• Puna në repartin e shkrirjes së uzinës turke "KURUM" në Elbasan do të rifillojë vetëm kur në këtë repart të jenë siguruar plotësisht kushtet për mbrojtjen e jetës së punëtorëve.

 Këtë bën me dije Inspektorati Shtetëror i Punës. Drejtori i kësaj strukture, Thoma Miço, pohoi se, në fund të muajit shkurt "KURUM" kërkoi lejen për rinisjen e punës, por nga inspektimet e kryera  u evidentuan mangësi në kushtet e punës së punëtorëve. "ISHP-ja nuk u ndal vetëm në parametrat e sigurisë në furrën e riparuar, por në vlerësimin total të të gjithë veprimtarisë dhe problemeve që ka pasur uzina e çelikut në Elbasan", tha Miço. Reparti i shkrirjes së çelikut u mbyll më 14 janar të këtij viti, kur në një nga furrat e tij ndodhi një shpërthim, me pasojë vdekjen e dy punëtorëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve.