Rruga në kampionat duket disi më e vështirë, pasi janë shtatë pikë që e ndajnë nga zikaltrit kryesues. Ndryshe ndodh në Ligën e Kampionëve, ku pas fitores në mesjavë përballë Makabi Haifas, gjithçka bëhet më e lehtë për të kaluar në fazën tjetër. Reparti i mbrojtjes, i kritikuar pas pësimit të tre golave në ndeshjen ndaj Napolit, është gati të marrë mbi vete përgjegjësitë. Fabio Kanavaro kërkon vazhdimësi nga skuadra.

“Ndaj Makabit morëm tre pikë të rëndësishme, por në “Bergamo” kundër Atalantës do të jetë akoma më e vështirë. Duhet të kemi më tepër vazhdimësi, pasi zhvilluam një pjesë të dytë të dobët përballë Napolit. E dimë që shtatë pikë larg Interit janë shumë, por kampionati është i gjatë dhe ne do të synojmë gjithnjë vendin e parë. Më mirë Championsin apo kampionatin? Nuk bëjmë zgjedhje, duam t’i fitojmë të dyja”, theksoi mbrojtësi italian i “Zonjës”.

Edhe Xhorxho Kielini mendon se ndaj Atalantës është një ndeshje thelbësore dhe aspak e lehtë: “Ata do të jenë të motivuar sepse vijnë pas dy humbjeve radhazi. E njoh Antonio Konten (trajnerin e Atalantës) dhe e di që do ta kemi shumë të vështirë”.