SHKRUAN: Jonida Tashi 10-11-2011 15:41

Vendimi është marrë nga Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë. Dom Gjergj Meta: Anketuesit nuk kanë shkuar në shumë familje të krishtera, duke rrezikuar kështu tjetërsimin e të dhënave reale të besimtarëve




Anketuesit e regjistrimit të popullsisë nuk kanë trokitur në shumë dyer familjesh të krishtera, duke rrezikuar kështu tjetërsimin e të dhënave reale të këtyre besimtarëve. Kjo është “akuza” që ngre për anketuesit komuniteti katolik, i cili konteston procesin e regjistrimit të popullsisë, duke deklaruar se kanë ngelur jashtë tij një numër i konsiderueshëm besimtarësh të krishterë. Kështu, pas dyshimeve për besueshmërinë e Censusit në Shqipëri, komuniteti katolik deklaron se do të nisë një regjistrim paralel të besimtarëve të tij. Vendimi është marrë dje nga Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë, e cila është mbledhur gjatë datave 8-9 nëntor në Tiranë, për të diskutuar rreth situatës kishtare e shoqërore në vend. Një prej përfaqësuesve të komunitetit katolik, që është zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore, Dom Gjergj Meta, sqaron se ky vendim i Konferencës Ipeshkvnore erdhi pas lënies jashtë regjistrimit të një numri të konsiderueshëm pjesëtarësh të këtij besimi fetar. Sipas tij, anketuesit nuk kanë shkuar në shumë familje të krishtera, duke rrezikuar kështu tjetërsimin e të dhënave reale të besimtarëve. Në Asamblenë e Ipeshkvijve të Shqipërisë është diskutuar mbi Censusin, ku autoritetet e larta katolike kanë deklaruar se gjatë procesit të regjistrimit janë vërejtur disa probleme, si për shembull nga informacionet e ardhura ka pasur persona që nuk janë regjistruar fare, të tjerë kanë pasur frikë të regjistrohen apo nuk janë përgjigjur. “Për këtë arsye është menduar që, pavarësisht nga rezultati i Censusit, duhet edhe ne të bëjmë një proces regjistrimi të familjeve tona, në mënyrë që të kemi një perceptim më të saktë të realitetit”, - citon Radio Vatikani. Në këtë mënyrë, komuniteti katolik është i pari në vend që deklaron hapur mosnjohjen e rezultateve të Censusit, duke iu kundërvënë me një tjetër regjistrimin, për të ballafaquar shifrat. Por, puna e paplotë e anketuesve të regjistrimit të popullsisë nuk është një problem që i përket vetëm katolikëve. Denoncimet e para për këtë proces erdhën nga minoriteti arumun, të cilët numërojnë mbi 5 mijë persona të paregjistruar. Ndërkohë që pritet që ky proces të kontestohet edhe nga komunitetet e tjera fetare në vend, të cilat tani më shumë se kurrë janë të përfshira nga beteja e shifrave se cili prej tyre do të ketë numrin më të madh të besimtarëve, që do të deklarohet nga shteti. Megjithë harmoninë dhe tolerancën fetare që i ka karakterizuar, duket se në këtë pikë komunitetet fetare në vend nuk do të lëshojnë aspak pe, aq më tepër nëse bëhet fjalë për të ndryshuar hierarkinë tradicionale të vendosjes së tyre, sipas së cilës, në Shqipëri ka më shumë muslimanë, të dytët janë katolikët dhe të tretët ortodoksët.


Pas deklaratave që vijnë nga pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme në vend, procesi i Censusit po vë kështu në një pikëpyetje të madhe besueshmërinë e shifrave që raportohen nga INSTAT. Një muaj pas mbledhjes së materialeve nga terreni, INSTAT do të përgatisë publikimin e të dhënave paraprake të Censusit. Në këto rezultate do të ketë informacion mbi numrin e popullsisë rezidente në Shqipëri të ndarë sipas prefekturave dhe gjinisë, numrin total të banesave të banuara dhe të pa banuara etj. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, ka bërë të ditur se pas përfundimit të Censusit në terren, në muajin nëntor, INSTAT, sipas metodologjisë së Eurostat-it, do të kryejë anketën e pas-census-it.




Qëndrimi


“Gjatë procesit të regjistrimit janë vërejtur disa probleme, si për shembull nga informacionet e ardhura ka pasur persona që nuk janë regjistruar fare, të tjerë kanë pasur frikë të regjistrohen apo nuk janë përgjigjur. Për këtë arsye është menduar që, pavarësisht nga rezultati i Censusit, duhet edhe ne të bëjmë një proces regjistrimi të familjeve tona, në mënyrë që të kemi një perceptim më të saktë të realitetit”.