Policia Kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Delta Force, dhe Guardia di Finanza kanë sekuestruar 250 kilogramë marijuanë. Burimet zyrtare bëjnë me dije se operacioni është bërë pasditen e sotme në orën 16:00, është marrë njoftimi se po  tentohej të trafikohej lëndë narkotike në drejtim të Italisë. Menjëherë pas kësaj filloi ndjekja e tyre me ndihmën e forcave mbështetëse.


Nga kontrolli i ushtruar në zonën e Gjirit Bristan- Karaburun, janë gjetur të fshehura rreth 10 çanta me lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa. Gjithashtu, në zonën e quajtur “Gjiri i Dafinës, janë gjetur 10 bidonë me lëndë djegëse benzinë.


Vazhdon kontrolli i përbashkët i territoreve të mësipërme, ndërmjet Policisë Kufitare Vlorë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Guardia di Finanza dhe Delta Force, pasi dyshohet se mund të ketë sasi të tjera me lëndë narkotike në pyllin e kësaj zone.


Aktualisht, lënda narkotike dyshohet se është rreth 250 kilogramë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se lënda narkotike mund të jetë transportuar me kafshë, duke shfrytëzuar kështu rrugët malore të vështira që të çojnë në zonën pas Karaburunit. Vazhdojnë veprimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen e detajeve të tjera të këtij operacioni të përbashkët.     


8 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)