Klodian Duro nuk është me trajner i Kamzes. Vetë klubi bëri të ditur shkarkimin e teknikut 40-vjeçar, që nuk ka mundur të rezistojë në stol pas disfatës së fundit të pësuar me përmbysje 1-3 nga Teuta.


Në komunikatën zyrtare, Kamza falënderon trajnerin për kontributin e tij të palodhur dhe përkushtimin, por rrugët ndahen këtu, pasi mungesa e rezultateve e detyron Kamzën të bëjë një zgjedhje tjetër në këtë moment, duke i uruar Duros suksese në karrierën e tij në vazhdimësi.


Klodian Duro e mori drejtimin e skuadrës në fillim të shtatorit, duke pasuar në stol Bledar Devollin, që u shkarkua pas 3 ndeshjesh, aventura nisi mirë me fitoren me Kastriotin, por ai ishte i vetmi sukses pasi më pas, në 9 ndeshje që qëndroi në stol, ish-mesfushori i Kombëtares koleksionoi 6 humbje dhe 2 barazime, shumë pak për të garantuar vazhdimësinë me të në stol, pavarësisht se Kamza në përgjithësi nuk ka zhvilluar lojëra të këqija.


Gjithsesi, klasifikimi qan, me skuadrën në vendin e parafundit të klasifikimit, që të zbret nga kategoria. Drejtuesit e klubit janë të detyruar të ndryshojnë drejtimin teknik edhe për ti dhënë një shkundje skuadrës në kërkim të kthesës.


08 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)