Shpërthimet kanë qenë pranë ose brenda zonës ku ndodhen pallati presidencial i Afganistanit, ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Britanisë, një bazë ushtarake amerikane dhe disa zyra të SHBA-së e të NATO-s.

Një zëdhënës i talebanëve në Afganistan ka thënë se grupi i tij, në bashkëpunim me grupet e tjera militante, qëndron pas sulmeve të koordinuara.

Zëdhënësi ka thënë se ambasadat e Britanisë dhe Gjermanisë, si dhe zyrat e NATO-s, kanë qenë shënjestrat kryesore, sipas BBC-së.

Në anën tjetër të qytetit është raportuar për sulme edhe ndaj ndërtesës së Parlamentit afgan.

Luftimet në Kabul thuhet se po vazhdojnë ende, ndërsa nuk ka raporte për viktima.

Talebanët po ashtu kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në qytetet Xhalalabad dhe Gardez.

Në Xhalalabad, disa persona raportohet të jenë plagosur, kur dy sulmues vetëvrasës kanë shpërthyer eksplozivët e tyre jashtë aeroportit të qytetit.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-04-15 16:10