Kaka ka zgjedhur pasuesin e tij. Dhe nuk është Kristiano Ronaldo. Sikurse bënte të ditur dje e përditshmja katalanase "Sport", milanisti do t‘ia jepte Topin e Artë Leo Mesit. Përveç emrave të njohur, janë më se 21000 lexues nga e gjithë bota, që përmes internetit kanë votuar Mesin. "Mesi e meriton ‘Topin e Artë‘, ka thënë mbajtësi në fuqi i trofeut të ‘France Football‘. Është një talent autentik. Edhe Kristiano Ronaldo do ta meritonte, por unë shikoj Mesin si pasuesin tim. Nga argjentinasi admiroj shkathtësinë dhe kontrollin e topit, është një nga ata lojtarë që do të doje gjithmonë ta kishe në skuadrën tënde". Për këtë arsye është shprehur edhe Ronaldinjo: "Unë do t‘u jepja nga një miqve të mi: pra një Kaka dhe një Mesi. Miqtë duhet të jenë të kënaqur, nuk mund ta mendoj të kem një të lumtur dhe një të trishtuar. Atëherë, zotërinj, të japim dy ‘Topa të Artë‘: një Leos, një tjetër Kakasë".