Universiteti i Tiranës

Një grup pune i ngritur nga Ministria e Arsimit, për pajtueshmërinë e veprimtarisë së Universitetit të Tiranës, ka ushtruar kontroll pranë Universitetit të Tiranës nga data 16.02.2018 deri në 02.03.2018, sipas objektit të urdhrit dhe ka hartuar një projekt raport.


Në bazë të ligjit Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, nenit 16, të Ligjit nr. 90/2012 Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 505, datë 13.09.2017 Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, grupi i MASR-së, ka gjetur shkelje gjatë verifikimit të dokumentacionit të organeve kolegjiale dhe autoriteteve drejtuese të UT-së për periudhën tetor 2016, shkurt 2018.


Sipas raportit, grupi i punës në Universitetin e Tiranës, ka konstatuar problematika në institucionin e drejtuar nga rektori Mynyr Koni.


Janë gjetur parregullsi të administrimit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes së praktikave shkresore, duke sjellë konfuzion në ushtrimin e funksioneve nga të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të UT.


Nga procesverbalet e mbledhjeve të organeve kolegjiale, por dhe nga korrespondencat zyrtare midis autoriteteve drejtuese akademike konstatohen mosmarrëveshje të vazhdueshme midis palëve, si për shembull, rektorit Myny Koni, me drejtues të njësive kryesore, rektorit me ish kancelarin (administratorin e komanduar), rektorit me administratorin e ri.


Raporti thotë se kryesisht ka pasur pretendime: për procedurat e punësimit të personelit akademik, mbi kompetencat ndaj personelit administrativ, mbi pezullimin nga detyra të ish Kancelarit, mbi varësinë e strukturave (audit), midis Rektorit dhe Bordit të Administrimit apo Administratorit, në protokollimin e shkresave zyrtare të nxjerra nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe përdorimit të vulës/vulave  nga organet drejtuese  në Rektorat.


Gjithashtu, raporti konstaton ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoriteteve drejtuese të UT-së në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare.


20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)