Taksat e ulëta, reformat rregullatore dhe qëndrueshmëria financiare, ishin faktorët që ndikuan në frenimin e valës goditëse të krizës. Megjithatë, edhe pse pranë qeverisë, ekspertë të fushave të ndryshme të ekonomisë nuk e fshehin faktin se rritja ekonomike nuk do të jetë 6 për qind, madje as 4 për qind. Artan Hoxha i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, njohës i mirë i zhvillimit të biznesit, thotë se, "kriza nuk u prodhua nga brenda, por nga jashtë, duke dhënë ndikim indirekt në ekonomi". Për Sherefedin Shehun, ekspert financash, vendi nuk po përjeton situatën e vendeve të tjera dhe kjo vërtetohet nga sjellja e bizneseve dhe bankave. Shehu pranon reduktimin e zhvillimit ekonomik, por tregohet optimist se rritja nën 4 për qind jep shenja për rigjallërim. Sybi Hida, ekspert në fushën e taksave, përmend disa faktorë të tjerë, si investimet e larta, taksat e ulëta dhe qëndrueshmëria e sektorit energjetik. Një ditë më parë gazeta "Shqip" trajtoi qëndrimet e disa ekspertëve që mendonin të kundërtën rreth ekonomisë. Sipas tyre, pritet një rritje jo më shumë se 2.5 për qind, rritje borxhi dhe mungesë likuiditeti.

Hipotezat

Gjatë gjithë vitit 2009, ndërmjet analistëve dhe ekspertëve të fushës dolën në dritë disa skenarë të krizës ekonomike, por pakkush jepte me siguri çfarë parashikonte e ardhmja. "Njëra hipotezë ishte ajo që kriza botërore do të godiste rëndë ekonominë shqiptare. Kjo goditje e kombinuar me dobësitë e vetë ekonomisë shqiptare do të shkaktonte një krizë të brendshme që do të shfaqej me rënie të prodhimit, rrënime të disa sektorëve, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave fiskale etj.", thotë Hoxha. Një tjetër hipotezë, konkludonte se efektet goditëse të krizës ndërkombëtare do të ishin indirekte dhe të moderuara dhe të gërshetuara me zhvillimet e shëndetshme brenda vetë ekonomisë shqiptare. "Sot, pas një viti, duket qartë që hipoteza e dytë është vërtetuar. Pritet që viti të mbyllet me një rritje pozitive në nivelet mesatare 3-4%, në muajin tetor shënohet një kthesë në eksportet, kanë vazhduar rritja e investimeve publike, private shqiptare dhe të huaja dhe nuk është shënuar ndonjë rritje e ndjeshme e papunësisë", pranon eksperti Artan Hoxha. Duke bërë parashikimin për vitin 2010, Hoxha ndikohet nga të dhënat e rritjes së ekonomisë botërore. "Problemet në vitin 2009 ishin për shkaqe të jashtme, jo të brendshme. I vetmi faktor negativ i brendshëm është sjellja politike. Le të shpresojmë se politika do të sillet siç duhet më 2010-n", përfundon ai.

Gjallërimi

"Viti 2010 do të fillojë me gjallërimin e ekonomive të vendeve të zhvilluara dhe në tërësi parashikohet që ato të kenë rritje. Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të ketë rritje dhe ajo do të jetë më e lartë se vitit 2009", nënvizon Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave. Sipas tij, ekonomia botërore pati rënie të theksuar si rezultat i krizës financiare dhe bankare, e cila më vonë u shndërrua edhe në krizë ekonomike. Kjo krizë ndikoi edhe në ekonominë shqiptare, por ndryshe nga ajo botërore, ajo pati vetëm rritje më të ulët se ajo e parashikuar. "Në 6-mujorin e parë të vitit 2009 rritja ishte 4-5, ose 3 për qind, ndërsa në 6-mujorin e dytë pritet të jetë pak më e ulët", vlerëson Shehu. Sipas tij, bizneset shqiptare jo vetëm mbijetuan, por pjesa më e madhe e tyre u rritën dhe konsoliduan më tej. Po ashtu, sistemi bankar provoi që është i kapitalizuar dhe menaxhuar mirë dhe mbikëqyrja nga Banka e Shqipërisë është e standardeve më të mira. Megjithatë, sipas Shehut, sistemi bankar nuk kontribuoi në zbutjen e krizës, duke u kujdesur më shumë për fitimet e veta.

Më mirë se 2009

Vlerësimi i Sybi Hidës për zhvillimin ekonomik në 2009-n është pozitiv dhe i kënaqshëm. "Është pozitiv, sepse ekonomia jonë përballoi me sukses krizën botërore dhe po injoron me të njëjtin sukses presionet e politikës—lidershipit të opozitës—për të çuar vendin në krizë. Dhe është i kënaqshëm, sepse rritja ekonomike vlerësohet pozitive dhe e lartë, si nga INSTAT ashtu edhe nga institucionet eksperte ndërkombëtare", thotë anëtari demokrat i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Ai jep arsyet pse nuk pati atë ndikim si te vendet e tjera. "Sistemi bankar nuk u infektua nga kriza financiare. Qeveria shpalli dhe zbatoi një politikë fiskale ekspansioniste, taksa të ulëta dhe investime të larta. Politikë kjo e kombinuar me luftë ndaj evazionit fiskal dhe uljes së barrierave administrative që inkurajuan biznesin privat të investojë. Faktor tjetër pozitiv ka qenë përmirësimi i sektorit të energjetikës duke rritur prodhimin e zëvendësuar importin", janë disa nga arsyet e zhvillimit. Duke folur për parashikimin, Hida, thotë se, ekonomia do të jetë më mirë se në vitin 2009. "Viti që vjen ka dy faktorë pozitivë, ai do përballet me një rritje ekonomike botërore prej 3.1 për qind, nga minus 1.1 për qind që vlerësohet në 2009 dhe ai do të jetë viti i parë me taksat më të ulëta në 18 vitet e fundit".