“Unë nuk kam jetuar në kohë lufte, por me çfarë kam dëgjuar, kjo që ndodhi sot është kaluar lufte”. Kështu e nis rrëfimin e tij një prej të mbijetuarve të tragjedisë së djeshme. Tronditje të tokës, shpërthime të fuqishme, tym, zjarr, të gjitha njëherësh brenda pak minutave. E më pas ulërimat e banorëve të cilët linin banesat e tyre dhe futeshin nëpër tunele, bankiere, ngjiteshin në kodra, ku të mundnin vetëm të shpëtonin “kokën” megjithëse fillimisht ata nuk po e kuptonin çfarë po ndodhte. Agimi një burrë rreth 55-vjeç, që banon në qendër të fshatit Marikaj e ka të vështirë të përshkruajë të gjithë pamjen tronditëse që ka përjetuar. Ai nuk është i vetmi person që vërtitet në rrugët e Marikajt, fshatit që ndodhet vetëm pak kilometra larg depove të armatimit që shpërthyen paraditen e djeshme. Pasi ka siguruar familjen në një vend jashtë rrezes së veprimit të shpërthimit, ai është kthyer sërish në Marikaj për të ruajtur lokalin dhe banesën e tij. “Po tronditej toka, u thyen xhamat e çdo banesë, çatitë, në fillim menduam se ishte tërmet, më pas dëgjuar zhurma të fuqishme shpërthimi dhe pamë zjarr. E kuptuam që kishin shpërthyer depot. Menjëherë u larguam nga fshati për të shpëtuar nga ndonjë shpërthim tjetër i mundshëm”,- tregon për “Shekullin” Agimi.
Fshatrat në “luftë”
E shtunë. Mesditë. Shpërthejnë depot e armatimit që ndodhen në fshatin Gërdec. Dy shpërthime të njëpasnjëshme me diferencë kohe prej pesë minutash, shkaktuan tronditje të tokës dhe për pasojë fshatrat përreth patën dëmtime në banesa ndërsa u lënduan shumë banorë. Fshati Gërdec ishte epiqendra e tragjedisë, aty ku çdo minutë që kalonte shtonte të plagosurit. Pothuajse të gjithë punëtorët e firmës që merrej me çmontimin e predhave mbetën të plagosur, ndërsa kishte dhe të vdekur në radhët e tyre. Pas punëtorëve që gjendeshin pranë depove, radhën e dëmtimeve e kishin banorët e fshatit Gërdec e cila mbante nën vete këto depo armatimesh. Çdo shtëpi e këtij fshati ka pësuar dëmtime, ndërsa disa prej tyre u shembën tërësisht. Prej së largu dëgjoheshin shpërthimet e predhave, edhe disa orë pas ngjarjes. Shumë njerëz nuk dinin se ku kishin familjarët e tyre. Policia bëri evakuimin e këtyre banorëve megjithëse një pjesë e mirë e tyre kishin mundur të gjenin vetë vendstrehimin për të shpëtuar. Brenda rrezes së shpërthimit gjendet dhe fshati Marikaj. Vetëm pak minuta pas shpërthimit në fshatin Marikaj mbizotëronte qetësia. Në rrugët e fshatit shiheshin pak njerëz, të cilët duket se kishin marrë përsipër të ruanin banesat e tyre, ndërsa familjarët kishin shkruar gjetkë për shpëtim. Çdo banesë, pallate, dyqane, lokale, nuk dispononte më dyer e dritare të gjitha ishin thyer e shkatërruar. Askush nuk llogariste dëmin material, madje kishin braktisur banesat dhe ishin fshehur në kodra, tunele e bunkerë pas alarmit se do të shpërthenin edhe dy depo të tjera të cilët strehonin armatime të rënda. Shpërthimi i gjeti banorët të shpërndarë nga familjarët e tyre. Për ta ka qenë shumë e vështirë të telefononin familjarët për të mësuar për shëndetin e tyre pasi nuk kapej linja, ndërsa energjia elektrike u shkëput fill pas ngjarjes.
