FADIL LEPAJA


Kur ai del në skenë, skena gjallërohet! Ngjarja merr karakter dramatik. Qoftë me karrige, qoftë me petulla, kur përmendet GG-ja, ngjarja vetvetiu bëhet interesante. Gazetarët vdesin pas tij. Ai njihet si njeri që flet pa rrotlla, nxjerr fakte dhe nuk e përton edhe rrezikun për të dëshmuar fjalët e veta. Madje fjala rrezik mund të merret edhe si mbiemri i tij i dytë. Në një fotografi të publikuar këto ditë në media, ai me pamje tejet serioze shihet duke e futur një revole në brez. Kjo foto i ka mbushur faqet e gazetave, megjithëse askush nuk e dallon dot nëse revolja është plastike apo ajo tjetra.


Ka edhe shumë të tjerë, të cilët e kanë sfiduar shtetin, por shteti i ka kundërgoditur. Njësitet speciale e kryejnë punën shpejt. Por GG-ja i del karshi shtetit. I del përpara edhe Kushtetutës. E ka kuptuar se shteti ynë udhëhiqet me familje dhe se Kushtetuta shërben për ti mbrojtur oligarkët nga qytetarët dhe jo e kundërta. Ai i doli shtetit karshi me familje dhe me kanun. I ka kapur.


Shteti, në vend se të zemërohet, çohet e shkon tek ai. Në odë. Shteti ynë ulet këmbëkryq në odë dhe arsyetohet. Shteti ynë i fuqishëm, i cili vjet i rrihte me çizme protestuesit paqësorë në sheshet e kryeqytetit, apo në Merdare. Shteti ynë i fuqishëm, i cili nëpërkëmbet me dhjetëra herë në çdo bashkësi lokale të veriut. E ai, nuk e bën hesap shtetin. Ai i njihte ata para se të bëheshin shtet. Atëherë, ata ishin veç dajë e nip, miq e dhëndurë, shokë e vëllazëri. Tash, të veshur me petk shtetëror i trokitën në derë të odës, Gani Gecit, por ai nuk ua hapi derën. Deshtën të rrëfehen.


Shteti filloi me trokitë me radhë nëpër oda, derisa ia çelën një derë. Hajde bujrum, shtet! Shteti hyri, me kollare, dhe u ul këmbëkryq në krye të vendit. Tek oxhaku.


Kështu në terren neutral filluan negociatat GG Shteti i Kosovës. Pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Kështu GG-ja ulet dhe u mban ligjëratë për petulla. E shteti ynë i do petullat. Vdes për to!


GG-ja edhe kryeministri i Kosovës u takuan, pra, në një odë të Drenicës dhe biseduan për (para)politikë edhe për petulla. Shteti nuk e pranoi krimin, por e pranoi se i ka fshehur dorasit. Edhe ky është krim, por më i vogël.


Pra, petullat? Po, si hynë petullat në këtë rrëfim do pyesni ju, për shkak të seriozitetit të situatës?!


GG-ja, pas këmbëkryqit, e tha për media një fjali shumë mbresëlënëse, e cila njëherit flet shumë për ngjashmëritë në mes të SHBA dhe Kosovës. Aty, për herë të parë ndër ne përmenden petullat në kontekst politik dhe të sigurisë.


Mos e prit armikun me petulla, kur të hyn në oborr!. Kështu thonë amerikanët, tha GG-ja. As mos e diskutoni!


Pra, ka mbetur vend për petulla, sepse kësaj radhe, askush askujt nuk i kishte hyrë në oborr. Krejt ngjarja që u parapriu negociatave u zhvillua në shesh. E sheshi i qytetit të Skenderajt është i të gjithëve edhe pse disa e konsiderojnë si më të vetin. Këta, po festonin zhurmshëm pas një mitingu parazgjedhor.


Militantët e ngacmuan me fjalë GG-në, e ai i ndoqi me revole. Me revole të plastikës, po thotë. Pastaj u kuptua se ai i kishte dy revole me vete. Nëse tuten… atëherë veç me plastikë. Nëse jo… Por, u tutën.


