Nga Valon Konushevci [email protected] më 14 janar 2011 në ora 13:20

Besa e Pejës në këtë afat kalimtar mund të mbetet pa njërin prej futbollistëve kyç të saj, Fetim Kasapi, i cili në stinorin pranveror mund të luajë në Superligën e Malit të zi, me skuadrën nga Tivari, Mornar.



Në fakt, Kasapi veç ka arritur marrëveshje parimore me drejtuesit e këtij klubi. Kështu, ai mund të udhëtojë drejt Tivarit gjatë kësaj fundjave, nëse udhëheqësit e Besës e lirojnë atë para kohe nga kontrata, e cila sulmuesin me ekipin pejan e mban të lidhur deri në fund të këtij kampionati.



Lajmin e ka konfirmuar vetë Kasami për Express. “Në parim kam arritur marrëveshje me zyrtarët e Mornarit, për të luajtur në gjashtë muajt e ardhshëm për këtë ekip në Superligën e Malit të Zi. Tani ka mbetur që Besa të më lirojë nga ekipi”, deklaroi Kasapi i cili nga Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë çmimin e golashënuesit më të mirë për vitin 2010.



Ai nuk e fshehu dëshirën e tij për t’iu bashkuar ekipit malazez, duke shpresuar që të hasë në mirëkuptim te zyrtarët e Besës, të cilët Kasapi beson se do ta lirojnë para kohe nga kontrata.



“Dëshira ime është që të sprovohem edhe atje. Shpresoj që zyrtarët e Besës të më mirëkuptojnë dhe të më lirojnë. Të premten apo të shtunën kryesia e klubit do të vendosë për të më liruar apo jo. Unë besoj se kryesia do të më lirojë dhe menjëherë do të nisem drejt Malit të Zi”, përfundoi Kasapi.