Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka hedhur poshtë mundësinë e angazhimit të forcave tokësore në Libi duke thënë se është me rëndësi të veprohet në kuadër të mandatit të OKB-së e të mos bëhet diçka që nuk do i përshtatej botës arabe.


“Nuk ka marrëveshje rreth një invazioni apo okupimi, këtu nuk bëhet fjalë që në Libi të hyjnë çizmet ushtarake britanike”, i tha Kameron televizionit Sky News.


Ai ka kujtuar se misioni i aleancës perëndimore është i qartë, mbrojtja e zonës së ndalim fluturimit si dhe sulmet ajrore për të shkatërruar artilerinë e rëndë të forcave të Moamer Gadafit.


Duke përsëritur komentet e bëra në një artikull të përbashkët me Presidentin amerikan, Barak Obama dhe atë francez, Nikolas Sarkozi, kryeministri britanik ka thënë se Gadafi duhet të largohet nga pushteti.