Në temperatura të larta, me shkelmime simbolike topash nga legjenda të futbollit shqiptar që prej kohësh kanë vendosur "këpucët në gozhdë". Geri Cipi në Vlorë, Sulejman Demollari në "Selman Stërmasi", Hasan Gërmani në Kavajë dhe Milutin Kërcic në Korcë kanë goditur për herë të fundit përballë mijëra shikuesve sferën e rrumbullakët, me te cilën janë bërë të njohur dhe të adhuruar. Duke pasur si dekor buqetat e luleve, fëmijët me flamujt me stemat e të gjitha ekipeve te Superligës nisi Kampionati i 69 Kombëtar i futbollit, java e parë e sezonit pati jashtë 90 minutave të futbollit të luajtur spektakël dhe festë. Flamurtari regjistroi edhe surprizën e parë të sezonit kur mposhti rekordmenët e Shqipërisë me një fitore minimale në fund te takimit. Dinamo me fitoren me të thellë të javës së parë shfaqet si favoritja kryesore për fitimin e titullit. Fitore të bukura arritën edhe Teuta në Korcë dhe Besa në Kavajë. Nesër priten në "skenën e gjelbërt" Partizani dhe Shkumbini.
PJESËT E PARA
Nëse sezonin e kaluar ishte Gjergji Muzaka i Partizanit, i cili shënoi edhe golin më të shpejtë në historinë e futbollit shqiptar (pa kaluar 11 sekonda) në takimin Partizani-Apolonia (3-2), në sezonin e ri, goli i parë i përket një të huaji, meksikanit me pasaportë franceze të Besës, Endene Elokan të celë serinë e golave për sezonin e ri. Elokan shfrytëzoi në maksimum asistin e nigerianit Abdulla Ishaka duke shënuar në minutën e 14-të në portën e Kastriotit, të mbrojtur nga ish-portieri i Besës gjatë sezonit të kaluar, Arjon Mustafa. Pa kaluar 60 sekonda ishte Teuta që shënoi në Korcë ndaj Skënderbeut vendas, në ndeshjen e parë si i rikthyer në Kategorinë Superiore. Hysa goditi me një të majtë të fuqishme në minutën e 15 duke bërë të pamundur orvajtjen e portierit Ahmetlli për të frenuar sferën. Jehona e golit durrsak mbërriti në Tiranë, në takimin Dinamo-Besëlidhja, ku ish-lojtari i Teutës, Bekim Kuli tashmë në radhët e Dinamos shënoi golin e parë për "Blutë" (cuditërisht të veshur me të bardha). Sulmuesi kavajas, blerja "in extremis" e presidentit dinamovit Sulaj shfrytëzoi hutimin e mbrojtjes modeste lezhjane dhe pasigurinë e portierit Gjoka. Skena e golit rikthehet sërish në Korcë, ku Teuta e Hysen Dedjes gjen sërish rrjetën. Hashani frenohet nga portieri i Skënderbeut Ahmetlli dhe gjyqtari Kridens Meta akordoi penalltinë e parë të këtij sezoni. Alban Dragusha gjuajti saktë duke i mbyllur 45-minutat e para për durrsakët në avantazh 2-0, edhe pse në limitin e pjesës së parë nigeriani i Skënderbeut, El Haxhi Gudjabi goditi me kokë aty ku bashkohen dy shtyllat. Goli bën sërish rrugën Korcë-Tiranë për t'u ndalur në "Selman Stërmasi", ku sërish një tjetër blerje e spikatur e Dinamos, golashënuesi i tretë më i mirë i sezonit të kaluar me Apoloninë, Sebino Plaku, firmosi në minutën e 33-të golin e parë të tij dhe të dytin për Dinamon në takimin me Besëlidhjen modeste. Pjesa e parë u mbyll me një gafë të Amarildo Belisha. Mbrojtësi shkodran, i cili luan për Besën e Kavajës pa e shqetësuar askush shënoi një autogol në portën e tij, për t'u dhënë krutanëve barazimin e përkohshëm në minutën e 38-të. Në dy takimet e tjera Flamurtari-Tirana dhe Elbasani-Vllaznia edhe pse pati luftë sportive goli mungoi.
PJESËT E DYTA
Besa sërish shënoi e para golin e parë të fraksionit të dytë të ndeshjeve, kur finalizoi me të Parid Xhihanit (51') dhe marë kryesimin ndaj Kastriotit (2-1). "Ole"-ja e golave u transferua në stadiumin "Skëndërbeu" ku blerja më e rëndësishme e korcarëve të drejtuar nga zëvendëstrajneri Renato Rrapo (Jani Kaci e ndoqi ndeshjen nga tribuna), nigeriani El Haxhi Gudjabi shkurtoi në minutën e 58 diferencën në 1-2 në takimin me Teutën. Dhjetë minutat e fundit të takimeve ishin edhe më prodhimtaret kur u shënuan 6 nga 13 golat e javës së parë. Hysa i Teutës realizoi golin e tretë për Teutën dhe të dytin personal në takimin me Skëndërbeun (3-1) duke i dhënë tri pikët e para në transfertë skuadrës së presidenti Hasanbelliu. Në "Selman Stërmasi", kroati i Dinamos, Goran Vincetic, realizoi pas një gjuajtje pa pretendime golin e tretë për Dinamon në minutën e 84 (gafë e pafalshme e portierit të Besëlidhjes, Gjoka) dhe dy minuta më pas, në të 86', Sebino Plaku fitoi një 11-metërsh duke e shndërruar në gol dhe duke i dhënë fitoren 4-0 Dinamos të Agim Canajt në ballafaqimin e parë sezonal ndaj një Besëlidhje tepër amatore. Minuta e 87 solli edhe golin e tretë të Besës ndaj Kastriotit. Elokan kombinoi disa herë me Parid Xhihanin, teksa i dhuroi një pas të artë këtij të fundit në kufirin e vijës së portës krutane. Xhihani realizoi golin 3-1 dhe të dytin personal, duke u bërë kështu lojtari i tretë që shënoi një dy-golësh në javën e parë së bashku me Hysën (Teuta) dhe Plakun (Dinamo). Në "Ruzhdi Bizhuta" sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj shënoi një gol me dorë pë Vllazninë (u ndëshkua me karton të verdhë), ndërsa takimi Elbasani-Vllaznia u mbyll në barazim pa gola (0-0. Fundi i pesë ndeshjeve të para ishte dramatik në Vlorë. Tirana pa kapitenin Devi Mukaj, me vlonjatin Daniel Xhafaj të pafat për të realizuar në premierën e parë me fanellën bardheblu dhe me Sinën e ndëshkuar me karton të kuq qysh në minutën e 47 humbi me Flamurtarin, që shënoi me anë të 19-vjecarit Franc Velliu.
Kategoria Superiore
Java 1, 25.08.2007
E shtunë
Flamurtari-Tirana 1-0
Skënderbeu-Teuta 1-3
Besa-Kastrioti 3-1
Elbasani-Vllaznia 0-0
Dinamo-Besëlidhja 4-0
Te dieelen
Partizani-Shkumbini 2-1

