TIRANE -  Gjovalin Kadeli i larguar nga Partia Socialiste dhe pjesë tashmë e Partisë Demokratike pretendon një vazhdim të karrierës së tij politike nën logon e kësaj partie. Në një intervistë për të përditshmen “Shqiptarja.com”, Kadeli ka shprehur kërkesën, por edhe domosdoshmërinë për të përfaqësuar qarkun e Lezhës në kryesinë e PD, organin më të lartë të saj. Qëndrimin e tij në PD e lidh shumë me vlerësimin që do të marri, pasi ai mendon se ka dhënë një kontribut të madh qoftë me votat në Parlament në krah të mazhorancës (PD) qoftë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Në bazë të vlerësimit në këtë parti, Kadeli do të vendosë edhe për vendimet e mëtejshme, të cilat në mënyrë jo të drejtpërdrejtë lë të kuptohet edhe ndonjë katapultim. Në një intervistë të gjatë, Kadeli ka folur edhe për marrëdhënien me Ramën, të cilin e ka cilësuar si njëri që nuk i përmbahet kontratës politike edhe me partnerët politik. 

 
 Procesi zgjedhor tashmë ka përfunduar. Situata është qetësuar. Qeveria e re është me pushime, po ashtu edhe opozita. Tashmë ju jeni deputet i opozitës në kampin blu, pasi ikët nga Partia Socialiste. Si ndiheni nën këtë logo? 

Së pari e ndjej veten të vlerësuar nga Partia Demokratike, nga ish kryeministri dhe ishkryetari i PD-së, Sali Berisha, për të cilën në bazë të një kontrate bashkëpunimi dhe me raportet që u krijuan në seancat e fundit parlamentare të sesionit që mbaroi unë u rreshtova në krahun e PD-së. Kjo ndodhi jo vetëm për egon time profesionale dhe morale, por siç e kam bërë të ditur në kohën e duhur, kryeministri i zgjedhur Edi Rama u tregua mosmirënjohës ndaj kontributit tim në PS-së dhe kjo më detyroi që të reshtohem në kampin blu. Por, gjithësesi ndihem i vlerësuar nga strukturat e PD-së por sidomos gjatë dhe pas procesit zgjedhor, që për të qenë realist kjo marrëdhënie ka qenë shumë efikase në qarkun e Lezhës. 

E patët vështirë të shkonit në Partinë Demokratike? U konsultuat paraprakisht me miqtë por edhe me elektoratin tuaj që ju ka mbështetur në Qarkun Lezhë?
Faktikisht unë kam patur një aktivitet të gjatë politike në Partinë Socialiste, aktivitet i cili ka krijuar raporte miqësore e politike me anetarësin dhe drejtuesve të ndryshme të PS-së, të cilën unë i kam drejtuar në Lëzhë me funksionin si kryetari i PS-së në qark. Falë këtij raporti u inkurajova në këtë sipërmarrje ku fale kësaj mbështetje u arrit ky rezultat në Lezhë. Elektorati i PS-së sigurisht që më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, ndaj e ndjej detyrë për t’i falenderuar dhe për t’ju thënë se do të punoj sa te kem fuqi për të respektuar vlerat dhe gjithë besimin që ata kanë treguar ndaj meje.

PD mori katër mandate, aq sa ka pasur edhe në 2009-ën. I keni prish punë Ramës?
Sa punë i ka prishur largimi im këtë mund ta thotë më mirë Rama dhe rezultati që u morë. Por unë kam qenë kandidat i PD së dhe kam punuar me gjithe forcën time për fitoren e PD-së në këtë qark gjë që u arrit më së miri. PD-ja mori katër mandate. Ajo që ndodhi në favour të PD-së ishte se PS-ja mori dy mandate nga tre që ka marrë në 2009, pasi një mandat e mori LSI-ja. Lezha është qarku i barabartë me Kuksin ku ruajti kourumin e të gjitha asaj katrahurë zgjedhjesh që ndodhi në gjithë Shqipërinë. Lezha ruajti mandatet e vjetra. Kjo do të thotë që njerëzit kanë vlerësuar punën dhe atë çfarë Berisha bëri, sidomos në mandatin e dytë të qeverisjes. Lezha me marrjen e katër mendateve tregoi nivelin e duhur, duke qenë në krye të këtij procesi zoti Bumçi që është kryetari i Partisë Demokratike për qarkun Tiranë. Një njëri i përsosour dhe me integritet profesional dhe moral. Nuk do të lija pa përmendur dhe kandidaturat që ishin përzgjedhur për të kandidatuar në këtë qark. Si vlerat e spikatura të doktoreshës Albina Gjoci, e cila vjen nga shtresa e të persekutuarve; sportistin dhe trajnerin i Kombëtares Shqiptare z.Vasil Bicaj. Ndërsa mandati i katërt ishte dhe falë punës së nënkryetarit të Qarku Lezhë z. Mehill Fufi që ishte edhe i pestë në listën e kandidatëve për deputet.

Ikët nga opozita dhe ngelët në opozitë. Si do i realizoni premtimet?
Kjo është një pyetje që t’ju them të drejtën unë e shoh të vështirë përgjigjen, por do t’u them me krenari se ‘njëriu më mirë në opozitë me dinjitet’ se ‘në qeveri pa dinjitet’. Unë di t’ju them se ata njerëz që mua më kanë votuar, ata besojnë tek unë, tek integriteti im, tek përkushtimi im ndaj banorëve të zonës dhe votuesve të mi, të cilët gjej rastin ti falenderoj. Opozita nuk do të jetë e gjatë, sigurisht që do të ketë rotacion.

Në opozitë ishe pa kryetar, prap në opozitë pa kryetar. Si e shikoni mungesën e Bashës në Parlament?
Zoti Basha do të jetë në lartësinë e kryerjes së detyrës si në postin e kryetarit të bashkisë edhe në postin e ri, si kryetar i PD-së. Pra nuk besoj se do të ndihet mungesa e tij duke mos qenë në parlament. Kryetari i përjetshëm Sali Berisha, i cili është në parlament sigurisht që do të bëjë një opozitë dinjitoze. Është njeriu i cili nuk ndalet para asnjgjëje. Pastaj, ashtu siç edhe ai e ka thënë do të jetë në shërbim të qytetarëve të këtij vendi. Ai do të jetë 18 orë përballë Edi Ramës në Kuvend ose jashtë tij.
 
Domethënë ju po thoni se Berisha i duhet akoma Parlamentit tonë? 
Berisha i duhet jo vetëm Parlamentit por i duhet edhe gjithë Shqipërisë. 

E keni sharë Berishën?
Kam kritikuar qeverinë për mosrealizimin e premtimeve për qarkun e Lezhës. Por Berishën nuk e kam sharë kurrë pasi nuk është në natyrën time.

Do e keni si synim përfaqësimin tuaj në kryesi, meqë jeni më afër ‘realitetit’?
Kur përfshihesh në politikë një nga opsionet ose ndonjë nga kërkesat e domosdoshme individuale është vazhdimi i karrierës politike. Pra hapat e njëpasnjëshme për tu ngjitur në lartësinë e duhur të përfaqësimit. Të them të drejtën pavarësisht ardhjes time në Partinë Demokratike vetëm para 5 muajve, ambicia është për këdo që është në politikë, dhe unë atë kam si synim përfaqësimin e denjë. Lezha duhet të ketë përfaqëuesin e vet në kryesi. Kjo edhe për të riorganizuar PD në të gjithë qarkun pasi sfidat janë të mëdha në të ardhmen. Lezha duhet dhe do të ketë përfaqësues. Dhe duhet të jetë në vëmendje të zotit Basha, Berishës apo kushdo që do të drejtoj këtë proces. 

Por nëse nuk ndodh kjo kërkesë që ju parashtroni për herë të parë, kush do të jetë marrdhënia që do të keni me PD-në në vazhdimësi?
Kjo së pari është ambicie dhe jo kërkesë. Marrëdhëniet në politikë nuk janë gjithmon stabile. Janë marrëdhënie që ndryshojnë. Ndryshojnë për shkak të rrethanave. Unë mendoj se do të vlerësohem deri në ato nivele. Por alternativat janë të hapura, bisedat janë të hapura. Gjithësesi për përfaqësimin në kryesi nuk do të them se duhet të jetë gjithë Shqipëria, po të paktën një për qark është e domosdoshme që të jetë. Kështu që në bazë të vlerësimit do të marrë edhe unë vendimet e mija.

