Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është duke shqyrtuar një projekt-vendim për të mbyllur katër tregje në kryeqytet, pasi nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Vendimi në fjalë është duke u shqyrtuar së bashku me përfaqësues së Drejtorisë së Shëndetit Publik të kryeqytetit, si edhe me vetë shitësit, të cilëve u është kërkuar që të plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në mënyrë që të mënjanohet ky vendim ekstrem. Ndërkohë, specialistët e DSHP-së së qytetit u shprehën se kushtet që tregtoheshin mallrat kanë shkaktuar mjaft të sëmurë, pasi janë prishur ushqimet.
Mungojnë kushtet higjienike
Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, por edhe nga Drejtoria e Shëndetit Publik të Tiranës, është duke u shqyrtuar zbatueshmëria e standardeve higjieno-sanitare të përcaktuara me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. “Tregtimi i ushqimeve, në mes të vapës së mesditës është e paligjshme, pasi vendimi përcakton se duhen kushte të veçanta frigoriferike, për secilin prej ushqimeve të tregtuara”, – u shprehën për “standard” përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetit Publik.
Një prej tregjeve të rrezikuara është edhe tregu i Pazarit të Ri, që është një treg i hapur, rreth 300 metra larg qendrës së Tiranës. Sipas specialistëve të DSHP-së, aty nuk ekziston asnjë frigorifer dhe ushqimet e tregtuara vendosen nën rrezet e diellit gjatë gjithë ditës. “Në këto kushte ato bëhen të rrezikshme për qytetarët”, - shprehen specialistët. “Gjatë këtij muaji ka pasur shumë të helmuar nga ushqimet, e pa dyshim arsyeja kryesore është tregtimi në kushte të tilla”.
Ushqimet, dhjetëra të sëmurë këtë muaj
Gjatë muajve të verës, rastet e helmimeve shtohen së tepërmi, pasi ushqimet dhe lëngjet nuk mbahen në kushtet e duhura. Në këtë mënyrë, në numrin më të madh të tregjeve shqiptare, e sidomos në ato të pacertifikuara, nuk ekziston asnjë frigorifer që do të mbante ushqimet në temperaturat e nevojshme. Për më tepër, një numër i madh tregjesh janë të pambuluara, si edhe në krah të rrugëve, duke shtuar si sasinë e rrezeve që bien mbi ushqimet, edhe të pluhurit.
Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës shprehen se gjatë muajit gusht ka pasur mbi 100 raste helmimesh, qofshin këto të lehta apo të rënda. Pacientët, në shumicën e rasteve janë shprehur se janë sëmurur nga ushqimet e blera në mjedise të papërshtatshme, duke detyruar në këtë mënyrë edhe DSHP-në të arrijë në vendimin e mbylljes së një prej tregjeve më të mëdha në kryeqytet.