Kapri-Nishani

Mungesa e investimeve/Kreu i Shtetit, Bujar Nishani priti Kryetarin e Bashkisë të Pogradecit, i sugjeron kontakte direkte me donatorët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, zotin Eduart Kapri. Gjatë takimit u bisedua rreth situatës dhe jetës së qytetarëve të Bashkisë Pogradec dhe çështjeve, me të cilat ndeshet administrata e kësaj Bashkie në përmbushje të misionit të saj. Presidenti i Republikës u njoh me shqetësimet e Kryetarit të Bashkisë rreth mungesës së mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore të projekteve për zhvillimin e qytetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit i përcolli Presidentit Nishani shqetësimin e qytetarëve të kësaj Bashkie, të cilët ndihen të diskriminuar nga diferencimi i politikave që ndiqen nga qeveria qendrore në lidhje me investimet publike në vend. Presidenti i Republikës shprehu keqardhjen për mungesën e mbështetjes së projekteve për Bashkinë e Pogradecit dhe e konsideroi të papranueshme politikën diferencuese të investimeve publike midis njësive të ndryshme vendore. "Qytetarët e vendit duhet të trajtohen dhe shërbehen njëlloj dhe me të njëjtat standarde", theksoi Presidenti Nishani gjatë këtij takimi. Presidenti i Republikës sugjeroi që administrata e kësaj Bashkie të vendosë kontakte më të drejtpërdrejta me donatorë të huaj që mund të ndihmojnë në mbështetjen e projekteve zhvilluese të Bashkisë dhe përmirësimit të shërbimeve që duhen ofruar për qytetarët.