Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Task forcën për kanabisin, ku kanë raportuar zyrtarët e lartë përgjegjës në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, mes tyre Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako. Ky i fundit  raportoi se ka pasur ulje të sasisë së bimëve të kultivuara dhe asgjësuara me 25 herë më pak në raport me një vit më parë.


Po ashtu deklaroi se sekuestrimi i aseteve të ardhura nga kjo veprimtari e paligjshme, ka rëndësi pasi ndërpret financimet e aktiviteteve të paligjshme apo për blerjen e pafajësisë. Çako lajmëroi bllokimin e makinave luksoze të personave me precedentë kriminalë, të cilët nuk i justifikojnë dot të ardhurat për blerjen e tyre. Nga ana e saj zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda tha se ka rezultate të pakrahasueshme dhe sot Shqipëria nuk është më vend origjine për lëndët narkotike.


Nëse nuk do shkatërrohej që në mbjellje, por do të dilte në tregun evropian, i cili është destinacioni kryesor, vlera monetare e drogës së asgjësuar dhe sekuestruar do të shkonte miliona euro. Miliona euro të hequra nga duart e botës së krimit, u shpreh Voda.  Nga referimet e hetimeve pasurore të kryera nga strukturat policore të Hetimit të Aseteve Kriminale, Voda tha se, janë gjetur dhe identifikuar rreth 50 milionë euro, si automjete, vila, apartamente e lokale.


Zv.ministrja bëri me dije se Drejtoria e Tatimeve ka referuar mbi 180 raste të dyshimta në Policinë e Shtetit dhe Prokurori që konsistojnë në pasuri të pajustifikuara dhe transaksione pa logjikë ekonomike e ligjore dhe se për 30 raste janë nxjerrë urdhra bllokimi të llogarive/transaksioneve në vlerë totale rreth 3.7 milionë euro


30 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)