LEONIDHA MUSAJ/ Zbulohet organizatori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur më datë 27 prill të këtij viti.


talo cela haxhia


Sipas Prokurorisë, autorë të kësaj ngjarjeje janë Talo Çela nga Elbasani (i vetmi që nuk është arrestuar nga grabitja e Rinasit), Nuredin Dumani nga Kavaja, Altin Ndoci dhe Klevis Alla.


Ky i fundit është edhe personi që ka zbardhur jo vetëm identitetet e autorëve, por edhe dinamikën e krimit.


Tashmë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit, të cilët në bashkëpunim me Allën dhe Ndocin janë ekzekutorët e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më datë 27 prill, si dhe në 2 mars ndaj Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiaj.


Sipas organit të akuzës në Durrës, i cili tashmë dosjen e ka kaluar në SPAK, Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë dy qitësit në vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhia. Dumani u arrestua më herët për Shfrytëzim prostitucioni, por u lirua pasi nuk u provua akuza e ngritur ndaj tij.


MOTIVI I KRIMIT


Katër vrasjet e ndodhura në mars dhe prill të këtij viti në Durrës dyshohet se kanë për motiv humbjen e një sasie të konsiderueshme parash, të cilat u vodhën në grabitjen e Rinasit nga Talo Cela dhe Admir Murataj e bashkëpunëtorët e tyre.


Mësohet se Talo Cela ka lënë një sasi të madhe parash nga ato të vjedhurat në ruajtje te vëllezërit Haxhia.


Sipas dëshmisë së Klevis Allës, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Çela ka pasur një konflikt me viktimat, të cilëve u kishte lënë në ruajtje shumën e parave që nuk ia kishin kthyer.


Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bënë të ditur se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhjeje që kishte ndodhur në janar të këtij viti.


Por me sa duket, një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili, edhe pse në arrati, ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.


Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë edhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn, ku ende nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i këtij krimi.


Por dyshohet se këta të fundit kishin dijeni për vjedhjen e servisit të dy vëllezërve Haxhia, madje Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin futur Shkozën dhe Avdiajn të vidhnin paratë që të justifikonin mungesën e tyre te Çela.