Në shenjë të njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Teatrin Kombëtar, sonte do të shfaqet premiera e koreodramës ‘Kalendari’. Kjo shfaqje vjen në Prishtinë, pas premierës që e pati në Ulqin.

Derisa shumica e kosovarëve ia kanë mësyrë Vlorës apo Tiranës për të festuar njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Ulqinit kanë vendosur që të vijnë në Prishtinë dhe në Teatrin Kombëtar ta shfaqin koreodramën ‘Kalendari’.

Koreodrama ‘Kalendari’, e cila do të jepet premierë sot (e hënë) në Teatrin Kombëtar, në orën 20:00, vë në qendër të vëmendjes jetën e ulqinakëve dhe shqiptarëve në trevat e tjera të Malit të Zi.

Ansambli ‘Zana’ dhe shkolla e vallëzimit ‘Porta Danza’ nga Ulqini janë bërë bashkë për të krijuar këtë shfaqje.

“Kjo koreodramë ndahet në tri pjesë: pjesa e parë, e cila përshkruan jetën e shqiptarëve në trojet shqiptare; pjesa e dytë, e cila është pjesa e dhimbjes dhe e ndarjes së kufirit me Shqipërinë; si dhe pjesa e tretë, e cila pasqyron zgjimin e shqiptarëve”, u shpreh Munib Abazi, regjisor i ‘Kalendarit’, në një konferencë për media që u mbajt në Teatrin Kombëtar. Ai tha se qëllimi ishte që të sjellin në skenë jetën e shqiptarëve, gjegjësisht të ulqinakëve, të cilët e kanë pas aq shumë afër Shqipërinë dhe vendin amë, mirëpo njëkohësisht kanë qenë edhe shumë larg saj.

“Ka shumë ulqinakë, të cilët gjysma e tyre kanë jetuar në Shkodër, gjegjësisht në Shqipëri, kurse gjysma këndej. Ne, pikërisht për këtë rast, kemi vu në skenë një kohë në të cilën të gjithë kemi qenë së bashku, kurse në pjesën tjetër do ta shihni edhe vetë kemi një pjesë jashtëzakonisht të dhimbshme e cila shfaqet në skenë, ajo pjesë e cila ka mbet e ndarë”, tha Abazi.

Ai shtoi se ky projekt ka zgjatur rreth dy muaj e gjysmë dhe për herë të parë është shfaqur premierë të shtunën në Ulqin dhe është pritur jashtëzakonisht mirë, duke bërë që të qanin njerëzit.

Duke shpjeguar ndarjen e koreodramës në tri pjesë, udhëheqësi artistik Basri Milla tha se pjesa e parë përshkruan jetën e shqiptarëve në trojet shqiptare, d.m.th. në Mal të Zi, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e me tutje, d.m.th. jeta e përbashkët, jeta folklorike e cila është mbushur me gjithë veshjet kombëtare të trojeve shqiptare.

“Në ato valle janë përshkruar gjithë veshjet duke filluar me vallen e njohur të detarëve, të marinarëve të Ulqinit, Dum Sharaveli e quajtur vallja e Shqipërisë së mesme apo vallja e Tiranës, vallen e Jugut, vallen e Dibrës, vallen e Tropojës, vallen e Librazhdit dhe vallen e Rugovës. Duke i përfshirë të gjitha këto troje pjesa e parë tregon një harmoni të jetës së shqiptarëve në vitet e prej 1912 deri te ndarja e kufirit”, tha Milla.

Ai shtoi se pjesa e dytë është pjesa trishtuese, pjesa e dhimbjes, pjesa e ndarjes së kufirit me Shqipërinë dhe ndarjes së familjeve, përjetimi i ndarjes së familjeve në Ulqin dhe Shkodër. Gjithashtu në pjesën e dytë paraqitet dëshira për flamurin dhe dhimbja për atë. Ndërsa, në pjesën e tretë, përmes një baleti modern, paraqitet zgjimi i popullit duke kërkuar të drejtat e veta.

Skenografi Agron Ujkashi tregoi se është paraqitur një skenografi ku në prapavijë është kalaja e vjetër e Ulqinit, si dhe një shqiponjë e madhe e cila ndahet, por gjatë zhvillimit të ngjarjes ajo bashkohet, duke simbolizuar bashkimin e shqiptarëve.

“Një specifikë e kësaj skenografie është edhe një shqiponjë e madhe e cila kur bëhet ndarja e kufijve, kur Mali i Zi ndahet nga Shqipëria është e paraqitur me një shqiponjë e cila ndahet në dy pjesë dhe pastaj gjatë zhvillimit të ngjarjes bashkimi i këtyre dy pjesëve të shqiponjës, e cila ka një simbolikë të madhe, e cila simbolizon bashkimin e trojeve tona shqiptare”, theksoi Ujkashi.

Koreodrama ‘Kalendari’ vihet në skenë në prag të festës së flamurit dhe 100-vjetorit të shtetit shqiptar si reflektim mbi të shkuarën. Pas Prishtinës, kjo koreodramë do të shfaqet edhe në Tiranë.