Folët për alternative, hapësira, vendime ... Do të thotë që mund të ndikoheni nga joshja, pra atje ku jeni më i vlerësuar. Psh PS-ja?
Nga Edi Rama joshjet nuk do të vlejnë. Pozicioni politik do të varet nga vlerësimi i punes time nga drejtuesit e Partisë Demokratike për zgjedhjet që kaluam. Marrëdhëniet e mija me PD-në nisi në Kuvend me votën time pro qeverisë dhe pro ndryshimeve në KQZ-ë. Që të gjitha këto kanë qenë ligjore dhe të nevojshme për mbarëvajtjen e situatës parazgjedhore dhe pas zgjedhore. Po kështu u vërtetua edhe largimi i anëtarëve të KQZ-së si një veprim që dëmtoi rëndë procesin dhe jam i bindur se për këtë Rama është penduar shumë. Megjithatë ai u mundua të marrë masa për një humbje të mundshme. Pra marrëdhënia ime ka qenë e këtij niveli që unë u vlerësova për të më kandidatuar nën siglën e PD-së, dhe për mandatin unë bëra punën time në fushatë me elektorain. Kështu që kjo tregon një farë dëshire time ose një kërkesë në jetën politike brenda PD-së dhe gjithmon në rast se vlerësohen realisht nga drejtuesit e partisë.

Meqë e kemi tek vlerësimi. Nëse në këtë mandat nuk do të vlerësoheni do rrini në PD dhe apo mund të transferohet ky mandat?
Un jam i ri në politikë, por kam patur kohën dhe përvojën e nevojshme për të menduar dhe vepruar si i vjetër pasi eksperiencat sidomos për qarkun e Lezhës janë të mëdha. Unë u largova nga Rama se më largoi. Erdha këtu se më vlerësuan.
 
Do shkosh tek Rama?
Nuk e mendoj kurrë për sa kohë të jetë ai në krye të PS-së.

Tek PR-ja?
Nuk mund të them asnjëgjë...

Tek PDIU-ja?
Thuhet se ‘Çam mund të mos lindësh por mund të bëhesh’ mendoj se është një shaka, por un jam pro demokristian...

Po tek LSI-ja?
Nuk mund të them asnjë lloj predispozicioni. Nëse unë vlerësohem në PD për kontributin tim në këto zgjedhje dhe për prespektivën do të thotë se jam komod brenda PD. Në të kundërt do të zgjedh.

Opozitë radikale apo racionale? Kush do të jetë qëndrimi juaj në Kuvendin e Shqipërisë?
Unë jam për opozitë racionale, pasi radikalizmin ka kush e bën në Partinë Demokratike. Jam i bindur se do ta bëjnë të tjerët pasi, përballë kanë një njëri radikal, siç është Edi Rama. Unë do të jem pjesë opozitës konstruktive. Do të bëj një opozitë që do i shërbejnë qarkut Lezhë.

Do dilni nga rreshti nëse duhet të votohet për investime në qarkun tuaj?
Unë votoj gjithçka që i shërben banorëve, votuesve, njerëzve të mij, për të cilat kam detyrim për aq kohë sa jemi në politikë. Kam votuar edhe më parë kundër rreshtimit, por në favor të zones apo trevës që përfaqësoj.

Kemi qeverinë e re, emra të rinj, njerëz të rinj edhe në moshë, si i vlerësoni në përgjithësi?
T’ju them të drejtën emrat e qeverisë janë emra të cilat nuk më kanë habitur, sepse njoh mënyrën dhe natyrën e Ramës në komunikim me njërëzit dhe në zbatimin e kontratës që ka me njërëzit. Këta janë një grup që do të drejtojnë vendin nesër që shpresoj ta drejtojnë mirë. Janë njerëz afër Ramës, por jo njerëz me kontribute. Përshembull unë do të doja të shikoja si ministër zotin Erjon Braçe. Një opozitar korrekt, një opozitar për të cilin jo vetëm unë, por kanë respekt pjesa e madhe e popullsisë së vendit për mënyrën se si i ngrinte problemet qeverisë së kaluar. Po të njëjtat fjalë kam edhe për Blushin. Si mund të konceptohet një qeveri pa zotin Blushi, për të vazhduar me emra të tjerë si Xhafaj, Majko etje,.

