Flet shefja e Departamentit të Dermatalogjisë në QSUT, Ermira Vasili


Ermira Vasili

Kanceri i Lëkurës është një nga kancerët më të zakonshëm. Melanoma është kanceri më malinj i melanociteve dhe forma me vdekjeprurëse e Kancerit të Lëkurës. Melanoma përbën 3-5% të Kancerit të Lëkurës dhe është përgjegjës për më shumë se 75% të vdekjeve prej tij.


Sipas shefes së Departamentit të Dermatologjisë në QSUT, Ermira Vasili, rastet me Melanomë kanë pësuar një rritje të dukshme këto vitet e fundit, duke u bërë problem shëndetësor në mbarë botën.


Shoqata Amerikane për luftën kundër Kancerit, ka vlerësuar se incidenca e Melanomës në SHBA, për vitin 2017 është:


– 87,110 janë diagnostikuar si Melanoma të reja (rreth 52,170 Meshkuj dhe 34,940 Femra.


– 9,730 njerëz pritet te vdesin nga Melanoma. 1 në 5 amerikanë zhvillojnë një formë të Kancerit të Lëkurës gjatë jetës.


Melanoma invazive është sëmundja e gjashtë malinje më e shpeshtë tek njerëzit.


Sëmundja e dyte malinje më e shpeshtë tek femrat e moshës 30-34 vjeç.


Sëmundja e parë malinje tek femrat e moshës 25-29 vjeç.


Australia dhe Zelanda e re renditen të parat në listën botërore me 30-40 raste për 100.000 banorë. Incidenca vjetore e Melanomës në Kroaci është 11.5% raste të reja në 100.000 banorë.


Në Kroaci është kjo sëmundshmëri është rritur me 310% në 40 vitet e fundit krahasuar me 580 raste të diagnostikuara në 2005.


Kush janë personat më të rrezikuar për Melanomë


Mjekja Vasili thotë se melanoma shfaqet 20 herë më shumë në popullatën me lëkurë të çelët se në popullatën Afrikane. Risku për melanoma rritet me rritjen e moshës. Mosha mesatare e personave të diagnostikuar është mbi 50 vjeç, por melanoma nuk është e pazakontë edhe në moshat e reja. Ai përfshihet si një nga kanceret më të zakonshëm në moshat e reja. Rreziku për secilin person varet dhe nga një sërë faktorësh të tjerë si më poshtë.


Faktorët e riskut:


Ekspozimi në diell, mosha dhe seksi i pacientit , Lezionet prekursore melanocitike (nishane atipike), Numri i rritur i nishaneve (mbi 50). Historia familjare për melanoma , historia personale për kancer jo melanocitik të lekurës , Nishane kongenitale të mëdha (mbi 20 cm), Pigmentimi i lëkurës dhe i flokëve.


Persona me një risk veçanërisht të lartë për melanoma janë ata me Sindromën Familjare të Nishaneve (Dysplastic Nevus Syndrome). Këta persona kane të paktën një ose dy familjare me Melanoma dhe shpesh kane më tepër se 50 Nevuse Melanocitike, disa prej të cilëve atipike.


Si paraqitet një melanomë:


Nevuset normale paraqiten me ngjyre kafe apo pika te zeza në lëkurë. Mund të jenë të rrafshta apo te ngritura, ovale ose të rrumbullakët , me madhësi më të vogël se 6 mm, me kufij të rregullt.


Disa prej nevuseve mund te shfaqen në lindje apo në moshën fëminore. Nevuset e reja që shfaqen gjatë jetës duhen të kontrollohen herë pas here nga mjekë specialistë.


Nevuset mund të qëndrojnë me vite të pandryshuar në ngjyrë, përmasa dhe kufij, por disa prej tyre mund të ndryshojnë pamjen e mëparshme.


Shume persona kanë nevuse dhe pothuajse të gjithë nevuset janë të parrezikshëm. Është e rëndësishme të vlerësohen ndryshimet që pëson nishani si në madhësi, ngjyrë apo kufij. Kjo mund të sugjerojë për zhvillimin e një Melanome.


Shenjat e mundshme të melanomës.


Shenja shqetësuese më e rëndësishme për Melanomën është shfaqja e një nishani te ri apo ekzistues që po ndryshon përmasat, ngjyrën dhe kufijtë. Ne këtë situatë duhet të paraqiteni te mjeku specialist për një kontroll të specializuar.


A mund të reduktohet numri i melanomave të reja dhe vdekjeve që shkaktohen prej saj?


2/3 e Melanomës Malinje shkaktohen nga rrezatimi i tepërt ndaj UVR. Reduktimi i UVR ul numrin e rasteve të reja. Ekspozimi ndaj rrezeve UV është faktori i riskut më madhor i melanomave. Këto rreze shaktojnë melanoma përmes dëmtimit të ADN-së qelizore. Prandaj në parandalimin e rasteve të reja, shefja e Departamentit të Dermatologjisë në QSUT, Vasili rekomandon se  është shumë e rëndësishme:


* Të bëhen fushata edukuese herë pas here.


* Të ndërgjegjësohet popullata mbi efektet anësore ndaj ekspozimit UV.


* Inkurajim i ndryshimit të sjelljes ndaj reduktimit të eksopzimit UV (shmangia e qëndrimit në diell në orët ku rrezatimi UV është më intens).


* Edukimi periodik dhe i vazhdueshëm i fëmijëve dhe adoleshenteve.


* Informimi i popullatës për masat mbrojtëse ndaj ekspozimit UV (përdorimi i çadrave, kapeleve, kremrave me faktor mbrojtës në zonat e ekspozuara).


* Informim i nevojshëm për rëndësinë e parandalimit të djegieve ndaj UVR.


Është e rëndësishme të behet ekzaminimi rutinë i lëkurës nga vete pacienti, për të kapur në kohë ndryshimet e hershme të një nishani (në ngjyrë, përmasa, kufij të çrregullt) si dhe paraqitja sa më shpejt te Mjeku Dermatolog për një check-up profesional në këto raste. Vetë ekzaminimi mund te reduktojë mortalitetin e Melanomës me 63 %.


Pjesa me e madhe e organizatave dermatologjike, rekomandojnë  kontrolle rutinë, vetëm për grupet me risk të lartë. Mjekët e familjes duhet të jenë të aftë të kryejnë një vlerësim të përgjithshëm të riskut të Melanomës dhe sidomos të identifikojnë personat me Sindromën Familjare të Nishaneve Atipike. Nishanet atipike të zbuluara nga mjeku i familjes duhet të referohen te Mjeku Specialist Dermatolog.


Zbulimi dhe trajtimi i Melanomës Malinje në stadin e hershëm ul ndjeshëm shkallën e mortalitetit. Prej disa vitesh edhe në Shqipëri janë të regjistruar/rimbursuar medikamente për trajtimin e Melanomës gjë që bën të mundur trajtimin bashkëkohor si dhe rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve.


Muaji maj në mbarë botën është konsideruar si muaji i kancerit të lëkurës dhe e hëna e parë e muajit maj është dita botërore e melanomës. Çdo vit, gjatë gjithë muajit maj dhe veçanërisht në ditën botërore të melanomës në mbarë botën organizohen aktivitete të cilat sensibilizojnë njerëzit për të parandaluar dhe kapur herët melanomën.


Dita e melanomës është quajtur edhe dita e vetë kontrollit për melanomën, ku njerëzit inkurajohen të ekzaminojnë veten e tyre për kancerin e lëkurës.


13 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)