrenjve, por ajo nuk është një episod i shkëputur në marrëdhëniet e tyre. Janë mbi dy mijë vjet histori bashkekzistence dhe bashkëjetese, pa komplekse dhe mëri ndaj njëri-tjetrit.


Historia midis shqiptarëve dhe hebrenjve është një histori e miqësisë reciproke, e çliruar, respektivisht, nga ndjenjat e antisemitizmit dhe antishqiptarizmit. Ndryshe nuk shpjegohet fakti që në territorin shqiptar, në shekuj, janë ruajtur sinagogat hebreje; që aty gjendet varri i hebreut të njohur të mesjetës së vonë, Sabatai Zevi; që ylli i Davidit ka zënë vend në emblemën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, apo në mjediset e brendshme të xhamisë së vjetër të Tiranës; që një nga personalitetet më të shquara britanike të shek. XIX, Beniamin Dizraeli, hebre me origjinë, është autor i dramës “Shkëlqimi i Iskenderit”, i cili, me lutjen e tij “Zot, ruaje Mbretin! Zot, ruaje Iskenderin, Mbretin e Epirit!”, ngrihet mbi kakarisjet çmitizuese të liliputëve të sotëm shqiptarë; që albanologët e rrallë, Norbert Jokli dhe Milan Shuflaj, të dy hebrenj me origjinë, t’i kushtojnë jetën e tyre Shqipërisë dhe shqiptarëve; që disa nga figurat më të ndritura të artit e të kulturës shqiptare, janë me origjinë po nga ky komb i madh, të tilla si gjeniu i skenës, Aleksandër Moisiu, apo mjeshtri i pavdekshëm i përkthimit, Robert Shvarc, i cili bëri që të flasin shqip shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore. Nëse humanizmi shqiptar i viteve të Luftës së Dytë Botërore ngriti një majë në miqësinë e sinqertë midis shqiptarëve dhe hebrenjve, një majë tjetër e kësaj miqësie, u lartësua, në fundin e shekullit të kaluar, gjatë krizës së Kosovës. Që në vitin 1913, do të ishte një hebre, si Leo Freundlich, që dha alarmin për “Golgotën shqiptare”, duke denoncuar, si rrallëkush në atë kohë, genocidin e shfrenuar serb kundër shqiptarëve, që banonin si autoktonë në trojet e tyre, për realizimin e qëllimit historik të Beogradit - ndryshimin e strukturës etnike të këtyre territoreve, në favor të popullsisë sllave.


Rreth njëqind vjet më vonë, një plejadë e tërë personalitetesh të shquara amerikane, me origjine hebraike, të kalibrit të tillë si senatori Joseph Biden, aktualisht zëvendëspresident i SHBA-së, Sekretarja e Shtetit, M. Allbright, Sekretari i Mbrojtjes, W. Kohen, Komandanti i Forcave të NATO-s në Evropë, W. Clark, senatorët e njohur, E. Engel dhe T. Lantosh, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, J. Rubin etj., ishin në pararojë të aksionit që, tashmë, njihet si “ndërhyrja humanitare e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë”, për t’i thënë jo përsëritjes së “golgotës shqiptare”, aksion që, siç dihet, i dha fund, një herë e përgjithmonë sundimit serb në Kosovë dhe i hapi rrugën pavarësisë që ajo sot gëzon.


Gjatë eksodit biblik të pranverës së vitit 1999, Izraeli ishte ndër vendet e rralla në Lindjen e Mesme që strehoi refugjatë kosovarë. Ishte po shteti hebraik ai që, në ato ditë tragjike, improvizoi një spital në kampin e Stankovecit në Maqedoni, me një personel prej 75 vetash, që u erdhi në ndihmë shqiptarëve të traumatizuar nga dhuna e pamëshirshme shtetërore serbe. Pas çlirimit të Kosovës, rreth 42 organizata hebraike, nga SHBA-ja dhe Izraeli, kontribuuan në rindërtimin e shumë objekteve të shkatërruara nga lufta, përfshirë edhe rastin e rindërtimit të xhamisë së fshatit Shqiponjë. Hebrenjtë, të marrë në besë nga shqiptarët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk harruan. Në një ndër momentet më të vështira të historisë së shqiptarëve, ata nuk qëndruan indiferentë ndaj vuajtjeve të tyre, por u dolën krah, si vëllezër.