Berisha ka qenë i gjithanshëm në qeveri, pra ka marrë përsipër të folur mbi gjithçka. Në cilin komision parlamentar duhet të jetë anëtar?
Zoti Berisha fizikisht nuk e di në çfarë komisioni mund të jetë, por ju them me përgjegjësi të plotë se Berisha do të jetë në të gjitha komisionet i pranishëm. Berisha siç thatë ju, njeh mësëmiri mënyrën e zhvillimit të ekonomisë së vendi, njeh funksionimin e shtetit ligjor, dhe lidhur me këtë do të jetë i pranishëm në çdo komision me oponencën e tij.

Do të mësohemi dot me Berishën jo më si kryeministër?
Do ta kemi më pranë nëpërmjet ekranit duke survejuar qeverinë e re për 18 orë në ditë. Sa ishte kryeministër dilte duke treguar me transparencë çdo hap dhe arritje të qeverisë, ndërsa tani në një farë mënyre do të diktojë pozitivisht punën e qeverisë nëpërmjet kritikave dhe vëmendjes që do ti kushtojë për mbajtjen e premtimeve te dhena nga e majta gjatë fushatës.

A e keni lexuar programin e PD-së?
Programni i PD ka qenë vazhdimi i reformave të mandatit të dytë qeverisës. Një program i cili Shqipëria kishte nevojë për ta vazhduar. Mund t’ju them me krenari që vetëm lëvizjet e fundit të ministrave ishte një hapje e PD-së drejt shoqërisë intelektuale të njerëzve të cilët dinë të marrin përgjegjësi. Përshembull ministrin Kosova, një njëri i cili Rama mbase nuk duhet ta lëvizte si minister. Ai është njëri me vizion dhe me aftësi të vlerësuar në shoqëri në fushën e mjekësisë dhe projektet e tij të nisura me partnerët e ndryshëm, sidomos ata amerikanë, mendoj se duhet të gjejnë një zgjidhje me ministrin e ri zotin Beqja.
 
Komentomani pak marrëveshjen Rama- Meta? Mendoni se do i përmbahen paktit katërvjeçar? Diskutohet një tjetër kalkulim, që Meta mund të iki me apo pa dëshirë?
Këtu ka një vështirësi, zoti Rama në këtë pikë është i njohur për moszabatimin e kontratave në marrëdhënie me partnerët politikë, gjë të cilën e ka treguar me zotin Dule, që siç e shikoni ngeli jashtë. E ka treguar me Ngjelën që i premtoj. Rama nuk tha asnëjherë që nuk i kam premtuar ministri. Për të vazhduar me z. Zogaj si zëdhënës i opozitës së atëhershme apo z. Legisi si kordinator i opozitës së bashkuar, duke shpikur lloj lloj pozicionesh gjatë opozitës, por duke i anatemuar pas marrjesh pushtetit. Jam i bindur që tani ka përballë një njëri, i cili është korrekt në zbatimin e kontrateve si zoti Meta. Ka përballë një njëri që nuk do ta lejoj zotin Rama që të lëviz apo të bëjë zanatin e vjetër si mosmirënjohja ndaj punës së bashkëpuntorëve në grup të cilët i ka quajtur gjithmonë aksionerë, por në fund kanë rezultuar me aksione zero edhe për shkak të numrave që ka mbajtja dhe funksionimi i qeverisë. Ky do të jetë një ogur i mirë që zoti Rama të mësojë se si të sillet me kolegët dhe partnerët për të qenë korrekt në zbatimin e kontratave që ta çojnë një qeveri sa më afatgjatë. Nuk ju them dot fiks për këto kalkulime, pasi marrëdhënia varet nga zoti Rama. Rama edhe tani qe ne po flasim ndoshta është duke negociuar për të marrë ndonje deputet dhe për ta bërë 71 vota pa LSI, me një mazhorancë të brishtë, element tjetër i parlamentit shqiptar. Nëse ndodh nje veprim i tille do ti kushtojë shumë atij dhe Shqipërisë.


Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)