Durrës - Në ditën Ndërkombëtare të Doganave, në doganat shqiptare aplikohet për herë të parë kanali jeshil, ose i quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor.

Kanali jeshil mundëson disa përparësi për komunitetin e biznesit. Ndër to, më kryesorja është ulja e kostove dhe reduktimi i kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangja e çdo barriere administrative, si dhe shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit.

Punonjësit e Agjencisë Doganore shpjeguan për Kryeministrin mënyrën e funksionimit të kanalit jeshil dhe të kalimit të një praktike doganore, e cila mori gjithsej vetëm 10 minuta kohë, duke eliminuar radhë të gjata dhe orë të tëra pritjeje.

"Deklarata regjistrohet në sistem e selketivitetit dhe përzgjidhet automatikisht nga sistemi në kanal jeshil, por në pritje. Ka një timer të vendosur nga ana jonë për të mundësuar autoritetet doganore një opsion kontrolli nëse shikohet e arsyeshme. Pasi depozitohet nga agjencia kalohet dhe del direkt në sistem. Risia është që merr fuqi të plotë vepruesi ekonomik, në këtë rast Agjencia Doganore apo vetë subjekti nëpërmjet Agjencisë Doganore.

Vetë biznesi pasi kryen veprimet doganore, çka do të thotë se deklarata doganore pritet, pas një kohe të shkurtër që sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme Doganore kontrollon në mënyrë elektronike subjektin dhe deklarimin nëse ka probleme ose jo dhe pas një afati shumë të shpejtë deklarata pranohet si praktikë, mbyllet procedura doganore në pranim. Me të printuar deklaratën doganore, agjencia pa praninë e doganës paraqitet tek transportuesi, këput shenjën e sigurisë që është plumbi doganor, i jep transportuesit dokumentet dhe direkt mjeti niset për në destinacion e tij. Kështu mbyllja e procedurës bëhet shumë shpejt, në 10 minuta, nga përfaqësuesi i biznesit që është Agjencia Doganore. Ndërkohë më parë duhej minimumi tre orë."

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali theksoi se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset. "Sot është dita Ndërkombëtare e Doganave. Ne kemi pilotuar për herë të parë në doganën shqiptare kanalin jeshil ose përzgjedhjen pa kontroll doganor, siç quhet ndryshe. Këtë na e mundëson Kodi i ri Doganor që në nenin 2 të tij përcakton ekuilibrin që dogana duhet të ruajë midis kontrollit doganor dhe lehtësimit të tregtisë nga ana tjetër.

Është e domosdoshme të theksohet se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset. Nga roli i kontrollorit apo përndryshe policit, që dogana ka pasur për shumë vite në kontroll, tani ka kaluar në rolin e partnerit të biznesit dhe thjeshtimit të procedurave doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë së ndershme, por nga ana tjetër, dhe sofistikimit të mënyrave për kontrollin e tregtisë së paligjshme.

Kanali jeshil ka disa avantazhe që janë avantazhe të dukshme dhe të qarta për komunitetin e biznesit. E para dhe kryesorja është ulja e kostove dhe ulja e kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangja e çdo barriere administrative që bizneset kanë në lidhje me doganën dhe kryesorja shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit.

Kanali jeshil është një sistem i sofistikuar, moduli selektiviteti të analizës së riskut, i cili mundëson shmangien totale të kontrollit dokumentar dhe kontrollit fizik të mallrave. Nga ana tjetër bizneset të cilat janë të ndershme, biznese të cilat kanë rekorde shumë të mira në dogana apo në tatime, që janë zbatues të përpiktë të ligjit dhe që kanë bërë investime në sistemin e tyre IT, mund të përfitojnë nga kanali jeshil. Kjo rrit edhe konkurrueshmërinë e tyre, por rrit edhe nevojën, dëshirën e bizneseve të tjera për të arritur në këto standarde. Pra, është dhe një stimul për këto biznese të ndershme të kenë një marrëdhënie të drejtë fiskale me shtetin shqiptar

Në fund do të shtoja që kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, së bashku, bëjnë atë që ne tashmë e konsiderojmë misionin e doganës, që është modernizimi i sistemit dhe shmangia e çdo sjellje korruptive apo primitive në raportet e biznesit me doganën."

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se përfitimi i thjeshtimit të kësaj procedure është i përbashkët, si për bizneset ashtu dhe për doganat, por duke mos neglizhuar për asnjë çast zbatimin e përpiktë të ligjit. "Përzgjedhja e biznesit për kanalin jeshil ose jo, ka të bëjë shumë dokumentacionin, por është automatike, pra nuk është përzgjedhje njerëzore, duam këtë apo atë. Pra, biznesi përfiton në kosto, në barriera, në kohë, që është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe dogana përfiton se në vend që të merret me të gjithë kontrollet siç bën sot, 100 % kontrolle, do të ulet në mënyrë të dukshme numri i kontrolleve. Përfitimi është i përbashkët, marrëdhëniet e përfitimit janë të përbashkëta, por po bashkërisht duhet të mirëkuptojmë njëri-tjetrin që të zbatojmë më rreptësi ligjin që është një kërkesë doemos që e kërkon publiku, e kërkon koha që ne të jemi evropianë, por me zbatim të plotë të ligjit në luftë kundër korrupsionit dhe veprimtarisë informale."
Një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në funksion të vizionit për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti, - e konsideroi kryeministri Rama risinë në doganën shqiptare.

Kryeministri theksoi se kjo do të shërbejë për t'i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve. "Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të vizionit tonë për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti. Nga ana tjetër për t'i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve.

10 minuta punë për të mbaruar punë, pas një epoke ku në letra minimum ishte 3 orë, por në realitet shkonte dhe tre ditë. Një mënyrë për të shpërblyer mundin, djersën, sakrificat, dhe njëkohësisht raportin korrekt me ligjin të gjithë atyre sipërmarrjeve shqiptare që janë torturuar nëpër dogana dhe janë torturuar përballë gjithfarëlloj hajdutësh dhe sekserësh. Kjo është një epokë e mbyllur. Epoka e re që kemi hapur do të vazhdojë të sjellë risi në funksion të lehtësimit total të tregtisë në këtë vend, për eksportuesit dhe importuesit, për të gjithë ata që nuk kanë kohë për të humbur në doganë, pasi kohën e kanë të çmuar dhe me kohën e tyre krijojnë vende pune, krijojnë mirëqenie për të gjithë të tjerët."