Ngjarja e Bularatit ka prodhuar një valë zhvillimesh të reja gjatë pasdites, kryesisht në Athinë.


Kështu, ambasadorja e Shqipërisë në Greqi është thirrur pasditen e kësaj të hëne në Ministrinë e Punëve të Jashtme helene për të dhënë shpjegime në lidhje me vrasjen e Kostandinos Kaçifas.


Ambasadorja Ardiana Hobdari, pas daljes nga Ministria e Jashtme greke, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për media, por ka marrë qëndrimin e palës greke për ta përcjellë atë në Tiranë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.


Ndërkohë korrespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe, i cili po ndjek zhvillimet e fundit në shtetin fqinj pas ngjarjes së Bularatit, bën të ditur se Kaçifas, i vrarë një ditë më parë pasi qëlloi me armë në drejtim të policisë shqiptare, nuk ka qenë i panjohur nga policia greke.


Rezulton se 35-vjeçari ishte ndaluar nga policia greke në vitin 2009, si anëtar i një organizate kriminale të trafikut të narkotikeve. Në atë kohë, policia gjeti një sasi kanabisi në automjetin e tij dhe në shtëpi.


Po ashtu, raportohet se Kacifas ka edhe një dosje tjetër, ku është hetuar për përfshirjen e tij në grupime të ekstremit të djathtë. Megjithatë, ai vlerësohet nga autoritetet greke se nuk ka qenë ekstremist, por nacionalist.


Mësohet gjithashtu se 35-vjeçari nuk ka qenë anëtar i Agimit të Artë, por ka marrë pjesë në protestat e tyre dhe gradualisht është larguar nga kjo parti.


29 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)