Çifti Sali e Luljana Bajo, me origjinë nga Marglliçi i Çamërisë dhe banues në Durrës, janë kthyer dje në kufi nga policia greke, ata thanë se policia e vendit fqinj i ka deklaruar të padëshiruar vetëm për shkak të origjinës së tyre. Ditën e shtunë policia greke e Kakavijes ka kthyer mbrapsht dhe nuk ka lejuar të hyjë në shtetin fqinjë çiftin e moshuar nga Durrësi. Mesditën e së shtunës Sali Bajo 65 vjeç i ka pohuar gazetarëve se së bashku me bashkëshorten e tij Luljana Bajo dhe një grup miqsh po udhëtonin në drejtim të Greqisë. “Ne po shkonim te të afërmit tanë në Greqi dhe do të hynim në shtetin fqinj nëpërmjet doganës së Kakavijes”, pohon çifti Bajo. Pasi ka marrë vulën shqiptare, çifti shqiptar ka shkuar në pjesën greke të Kakavijes. Aty ata janë ndeshur në rezistencën e policit kontrollor grek, i cili ka refuzuar vulosjen e pasaportave të tyre. “Shkak i këtij refuzimi ishte se në pasaportat tona kishim vendlindjen, Margëlliç, Çamëri”, thotë Sali Bajo. Në këtë situatë ata kanë kërkuar sqarime nga policia greke për refuzimin e marrjes së vulës për të hyrë në Greqi. Por nga ana e saj pala greke nuk ka dhënë asnjë sqarim, madje, sipas tyre, ata janë detyruar të nënshkruajnë një dokument për mospranimin e tyre në Greqi. Çifti Bajo pohon se policët grekë nuk dhanë asnjë shkak ligjor për moslejimin e tyre për të hyrë në Greqi, madje, sipas tyre, policia greke disponon një listë të veçantë me emrat e personave me origjinë nga Çamëria, të cilët nuk lejohet të hyjnë në Greqi. B.Shehu