Xhudo


Klubi nuk është ftuar të marrë pjesë në kampionatin për të rinj dhe të rritur


 Drejtuesit e ekipit të xhudos të Vaut të Dejës, klub që krijoi dhe përhapi këtë sport në Shqipëri, ndërsa që prej vitit 1994 e në vazhdim nxjerrin kampionë të ndryshëm, kanë reaguar ashpër në lidhje me faktin që sipas tyre, ata nuk janë thirrur në kampionatin kombëtar të xhudos që po zhvillohet në Tiranë. Ekipet zinxhir të xhudos të Vaut të Dejës në Shkodër, ndonëse prej rreth 20 vitesh janë kampionë në të gjitha garat e zhvilluara në vend, janë injoruar këtë radhë, duke mos u ftuar për të marrë pjesë në kampionatin për të rinj dhe të rritur.


Trajneri i këtij ekipi, Anton Shkoza, njeriu i cili përhapi këtë sport në Shqipëri, shprehet se ky veprim është i jashtëligjshëm dhe i qëllimshëm. Sipas tij, duhet të ndërhyjë ministria përkatëse për të sqaruar situatën, pasi ekipi dhe drejtuesit e Vaut të Dejës po anashkalohen nga Federata Shqiptare e Xhudos.


Ia kam kushtuar jetën këtij sporti, nuk dua as fonde dhe asnjë ndihmë financiare nga askush. Më duhet vetëm respekti dhe drejtësia nga Federata e Xhudos, shprehet Shkoza për gazetën. Po ju them se unë, më 1993-shin ngrita palestrën e parë dhe në vitin 1994, krijova ekipin e xhudos në Vaun e Dejës. Ky ishte ekipi i parë dhe që nga 1994 e deri më sot, ekipet e mia janë kampionë Shqipërie. Kemi marrë dhe shumë trofe ndërkombëtarë, ku i fundit ishte para një jave, kur fituam kampionatin e xhudos për të rinj në Ballkan. Them se ia kam kushtuar jetën, pasi e nisa në vitin 1993, kur e ushtroja unë dhe e përfaqësoja unë Shqipërinë duke i dhuruar trofe, deri në vitin 1999, kur u aksidentova gjatë përgatitjes për të përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete. Që nga viti 1999, jam invalid, në karrocë, e ndonëse në kushte të tilla, nuk e kam lënë asnjëherë pasionin për xhudon, duke nxjerrë çdo vit kampionë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për femra dhe meshkuj, janë fjalët e Shkozës.


Ky është një sport që unë e përjetoj shpirtërisht, është një pasion dhe një ndjenjë që do më mbajë deri në vdekje. Ndaj them që vendimi që të mos ftohemi në kampionat apo të mos thirremi nga Federata në aktivitetet ku duhet të ishim, është i pamoralshëm dhe nuk ka arsye. Ne po nxjerrim vetëm talente dhe kampionë, nuk po kërkojmë mëshirë, por drejtësi, deklaroi Shkoza, i dekoruar nga Presidenti i Republikës në vitin 2006 për merita në sportin e Xhudos. A. Hoti


 


Ky shkrim Kampionat pa kampionët! Federata lë jashtë klubin e Vaut të Dejës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.