Zgjedhjet rajonale në Katalonjë nuk sollën rezultatin e dëshiruar nga Madridi. Separatistët mundën ta mbrojnë shumicën e tyre në parlament. Humbësi quhet Mariano Rajoy.


Për kryeministrin e Spanjës, Rajoy përfundimi i zgjedhjeve rajonale është një goditje e hidhur. Ai pati shpresuar se separatistët do të dalin të dobësuar nga zgjedhjet e organizuara nga Madridi dhe se në këtë mënyrë do të zbutej konflikti për pavarësinë e rajonit të pasur në verilindje të vendit.


Në Parlamentin e ri rajonal, 70 nga 135 vendet i fituan tri partitë që luftojnë për një shkëputje nga Spanja. Në zgjedhjet e fundit në 2015 ato patën vetëm dy vende më tepër. Forca politike kryesore në kampin e separatistëve është partia e kryeministrit të shkarkuar, Carlos Puigdemont me 34 vota. Krejt e paqartë mbetet se ç’pamje mund të ketë një koalicion i ri qeveritar i separatistëve: udhëheqësit kryesorë të tyre janë ose në burg, ose si Puigdemonti jashtë vendit.


Që nga mërgimi në Belgjikë, Puigdemonti foli për një “shuplakë” për qeverinë qendrore spanjolle. “Shteti spanjoll u mund. Rajoy dhe aleatët e tij humbën”. Njëkohësisht, Puigdemont u tregua i gatshëm të takohet për bisedime jashtë Spanjës me kryeministrin  Mariano Rajoy. Rajoy duhet të njohë fitoren e mbështetësve të pavarësisë, tha Puigdemont. Rajoy nuk e pranoi këtë ftesë.


Ai tha nga ana e tij tha se Puigdemonti duhet të takohet me fituesen e zgjedhjeve rajonale Ciudadanos. Ciudadanos me udhëheqësen karizmatike Inés Arrimadas konsiderohet si fituesja e mirëfilltë e zgjedhjeve. Ajo fitoi 37 mandate, duke fituar kështu numrin më të madh të mandateve nga të gjitha partitë.


Panorama e përgjithshme post-votimit është e rrëmujshme, ndaj mbetet e paqartë për momentin se kujt do ti jepet e drejta e krijimit të qeverisë. Madridi zyrtar vendosi sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalonjën dhe shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme atje, pasi lidershipi i rrëzuar katalanas shpalli pavarësinë në vazhdën e një referendumi të cilësuar nga Spanja si ilegjitim.


Ndërkohë Gjermania ka bërë thirrje për pajtim dhe për të respektuar kushtetutën e Spanjës pasi separatistët triumfuan në zgjedhjet rajonale. “Shpresojmë se ndarja aktuale në shoqërinë katalanase mund të kapërcehet dhe se një e ardhme e përbashkët mund të gjendet me të gjitha forcat politike në Spanjë“, tha zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer.