06/10/2009  Prokurori: S’më ka kërcënuar njeri. Vogli i irituar me drejtësinë në tërësi


33 vjeçari lihet i lirë. Akuzohet për vdekjen e një 3 vjeçari


TIRANE- Policia e Tiranës ka arrestuar në sallën e gjyqit një 33-vjeçar pasi mësohet se ai ka kakanosur prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes. Ngjarja ka ndodhur dje në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kur Bexhet Vogli 33-vjeçar është arrestuar pasi sipas policisë ka kanosur një prokuror. Ky i fundit sapo kishte mbaruar një seancë gjyqësore në ngarkim të dy vllezërve të pandehurve Bexhet Vogli, ndaj të cilët Gjykata kishte vendosur masë sigurimi “Arrest shtëpie”, dhe Sali Vogli, që aktualisht ndodhet i arrestuar. Megjithëse trupi gjykues e nxori nga qelia 33-vjeçarin duke e lënë në arrest shtëpie, ai ka pretenduar pafajësi dhe për këtë sipas policisë nuk ka hezituar të kanosë prokurorin e çështjes. Mirëpo i kontaktuar në telefon prokurori, i cili nuk dëshiron ti citohet emri në gazetë, tregon një ngjarje krejt të ndryshme me versionin zyrtar të policisë. Sipas tij, është e vërtetë që shtetasi Bexhet Vogli është ndaluar në gjykatë, por jo për arsye se ai ka kërcënuar prokurorin, por për arsye se pas vendimit të gjykatës Vogli ka akuzuar sistemin e drejtësisë në tërësi. “Ai nuk ka përmenduar asnjë emër gjatë protestës së tij, si dhe nuk ia ka drejtuar njeriu gishtin. Thjesht iritimi ka qënë për arsye se procesi në ngarkim të dy vllezërve Vogli, po shtyhet dhe për disa kohë nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore”-tha prokurori. Madje ky i fundit shtoi, se Bexhet Vogli që policia pretendon se e ka arrestuar, është liruar pas disa minutash duke u kthyer në banesën e tij, ku ishte i izoluan me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Dy vllezërit Bexhet dhe Sali Vogli akuzohen nga prokuroria për veprën penale të “Vrasjes nga pakujdesia” të një fëmije 3 vjeçar. Ngjarja ka ndodur në fshatin Shkozë dy muaj më parë, ku të pandehurit janë konfliktuar fizikisht me babain e 3 vjeçarit, shtetasin Ilir Faslliu. Gjatë sherit, i mitur nuk ka mundur të shikojë keqtrajtimin e babait të tij dhe për pasojë nga emocionet që e mbërthyen në ato momente ai ka pësuar infarkt në zemër.