Shqiptarët janë të bindur që, edhe në të ardhmen, kombi i madh hebraik do të jetë në anën e tyre, ashtu siç janë të bindur që shteti i Izraelit, me siguri do ta njohë Kosovën e pavarur, akt ky që do t’i rrinte si kurorë miqësisë së sinqertë e tradicionale midis dy popujve tanë.





“Kosova-Jerusalemi serb” ose Holokausti i falsifikuar





Midis miteve të sajuara nga propaganda serbe mbi Kosovën është edhe ai që e konsideron atë si “Jerusalemin serb”. Thelbi i tij, sipas mitopoeistëve të Beogradit, veç të tjerash qëndron në gjoja ngjashmërinë e fateve të serbëve dhe të hebrenjve, të persekutuar nga armiqtë e tyre, të vjetër e të rinj. Sipas krijuesve të këtij miti, serbët janë hebrenjtë e Evropës, që gjoja historikisht kanë qenë viktima të genocidit të pandërprerë të shqiptarëve myslimanë fondamentalistë. Faktet historike që dëshmojnë se, gjatë shekujve, territoret shqiptare kanë ardhur duke u rrudhur, ndërkohë që territori i shtetit serb, përkundrazi, duke u zmadhuar në kurriz të shqiptarëve, për mitopoeistët serbë nuk kanë fare rëndësi. Akuzat e fundit të prokurorëve të Beogradit për “krimet” e shqiptarëve, përfshirë ato për tregti me organet e brendshme të civilëve të pafajshëm serbë, bëjnë pjesë në strategjinë aktuale të shtetit serb për demonizimin e kriminalizimin e shqiptarëve, me qëllim shkatërrimin e legjitimitetit moral të pavarësisë së Kosovës dhe paraqitjen e saj si një akt të paligjshëm, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.


Që ka ngjashmëri midis Kosovës dhe Jerusalemit, midis shqiptarëve dhe hebrenjve, siç e dëshmon vetë historia, kjo është e vërtetë. Por kjo ngjashmëri është krejt tjetër, nga ajo rreth të cilës ulërojnë “vukët serbë”. Ngjashmëria e tyre qëndron në faktin se të dy këta popuj janë viktima të së njëjtës ideologji dhe praktikë nazi-fashiste, të genocidit dhe spastrimit për shkak të origjinës etnike.


Kampet e përqendrimit dhe varret masive, në fund të shekullit të kaluar, në Kosovë, të kujtojnë teknikat dhe teknologjitë naziste kundër hebrenjve, në vitet më të errëta të historisë dhe të ndërgjegjes së njerëzimit, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishin pikërisht ato vite, kur Beogradi u deklarua si i pari qytet në Evropë, “Judenrein” (pa hebrenj), edhe falë angazhimit të qeverisë kuislinge serbe, të kryesuar nga gjenerali M. Nediç S. Millosheviçi ëndërronte të njëjtën gjë - të deklaronte Kosovën si një territor “Albanianrein” (pa shqiptarë), për të mbrojtur, sipas tij, Evropën e krishterë nga shqiptarët myslimanë fondamentalistë. Dihet që operacionin “Patkoi” nuk e planifikuan as nuk e ndërmorën “fondamentalistët shqiptarë”, por trupat ushtarako-policore të shtetit serb, për të bërë të mundur zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas. Ai ishte vazhdim i operacioneve të tjera famëkeqe serbe, të provuara në Bosnjë, që çuan në vdekjen e mbi dyqind mijë njerëzve, tetë mijë prej tyre, të masakruar, brenda një dite në Srebenicë. Është kjo arsyeja që, kohët e fundit, parlamenti evropian vendosi që të shpallë 11 korrikun si ditën e përkujtimit të genocidit të Srebrenicës.