Renditja
Dinamo 3
Teuta 3
Besa 3
Flamurtari 3
Partizani 3
Vllaznia 1
Elbasani 1
Shkumbini 0
Tirana 0
Kastrioti 0
Skënderbeu 0
Bësëlidhja 0


Besa-Kastrioti 3-1

Silviu Dumitresku (Trajner i Besës): Fituam me meritë. Na u vonua mjaft goli i dytë dhe autogoli që pësuam krijoi një "stres", që për fat kaloi shpejt. Ekipi ynë ka pasur ngarkesë të madhe ndeshjesh në këtë periudhë. Gjithsesi, në 45 minutat e dyta kontrolluam e normalizuam gjithcka. Lojtarët treguan shpirt të lartë sacrifice. Në 15 minutat e fundit kompensuan edhe mungesën nga dalja me të kuqe të Lilës. Bëmë një hap të mirë me këtë trepikësh shumë të rëndësishëm. Dua ta vecoj Elokanin për performancën e jashtëzakonshme që ka treguar. Morali për vazhdimin erdhi sic dhe e dëshironim: me startimin trepikësh.
Ramadan Ndreu (Trajner i Kastriotit): Ishtë një lojë e mirë për skuadrën time, e cila ka qenë fare pak inferiore ndaj një Bese, që ka luajtur shumë bukur dhe e mori fitoren me meritë. Kjo, sepse kishte edhe një lojtar si nr.99, që bënte diferencën. Ne na mungoi Ziambo në sulm dhe Rizvanolli vetëm e pati më të vështirë manovrimin. Megjithatë, është një humbje përballë një skuadre tepër të fortë, ndaj dhe nuk ka pse të mërzitemi e të "qajmë atë që iku"

Dinamo-Beselidhja
A.Canaj (trajneri i Dinamos): Kam mendimin se ndeshja jonë ishte me dy tabllo. Kjo është në aspektin teknik dhe në atë cka pashë unë si trajner. Pjesën e parë ishim më mirë të vendosur në fushën e lojës, kurse në 45 minutat e dyta i lëshuam hapësira kundërshtarit, sidomos në mesfushë. Kërkuam ta kapnim kundërshtarin me kundërsulm, por nuk funksionoi. Megjithatë, duke ditur që ishte ndeshja e parë e kampionatit, unë jam i kënaqur nga përkushtimi i djemve, sepse fituan një ndeshje premierë. Për mua është e rëndësishme fitorja, sepse, si me Besëlidhjen, apo me Tiranën, suksesi ka vlerën e trepikëshit. Caluam në qarkullimin e shpejtë të topit dhe në shumë raste u vumë në vështirësi. Në mesfushë ra në disa momente agresiviteti. Por jam i kënaqur dhe tani mendojmë për ndeshjen e Shkodrës, ndaj Vllaznisë. Nuk është kjo loja më e mirë e jona, por më kënaq rezultati. Duke ardhur e duke u përmirësuar në sulm. Dinamo mbështetet te kolektivi dhe nëse kjo bie nuk do të jemi në lartësinë e duhur. Lojtarët luftuan, dhanë maksimumin, duke sfiduar dhe të nxehtin.
S.Nica (trajneri i Besëlidhjes) ﷓ Nuk u prononcua për mediat