Viktima sa në luftë
Vargu i makinave në autostradën Tiranë-Durrës, nuk ka qenë i pakët mesditën e djeshme, një pjesë e mirë e tyre mbërritën në destinacion me xhama të thyer. Automjetet që po udhëtonin në autostradë pranë Vorës, e Bërxullës kanë qenë më të prekurat nga shpërthimit. Ato kanë pësuar tronditje por për fat të mirë drejtuesit e tyre megjithëse në gjendje paniku kanë mundur të shmangin aksidente të mundshme. Disa automjete kanë ndaluar disa të tjera ka lëvizur duke rritur shpejtësinë, autostrada u përfshi nga një kaos ndërsa numëroheshin të lënduar për shkak të dëmtimeve në makinat e tyre. Një autobus me pasagjerë që po udhëtonte në autostradë ka pasur shumë të lënduar të cilët u transportuan me urgjencë në spital. Ndërsa shumë biznese në këtë aks rrugor pësuan dëmtime. Pasi u larguan të gjitha automjetet nga autostrada policia nuk lejoi më kalimin e tyre në këtë aks rrugor duke e vënë atë në dispozicion të ambulancave, mjeteve policore e zjarrfikësve. Ndërkohë që vetëm pak kilometra nga epiqendra e shpërthimit, alarmi kishte vënë në lëvizje banorët e Vorës, të cilët kyçën banesat dhe u larguar për të mbrojtur “kokën”.
Banorët tregojnë minutat e tmerrit mes shpërthimeve të shumta dhe frikës së një tragjedie edhe më të madhe
Dëshmia: Njerëzit linin shtëpitë e fëmijët qanin
Shpërthimi i depove ka lanë në qiell të hapur, shumë lokale e dyqane në fshatrat përreth. Xhamat e dritareve dhe dyert janë shkatërruar e thyer, ndërsa asnjë lokal nuk ishte në gjendje punë ditën e djeshme në fshatrat përreth epiqendrës së shpërthimit. “Kanë mbetur vetëm muret, gjithçka është thyer. Ka dalë jashtë funksionit lokali. Unë ndodhesha brenda në lokal kur dëgjova tronditje të fuqishme. Dola menjëherë jashtë pashë tym dhe zhurma të llahtarshme”,- tregon një banor i fshati Gërdec për “Shekullin”. Sapo ka dalë jashtë lokalit ai ka parë se çdo ndërtesë kishte pësuar dëmtime. Makinave të parkuara u ishin thyer xhamat. “Në momentin e parë u larguam për t’i shpëtuar shpërthimeve të tjera pasi e dimë që aty janë disa depo me armatime të rënda. Në minutat e para pas shpërthimit ka qenë një tmerr i vërtetë. Njerëz që dilnin nga banesat dhe ulërinin, fëmijë që qanin. Më pas erdhi me urgjencë policia. Ishte një tmerr i vërtetë” shton më tej dëshmitari. Asnjë nga banorët e fshatit nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Nuk dinin ku kishin familjarët e tyre. Askush nuk po e kuptonte se kush ishin fatkeqët e lënduar nga gjithçka nga ajo që panë më sytë e tyre. “Mjerë kush ka qenë afër depos”, thotë Qemali një i moshuar, i cili edhe në luftë nuk ka dëgjuar të ketë pasur kaq të plagosur brenda pak minutash. “Në vitin 1997 na u mësua veshi me breshëri automatiku, me shpërthime bombash, por të paktën dinim se nga të ruheshim. Por sot nuk dinim si të ruheshim ku të shkonim, na erdhi pa pritur” tregon Agimi një 55-vjeçar nga Marikaj.
Bërxullë
Një dasmë pranë “betejës” së predhaveShpërthimet e depove, ndërprenë një dasmë që sapo kishte nisur në një lokal në Bërxullë në periferi të Tiranës. Mbi 100 dasmorë kanë braktisur dasmën të tmerruar. Të njëjtën gjë ka bërë edhe çifti i ri që kishte mbledhur të afërmit për të festuar ditën më të bukur të jetës së tyre. Gjithçka u duk si tërmet në fillim por tymi dhe zhurma kanë bërë që dasmorët të kuptojnë gjendjen, e të largohen dhe të dalin me shpejtësi nga lokali, në të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe nusja e cila ka mundur të vrapojë zbathur për të shpëtuar. Për fat të mirë në radhët e dasmorëve nuk ka pasur viktima por ata kanë qenë të tronditur.Dasma nuk ka vazhduar më tej, por është anuluar për shkak të ngjarjes. Ndërkohë që dasmorët u larguan në drejtim të banesave të tyre.