Deklarata pas takimit i lehtësoi qytetarët e këtij vendi dhe ata iu kthyen aktiviteteve të tyre të përditshme, si fushata për shembull. Por, pasojat e këtij takimi do të hetohen pastaj. Ato janë institucionale.


Kjo ngjarje e ka instaluar në sistemin tonë një institucion më tepër: atë të odës. Atë të këmbëkryqit. Edhe një akt normativ, mbi Kushtetutën. Kanunin.


Por, Institucionin e odës luteni të mos e ngatërroni me teatrin Oda! Edhe pse teatri alternativ tashmë ka karakter (ndër)kombëtar. Artistët performojnë lakuriq. Si në politikë. Pra, krejt kjo është po ashtu një teatër. Jetojmë në shoqëri të spektaklit, ku asgjë nuk ndodh në realitet, e qytetarët ngopen me seriale dhe afera.


Vendi është në krizë. Shteti nuk e respekton Kushtetutën. As institucionet. Ata nuk po kryejnë, më, punë. Falë Zotit që e kemi ruajtur odën tradicionale! Sepse, kësaj radhe pikërisht oda e shpëtoi shtetin e brishtë të Kosovës. Se shteti janë ata. Nëse biem ne, bie edhe shteti, ky është slogani i heshtur që kërcënon në prapavijë. Por, ta lëmë rrezikun, se populli nuk i do rreziqet. Të kthehemi te petullat!


Kështu, në vend të rezymesë, roli i petullave për stabilitetin politik të vendit është i madh. Roli i tyre ishte edhe historik. Kur dikush të shan, ti thjesht ia dërgon një pjatë me petulla. Është simbolike. Ai e kupton që ka bërë keq. Po e hëngri një petull, nuk e përsërit më. Por, nëse të hyn në oborr, nuk ka petulla. Kështu bëjnë amerikanët, e kështu do bëjmë edhe ne.


Hajt, merreni nga një petull! Me Serbinë, kjo metodë nuk pat bërë punë. Po të bënte, krejt puna do kryhej me një pjatë me petulla. Kështu puna mori tatëpjetën: ne me petulla e ata me plumba.


Fuqia magjike e petullave kishte rënë! Kur e kuptuam këtë, edhe ne ia kthyem me plumba. Pastaj puna erdh duke u trashur dhe ata filluan të na sulmojnë me tanke. Ne tanke nuk kishim, por petulla po. Ha petulla dhe ik, kjo u bë strategjia jonë gjeniale. Kur ata lodheshin, ne ia fusnim një guerileje të shpejtë. Pastaj përmes telefonave satelitorë njoftonim opinionin vendor dhe ndërkombëtar për përleshjet e ashpra. Ah petullat!


Dikur edhe bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se politika e petullave ka marrë fund. Filluan të përdoren edhe aeroplanët. Pastaj filluan bombardimet e NATO-s dhe ne me gjithë petulla ikëm jashtë, kush në Kukës e kush në Stankovec, ndërkohë që ushtria dhe policia serbe po bënte kërdinë ndër civilë. GG-ja, i cili asokohe rrinte në Llaushë, nuk pështillej me shtetin nëpër konferenca. Madje ai dhe disa të tjerë thonë se në atë tollovi nuk dihej kush kujt po i jepte petulla. As plumba!


Koniunktura e ngritur për të shpallur pavarësinë, po shpërbëhet. Baraspesha ka lëviz vetvetiu sikur kodrat përreth Kaçanikut, dikur. Gojëkëqijtë flisnin se dikush u kishte vënë eksploziv, kodrave. Por, shteti nuk zbuloi asgjë. Tash, dikush po kërkon që edhe EULEX-i të shkojë në shpi. Pra, në Europë! Hajtni ju se ne vijmë pas disa vitesh, po thonë! GG-ja ja qet shtetit një cigare. Dheze shtet, se në odat tona nuk vlen ligji i duhanit! Shteti, këmbëkryq, përplot gajle e dredh cigaren prej kutisë dhe… rrëfehet.


Tym! Shumë, shumë tym!


Ky shkrim KUR SHTETI ULET KËMBËKRYQ! u publikua me pare te Gazeta SHQIP.