Etleva Delia

Arrestohet nga Oficerët e Operacioneve Speciale i akuzuari si anëtar i "Hakmarrjes për Drejtësi", Gëzim Gjoni. Ai ra dje në pranga në Tiranë, pasi është dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Apelit për Krime të rënda, për akuzën e "vjedhjes me pasojë vdekje" dhe "rrëmbimit të personit në rrethana lehtësuese". Burime nga policia thanë se 44-vjeçari është ndaluar dje kur po shkonte në punë, në një biznes privat të cilin e drejton bashkë me të vëllain. Policia tha se pas arrestimit, Gjoni i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve. Ndërkohë familjarët e Gëzim Gjonit, menjëherë pas arrestimit të tij, kanë deklaruar se ai është paraqitur vetë në polici. Megjithatë burime zyrtare nga Drejtoria e Tiranës flasin për të kundërtën. Pra sipas policisë, në asnjë moment ai nuk është paraqitur vetë në polici, por është arrestuar, edhe pse oficerët nuk kishin organizuar ndonjë operacion për ndalimin e tij. Kështu Gëzim Gjoni është i vetmi pjesëtar i organizatës që tashmë ndodhet në qelitë shqiptare. Pjesa tjetër e "Hakmarrjes për Drejtësi" kanë përfituar azil politik dhe janë dënuar në mungesë, ndërsa Dritan Hate hetohet në gjendje të lirë.
AKUZAT
Vitin e kaluar Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 8 vjet burg për Gëzim Gjonin, duke e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, si dhe duke i hequr akuzat për kryerje krimesh. Gjoni ishte akuzuar për tre vepra penale të kryera në kuadër të "Hakmarrjes për Drejtësi", si rrëmbim personi, grabitje dhe tentativë vjedhje me dhunë. Edhe pse Gëzim Gjoni u dënua me tetë vjet burg, që më pas Apeli vendosi ta dënojë me 5 vjet, nga kjo masë dënimi, Gjoni ka kryer pjesën më të madhe, duke i mbetur për të qëndruar në qeli vetëm diçka më shumë se dy javë. Është hera e dytë që Gjoni arrestohet si anëtar i organizatës kriminale. Në arrestimin e parë, pas qëndrimit për më shumë se 3 vjet në burg, ai u la i lirë për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. Krimet e Rënda vendosën të revokonin masën e sigurisë rreth dy vjet më parë. Gjatë seancave, Gjoni nëpërmjet avokatit të tij kishte mohuar akuzat e ngritura përgjatë viteve dhe kishte kërkuar lehtësimin prej tyre, dhe madje shpalljen si i pafajshëm. Ndërkaq në kërkim, janë shpallur vëllezërit Shyti, Orik dhe Laert, të dënuar me burgim të përjetshëm, si edhe shtatë pjesëtarë të tjerë të kësaj bande. Dhjetë anëtarët e "Hakmarrjes" akuzohen për 18 vepra penale, 5 prej tyre kanë fituar azil politik.