Fundjavën tjetër përfundojnë punimet për mirëmbatjen e segmentit të parë të autostradës Tiranë-Durrës.


Në pjesën e Kasharit, autostrada është çarë tej për tej në dy vende, për të hapur kanalet ku do të vendosen dy tuba të mëdhenj, që sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk do të lejojnë përmbytjen e rrugës në këtë zonë.


Aktualisht, punimet janë në fazën e parë. Në njërin prej kanaleve, tubi është vendosur dhe po bëhet mbulimi me dhè si dhe drenazhimi, ndërsa në tjetrin, që është edhe më i madhi, tubacioni është vënë pjesërisht.


Trafiku në këtë pjesë të rrugës është devijuar në rrugët dytësore, gjë kjo që ka shkaktuar jo pak probleme në qarkullimin e mjeteve, ndërkohë që nga ana tjetër punimet kanë vështirësuar aktivitetin e bizneseve të zonës.


Gjatë periudhës së punimeve, shoferëve u kërkohet që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të shmangur segmentin Qafë Kashar-Tiranë dhe anasjelltas. Për mjetet me drejtim nga veriun këshillohet rruga e Kamzës, ndërsa mjeteve me drejtim jugun u kërkohet përdorimi i rrugës së Ndroqit dhe të Elbasanit.


Autostrada Tiranë-Durrës është aksi më i rëndësishëm në vend, me një fluks që llogaritet në rreth 50 mijë mjete në ditë.


Pjesa ku po ndërhyhet është përmbytur disa herë vitet e fundit, gjë që ka çuar në bllokimin total të autostradës. Në vitin 2014, në këtë pjesë u bënë disa punime rehabilituese dhe estetike, por atëherë nuk u zgjeruan tubacionet nëntokësore, që shërbejnë për largimin e ujit.


9 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)