Masakrat serbe kundër shqiptarëve në Reçak, Likoshan, Qirez, Prekaz, Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, anë e mbanë Kosovës, në vitet 1998-1999, që kulmuan me spastrimin etnik të shqiptarëve në pranverën e vitit 1999, janë pjesë e genocidit të planifikuar serb. Dita e Holokaustit, çdo 27 janar, na fton t’i kujtojmë dhe t’u bëjmë homazh viktimave të pafajshme të këtij genocidi.


Për fat të keq, autoritetet e Beogradit, deri tani, nuk kanë kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Në këtë kontekst, 27 janari përbën një ftesë, jo vetëm për t’i kujtuar e nderuar viktimat e genocidit , por edhe për t’i dënuar kriminelët, ata që i shkaktuan këto viktima. Vetëm kështu bëhet e mundur që, në të ardhmen, të mos kemi frikë nga përsëritja e holokaustëve të tjerë. Popujt e civilizuar dinë të falin dhe, kur gabojnë, edhe të kërkojnë falje. Modelet e kërkimit të faljes për serbët, të dhënë pas “teorisë së precedentit” nuk mungojnë. Mjafton pak vullnet politik për t’i zbatuar.


Historia e gjatë e miqësisë midis shqiptarëve dhe hebrenjve, për fat të keq, për rreth një gjysmë shekulli të diktaturës komuniste, mbeti në heshtje. Ishte koha e absurditetit, kur miqtë i shpallnim armiq dhe anasjelltas. Pas viteve ‘90, dolën botimet e para që hedhin dritë mbi unikalitetin e miqësisë midis këtyre dy popujve. Botimi këto ditë, nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike, i librit “Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike”, me autor diplomatin e ri kosovar, Haxhi Bajraktari, është një kontribut i ri në këtë fushë, që rri me dinjitet, krahas veprave të mëparshme të autorëve të njohur, Apostol Kotani dhe Harvey Sarner. Por ende mbetet shumë për të bërë. Sepse miqësia tradicionale që lidh këta dy popuj të vegjël në numër, por të mëdhenj e të pasur në histori e në vlera, nuk njihet sa e si duhet në botën e sotme, të përçarë nga ndarjet dhe të dobësuar nga kriza financiare globale.


Miqësia e tyre ngrihet mdi ndarjet, dallimet dhe urrejtjen. Shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, lidhën besë për t’i shpëtuar hebrenjtë nga murtaja e Holokaustit. Hebrenjtë, një popull që i takon besimit të judaizmit, u dalin zot shqiptarëve të Kosovës, në shumicën e tyre me besim myslimanë, në luftë kundër spastrimit etnik të ndërmarrë nga regjimi barbar i Millosheviçit.


Të dy këta popuj, nga fetë e tyre marrin atë çfarë i bashkon. Dhe e vërteta është se, në thelb, të tre besimet e Abrahamit, më shumë bashkohen sesa ndahen. Secili prej tyre predikon dashurinë, dhembshurinë, respektin, drejtësinë, tolerancën, vetëpërmbajtjen, pajtimin dhe faljen. Asnjëri nuk predikon ekstremizmin apo radikalizmin.


Dhe së fundi, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, si shqiptarët ashtu edhe hebrenjtë, dalin jashtë guaskës së solidaritetit kombëtar. Me miqësinë e tyre, të ndërtuar mbi vlerat e vërteta humane dhe të kalitur në provat e vështira, me të cilat nuk i kurseu historia, populli shqiptar dhe ai hebre janë gati të përballojnë sfidat e reja të shek. XXI.





*Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike