Nga Andi Bushati


Disa deklarata të njerëzve të njohur apo më pak të njohur publikisht, për të braktisur Shqipërinë, jo vetëm kanë zënë një vend më të madh nga sa e meritonin në këto ditë të nxehta pa lajme, por shpesh herë kanë ndezur një debat qesharak dhe të pa vend. Duhet ta themi që në fillim dhe pa hezitim se, nëse dikush shpall se largohet pasi nuk gjen hapësirat e duhura, pasi i kanë suprimuar vendin e punës, pasi i kanë çpuar gomën e makinës, kjo nuk është një çështje kombëtare.


Largimi i atyre që kanë mundësi ta shpallin këtë akt me bujë, është krejt i ndryshëm nga largimi i dhjetra mijë shqiptarëve që zgjedhin ta braktisin këtë vend nga pamundësia. Sepse ikjet e tyre nuk kanë asnjë tagër plus për të treguar, as se Shqipëria është më e mirë, as se ajo po bëhet më e keqe.


Ato janë thjeshtë zgjedhje personale, të marra sa nga racionaliteti i mundësive, po aq dhe nga emocionaliteti i momentit. Ata që ikin nuk janë as heronj që nuk pajtohen me gjendjen e keqe dhe as tradhëtarë që po braktisin anijen. Akti i tyre nuk është simbol për asgjë.


Personalisht  jam një nga ata që e pëlqen përditë e më pak këtë vend. Nuk jam dakord me mënyrën se si po shpërfytyrohet qyteti im, se si rokaqiejt po zënë diellin, se si po zhduken rrugicat ku rendnim pas një topi pedhëdhjetsh, se si po zaptohen tokat në bregdet, se si po ndotet ajri, se si po shfarosen pyjet, se si ujin nuk e pi dot më drejt e nga çezma, se si domatet nuk kanë shijen e dikurshme dhe se si mishin është gjithnjë e më e vështirë ta gjesh të pa bombarduar me antibiotikë.


Por, pavarësisht nga këto, kam vendosur të jetoj në një atdhe që e kritikoj çdo ditë e më shumë, as thjeshtë për patriotizëm, as thjesht për profesionin që bëj.


Në këtë vendim të brendshëm ka diçka më të komplikuar, që më ka bërë ti rezistoj edhe eksodit biblik të anijeve edhe shpërthimit të depove të 97.


Besoj se kushdo që ka lexuar sadopak për dëshmitë e gjata të francezëve të larguar që kanë provuar le mal du pays, të britanikëve që kanë ndjerë peshën e homesickness, apo të mercenarëve të Zvicrës gjermanike që i mundonte  «heimweh», kur ishin larg vendit të tyre, e ka të qartë se për çka flas. Në lojë është ajo që psikologët e njohin si sindromën e mungesës së vendlindjes: një lloj nostalgjie për vendin e origjinës, për zbehjen e gjërave familjare, për largësinë nga kujtimet e fëmijërisë, nga gjuha e nënës, nga kultura me të cilën je rritur.


Mënyra se si gjithësejcili e zgjidh këtë raport delikat me veten e tij, midis kujtimeve të së shkuarës dhe ambicieve për të ardhmen, midis anës emocionale dhe sfidës për të riskuar, është një çështje krejtësisht personale.


Unë vetë kam zgjedhur të parat. Por kjo shpesh nuk më ka penguar ti shoh herë me ironi dhe herë me nënqeshje, ata emigrantë të larguar prej vitesh nga ky vend, të prekur nga sindroma e mallit të vendlindjes. Sa herë kemi bërë humor me ta, me patriotizmin e tyre të ekzagjeruar, me pathosin që tregojnë për çdo simbol kombëtar, me idealizimin që i bëjnë historisë, gjuhës, traditave, me entuziazmin që tregojnë edhe për ndryshimin apo përparimin më të vogël që shohin në vendin që kanë lënë pas prej vitesh.


Ne e kuptojmë se në shumë raste ajo është fabula që i duhet për të mbajtur në kontroll sindromën e tyre që shpesh herë mund të çojë deri në depresion, mungesë motivimi dhe izolim social.


Ne të gjithë e dimë, se Shqipëria që ata shohin, prekin dhe vizatojnë, nuk është ajo realja. Ajo është një produkt i përrallëzuar si pasojë e sindromës së tyre. Si pasojë e mallit, nostalgjisë dhe kujtimeve që atyre u mungojnë. Të gjitha këto detaje të vogla luajnë për ta rolin e madlenës së Prustit, që sublimon çdo aromë dhe shije që u vjen nga vendi që kanë lënë pas.


Është kjo qasje që shpesh i bën objekte të vënies në lojë, sepse atdheu i tyre ideal, nuk është atdheu të cilin ne jetojmë përditë. Sepse rrëfimi i tyre është krejtësisht emocional dhe i tjetërsuar.


Por, po aq sa nuk është e vërtetë kjo Shqipëri e idealizuar e pikturuar kësisoj, po aq nuk është real edhe shpëtimi prej saj përmes largimesh te bujshme, që vizatojnë të kundërtit e tyre.


Pikërisht ata që janë vënë së fundi në qendër të debatit duke deklaruar publikisht se shpëtimi gjendet larg këtij vendi të pajetueshëm.


Në të dyja rastet, qëndrimet e tyre nuk ia vlejnë të bëhen pjesë e debatit publik, as të hipotekohen si fakte të vërteta, as të privatizohen nga grupime të ndryshme shoqërore.  Ato nuk kanë asnjë vlerë më shumë sesa atë të një përjetimi personal.


Zhurma e krijuar nga shpallja e disa largimeve të bujshme nga vendi, nuk është asgjë më shumë se pasojë e një vere të nxehtë dhe pa lajme. Sepse imazhin e Shqipërisë që njohim nuk mund ta ndryshojnë emocionet momentale të askujt. (Lapsi.al)