Mënyra më e këndshme për të shkuar në rrugën "Kolegji" është përmes tramvajit antik që nga lagjet e pasura në jug të qytetit përshkon sheshin "Lenin" dhe i bie mes përmes pazarit "Bou". Në çdo stacion ndryshon edhe panorama: rruga me tezga plot fruta e perime, e më pas rruga e artikujve sanitarë. Pason rruga e pajisjeve mjekësore që të para nga tramvaji duken si vepra arti të supozuara në një muze. Për europianët, Kalkuta është një qytet tepër i varfër, por në kryeqytetin e shtetit indian të Bengalës Perëndimore nuk ka veç mjerim.



Kalojmë një kryqëzim tjetër dhe nga dritarja e hapur e tramvajit shoh kolonat e bardha të Universitetit të Kalkutës, duke hyrë kështu në zonën që për indianët simbolizon më shumë se gjithçka tjetër këtë qytet. Me universitetet e mëdha dhe të shkuarën revolucionare, rruga e "Kolegjit" gëzon famën e qendrës intelektuale të Indisë. Është pika ku adhurohen artet e shkencat dhe që i detyron turistët të habiten nga sasia gjigante e librave të ekspozuar rrugëve.



Përreth rrugës "Kolegji" gjenden shumë librari, shtëpi botuese e shtypshkronja. Në pjesën më të madhe të rasteve, libraritë nuk janë tjetër veçse kioska druri me një tabelë ku është shkruar emri i pronarit, adresa dhe specialiteti: bengalisht, anglisht, urduisht, arabisht, histori, religjion, politikë. "Kioska Nr. 54, muri i Kolegjit të Presidencës, rruga ‘Kolegji 86/1‘", i përket zotit Malik, që prej më shumë se 40 vitesh shet kryesisht manuale juridike e libra letrarë. Kur i kërkojmë një hartë të qytetit, buzëqesh me një lloj qesëndie, lë mbi banak librin që po lexonte dhe ngjitet mbi një shkallë. Pasi rrëmon për pak zbret me një hartë të stampuar në bardhezi, ndoshta e viteve gjashtëdhjetë. E pyes nëse ajo hartë mund të përdoret ditët e sotme dhe më thotë se po, pasi Kalkuta ka ndryshuar shumë pak që prej atyre viteve.



Zhvillim vertikal



Me hartën në xhep vazhdojmë drejt librarisë "Das Gupta". Na tregoi Maliku për të, duke e përshkruar si vendin e parë ku duhen kërkuar tekstet që kanë të bëjnë me kinemanë. Në rrugën "Kolegji" është traditë njohja e kolegëve të tjerë dhe adresimi i klientëve në librarinë e duhur. Kështu, vizituesi "navigon" nga një vend në tjetrin edhe pse nuk është në internet, por në mes të një lagjeje që rrihet vetëm më këmbë e nuk mund të jetë më e gjallë nga ç‘është.



Libraria e Arabinda Das Guptës është e hapur të gjitha ditët e javës përveç së dielës. Ndodh shpesh që klientët të vihen në radhë në korridorin muret e të cilit janë të përbërë nga pirgje të rregullt librash. Familja e Arabinda Babu-t (xhaxha Arabinda), siç e thërrasin të gjithë në shenjë respekti, është familje librashitësish prej katër brezash. Në një tabelë saktësohet: "Librashitës që prej vitit 1886".



"Gupta & Company" konsiderohet një institucion në rrugën e "Kolegjit" dhe pronari është tepër krenar për profesionin e vet: "Në Bengalën Perëndimore kjo librari konsiderohet një prej aktiviteteve tregtare më prestigjioze në të gjithë shtetin: mjafton të mendosh që përfaqësuesit e industrisë së librave takohen sa herë të duan me politikanët e lartë në Delhi, madje edhe me vetë Presidentin". Das Gupta lë të kuptohet se ky privilegj i rezervohet veçanërisht atij vetë.



Dhe ndoshta nuk është aspak rastësi që pikërisht përpara librarisë "Das Gupta" po ngrihet një ndërtesë shumëkatëshe prej 65 mijë metrash katrorë sipërfaqe. "Duhet të zhvillohemi vertikalisht", thotë Das Gupta. "Në rrugë, prej shumë kohësh, nuk ekziston më hapësirë e përdorshme. Në këtë rrugë gjenden 10 mijë librari dhe shtohen çdo ditë të reja".



Në rrugën "Kolegji" numërohen 3 mijë shtëpi botuese dhe zhvillohet një panair i përvitshëm ku, sipas Das Guptës, "ka më shumë vizitorë se panairi i Frankfurtit". Nesër, xhaxha Arabinda duhet të udhëtojë në Londër për motive biznesi, por gjithsesi, gjen pak kohë për të na ofruar nga një çaj.



Pas perëndimit, rruga "Kolegji" ndriçohet nga neonet. Profesorët e studentët e universitetit dalin e u bashkohen njerëzve të shumtë që hyjnë nga një librari te tjetra. Shumë prej klientëve mbajnë libra në duar, ndërkohë që edhe librashitësit kur nuk kanë klientë, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke lexuar. Në të kundërt të tregjeve të tjera të qytetit, këtu askush nuk e reklamon mallin e vet duke thirrur me sa ka në kokë. Askush nga studentët, të cilët bien në sy menjëherë prej çantave në shpinë, nuk e fsheh se në këtë rrugë librat mund të merren dhe të paguhen më pas.



Prania e tre universiteteve shumë pranë njëri-tjetrit favorizon shitjen e manualeve akademike. Janë të panumërt librat e informatikës, për të cilët këta të rinj tregojnë interes të veçantë. Përkrah tyre gjenden pirgjet e teksteve të mjekësisë dhe ata shkencorë dhe pak më tej mund të shfletosh faqet e zverdhura të romaneve të përdorura, të cilat, në pjesën më të madhe të rasteve janë të dorës së tretë a të katërt. Në hierarkinë profesionale të rrugës "Kolegji", tregtarët e specializuar në këto lloje librash qëndrojnë një shkallë më lart nga ata që tregtojnë të ashtuquajturit "Chapbooks".



Karakteristika kryesore e këtyre lloj librash është çmimi tepër i lirë. Blerësit e tyre më së shumti vijnë nga zonat rurale dhe për shumë syresh vizita në rrugën "Kolegji" përbën fazën më të rëndësishme të vizitës së tyre në qytet. "Chapbooks"-ët shtrihen mbi thuajse çdo argument të mundshëm. Në shumë raste janë versione të thjeshtuara librash lutjeje apo autorëve klasikë të literaturës, por mund të gjesh gjithfarë manuale të çdo lloji dhe, sigurisht, edhe pornografi.



Mbrëmjen e mbyll në zyrat e një shtëpie të vogël botuese. Arun Banerje, pronari i saj, publikon tekste shkollore mbi literaturën bengaleze. Tregon se në këtë industri ka hyrë kundër dëshirës së të atit, i cili donte që i biri të bëhej këngëtar. Nuk më lejon të paguaj përmbledhjen me poezi (të publikuar nga shtëpia e tij botuese) që vendosa t‘ia bëj dhuratë një mikut tim bengalez me banim në Gjermani që më ka treguar gjithnjë me shumë entuziazëm për rrugën "Kolegji": parajsën e të pasionuarve pas librit, ku autorët takohen çdo ditë me botuesit e tyre. Vendi ku lexuesit janë edhe shkrimtarë dhe ku ndodh shpesh që një librashitës ta shesë një libër vetëm kur e ka mbaruar së lexuari vetë.