Në ndeshjen e javës së fundit të fazës së grupeve, Lushnja kryesuese e Grupit B të Kategorisë së Parë, ndalet në mënyrë të papritur në stadiumin Roza Haxhiu. Lagunarët u mundën me rezultatin 1-0 nga Pogradeci, duke humbur mundësinë për të siguruar një avantazh të konsiderueshëm ndaj Bylisit ndjekës. Ishte Shkulaku ai që shënoi golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 45 dhe pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, skuadra e drejtuar nga Artan Bano nuk arriti të shënonte asnjë gol duke dalë e humbur nga kjo sfidë dhe duke rikthyer shpresat e Bylisit pasi ballshiotët fituan 1-0 ndaj Apolonisë me gol të Raboshtës. Me mbylljen e javës së 18 caktohen edhe sfidat play off dhe play out. Kështu grupi B ndahet në dy grupe me nga 5 skuadra dhe pikët e tyre përgjysmohen.


Në betejën play off, Lushnja kryeson me 21 pikë, Bylis ndjek me 19 dhe më pas vijojnë Pogradeci, Tomori e Shkumbini. Zona play out do të luhet mes Apolonisë, Turbinës, Dinamos, Sopotit dhe Elbasanit. Në veri, Kamza u ndal 1-1 në Burrel por mbetet në vendin e parë. Me 24 pikë, skuadra e Devollit ndiqet nga Besëlidhja me 20 dhe Erzeni, Burreli e Shënkolli. Në zonën play out mbeten Kastrioti, Besa, Mamurrasi Iliria e Tërbuni. Tashmë përballjet do të zhvillohen mes skuadrave të të njëjtit grup dhe të parat do të kualifikohen për në Kategorinë Superiore, ndërsa në mbyllje të 8 javëve të mbetura, të fundit e grupit A dhe B zbresin një kategori më poshtë.


4 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)